Nga: Dr Aid Elkarnij
Islami i lehtë dhe i thjeshtë
Nga të gjithë ithtarët e fesë islame, do të doja që Islamin ta ruajnë të pastër dhe burimor ashtu siç ka qenë në ditët e para të tij, gjithë tolerancë dhe zemërbutësi. Islami s’ka nevojë për shtesat dhe bishtat njerëzorë. Profeti i Islamit thotë:”Kushdo që bën një vepër që bie ndesh me traditën tonë, ajo është e refuzuar.”
Vetë Zoti i lartësuar, e ka bërë të qartë që Islami është i plotë, perfekt dhe nuk i lipsen shtojca, korrigjime dhe saktësime. Thotë Zoti në Kuran:”Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj.” (Maide, 3)
Problemi i myslimanëve sot është se disa injorantë, kanë marrë përsipër t’ua vështirësojnë robërve të Zotit të kuptuarit e fesë, madje do thosha të kontribuojnë në keqkuptimin e saj. Ata po ua nxijnë jetën njerëzve dhe po i ndëshkojnë duke dashur ta kenë në kontrollin e tyre të plotë mënyrën dritëshkurtër si duhet ta kuptojnë njerëzit fenë. Mediokriteti dhe ashpërsia e tyre i ka çuar gjer atje, saqë nëse nuk pajtohesh me ta, shpallesh armik. Madje, ai e ka në dorë të të braktisë, të shajë dhe ofendojë sipas oreksit.
Nëse hedh shikimin në jetën e Profetit a.s dhe shokëve të tij, do të gjesh që jeta e tyre ishte e thjeshtë, pa komplekse dhe plot dhembshuri e zemërbutësi me njerëzit. Thotë Zoti në Kuran duke e përshkruar këtë realitet:”Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit.” (Haxh, 78)
Shoh disa në kohët moderne, që teksa flet në emër të fesë, e shoqëron me zymtësi, ngrysje vetullash, vetëpëlqim, demaskim dhe hyxhym, sikur të ishte ai që ka krijuar gjithësinë dhe ka në dorë xhenetin e xhehenemin.
Mos vallë feja na kërkon të jemi kaq të zymtë, të ngrysur dhe të ashpër me njerëzit? Mos vallë po adhurojmë Zotin me tekste të tjera, përveç atyre të Kuranit dhe traditës profetike? Mos kanë dalë njerëz të pagabueshëm nga umeti ynë, pas të dërguarit të Zotit? Përse shohim disa prej nesh që teksa predikojnë para njerëzve, i kërcënojnë me zjarr xhehenemi? Mos vallë pretendon se Zoti i ka dhënë pushtet ndaj njerëzve? Mos ëshë zëdhënësi i sheriatit dhe fal e ndëshkon kë të dojë sipas qejfit?
O ju ftues në udhën e Zotit! O ju që mbani përgjegjësinë e përcjelljes së kësaj feje! Manifestoni modesti, njiheni vlerën e vetes dhe sa peshoni realisht!
Në Kuran, Zoti nuk i jep status të veçantë askujt, duke thënë:”Ju jeni njerëz, krijesa të Tij”
Ne ftuesit duhet të komunikojmë si njerëz që edhe ne kemi gjynahe dhe të meta, njëlloj si të tjerët. Neve gëzojmë privilegjin që jemi thelluar në dispozitat e Sheriatit dhe në bazë të vëllazërisë, dhembshurisë dhe dashurisë, e kemi detyrë fetare që t’i këshillojmë në mënyrën më të mirë. Ne duhet të besojmë se i këshilluari, sado të jetë i zhytur në gjynahe, mundet që Zoti t’ia pranojë pendimin dhe t’ia mbyllë jetën pozitivisht. Ku i dihet, mund të jetë në grada më të larta edhe se ne, në Botën Tjetër. Qëllimet dhe nijetet, pranimin e veprave dhe llogarinë në Botën tjetër e di vetëm Zoti i lartësuar. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Ka njerëz që mesa u duket njerëzve, veprojnë punë të mira, derisa mes tij dhe vdekjes ka mbetur pak kohë. Por atij i paraprin libri dhe vepron ligësi, duke u bërë nga banorët e zjarrit. Ka dhe njerëz që veprojnë ligësi, për aq sa u duket njerëzve, derisa mes tij dhe vdekjes i mbetet pak kohë. Mandej, i paraprin libri dhe vepron vepra të mira dhe bëhet nga banorët e xhenetit.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s pohon:”Veprat varen nga përfundimi!”
Disa predikues u flasin njerëzve nga kulla fildishi, sikur ata vetë e kanë të siguruar se nuk do i prekë dënimi i Zotit. Ata i shohin gjynahqarët me neveri dhe arrogancë, duke kundërshtuar kështu thëniet profetike, si:”Kush thotë u shkatërruan njerëzit, ai është më i shkatërruari!”
Në një rrëfenjë, thuhet se një adhurues i thotë një gjynahqari:”Pendohu tek Zoti nga gjynahet!” Ai ia kthen:”Më lër rehat me Zotin tim!” Adhuruesi thotë:”Betohem se ty nuk do të falë Zoti!” Në fakt, Zoti ia dogji të gjitha punët e mira adhuruesit, ndërkaq, ia fali gjynahet gjynahqarit.
Prandaj, ftues të dashur, jini të dhembshur me njerëzit, u flisni atyre me dashuri dhe dashamirësi, pasi askush nuk e di statusin e vet Ditën e paraqitjes para Zotit. Askush nuk e di si do e mbyllë jetën, askush nuk e di nëse do të merret nga melekët e rahmetit apo të gazepit. Në Kuran, Zoti urdhëron që robërit e Tij të trajtohen me mirësjellje dhe butësi. Thotë Zoti në Kuran:” Sikur të mos ishte mirësia e Allahut ndaj jush dhe mëshira e Tij, askush nga ju nuk do të ishte pastruar kurrë (prej gjynaheve)” (Nur, 21)
Ligjërimi i demaskimit, damkosjes, arrogancës dhe akuzave, është një ligjërim i urryer, i cili e ka provuar se është i dështuar nëpërmjet praktikave të grupacioneve që kanë dalë kundër umetit, duke i shkelur dispozitat hyjnore, siç ndodhi me havarixhët dhe me të gjithë ekstremistët dhe radikalët. Vetë Profeti a.s i dënon aktet e tyre duke thënë:”U shofshin ekstremistët, u shofshin ekstremistët, u shofshin ekstremistët!”
Islami, o ju të nderuar, është fe e lehtë dhe e thjeshtë, i shkon për shtat natyrës njerëzore në çdo detaj. Islami dëshiron që njeriu të jetojë si rob i Zotit, me lirinë e tij, dinjitetin, njerëzoren dhe gjithë jetën e tij. Në fund të fundit, është Zoti Ai që ia ka shpallur revelatën profetit të Tij të fundit, e cila vlen si për arsyen e tij, shpirtin dhe fizikun. Prandaj, askush nga njerëzit nuk gëzon të drejtën të ndërhyjë në legjislacionin hyjnor, për të shtuar apo hequr sado pak. Thotë Zoti në Kuran:”Ti ke vetëm komunikimin!” “Nuk je kontrollues i tyre”
Kushti dhe kriteri i vetëm i komunikimit të mesazhit hyjnor, është të kuptuarit se ai përcillet duke respektuar etikën dhe normat e sjelljes. Përndryshe, është më mirë për këtë ftues që të heqë dorë nga kjo fushë dhe t’ia lërë dikujt tjetër të aftë.
Prandaj, shohim që ulematë dhe pushtetarët e umetit mysliman të shekujve të parë, u bënë ballë havarixhëve ekstremistë, duke u treguar kufirin, edhe me forcë kur lipsej. Në fund të fundit, havarixhët synonin vështirësimi dhe denatyralizimin e kësaj feje, donin t’ua nxinin jetën myslimanëve duke i futur në labirinte të errët dhe pa krye. Ata kishin lejuar dhe gjakderdhjen mes myslimanëve dhe kjo në emër të Islamit! Prijësi i Besimtarëve, Ebul Hasen ibnu Ali ibnu Ebi Talib, ndërmori një fushatë të madhe për ti nxjerrë havarixhët nga kalatë ku fshiheshin dhe për ti çuar para drejtësisë. I gjithë umeti e mbështeti aktin e tij dhe ia diti për nder në përjetësi.
Perktheu: Elmaz Fida
…