2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Si ndryshon gjendja e një populli – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Si ndryshon gjendja e nje populli

Për një sociologji të Profecisë

I.

Kur muslimanët flasin për ndryshimin e gjendjes së një populli, kanë parasysh ndryshimin e marrëdhënies së tyre me Zotin, përmirësimin e kësaj marrëdhënjeje. Për këtë arsye, kjo është një çështje e përhershme, duke qenë se përmirësimi i marrëdhënies me Zotin është pa dyshim një çështje e përhershme.

Ky ndryshim përmirësues, ose do të jetë radikal, pra kur populli gjendet në mosbesim  (që si rregull është një trajtë e idhujtarisë), ose do të jetë reformues, kur populli gjendet në  nivelin e rradhës të përciptësisë fetare. Se cili është dallimi midis këtyre dy mundësive për ndryshim dhe sesi përcaktohet në raste të veçanta, nëse bëhet fjalë për një ndryshim rrënjësor apo ndryshim reformues, kjo kërkojnë një vend tjetër për t’u trajtuar. Këtu do të flasim për mënyrën sesi ndodh ky ndryshim.

Por pra, a ka një mënyrë të përcaktuar sesi ndryshimi i tillë ndodh, çfarë ka në natyrën e gjërave që e nxit apo e pengon atë, a ka rregulla, skema, ligjësi që përcaktojnë mundësitë e realizimit të ndryshimit?

Ja disa premisa të sigurta:

E para e tillë e sigurt, sepse vjen nga Kur’ani, është përjashtimi i mundësisë që ndryshimi të vijë si dhuratë apo të vijë vetiu-të ndodhë vetë.

Po ashtu, duhet mbajtur parasysh që fakti që ndryshimi duhet të vijë nga shoqëria, duhet të përballet me faktin e kundërt që shoqëria si rregull ka si atribut një inerci shumë të fortë, që do të thotë se nuk ka tendencë të ndryshojë.

Përveç kësaj dhe pavarësisht kësaj, ajo shoqëri që gjithsesi në një mënyrë a tjetrën ndryshon, nuk ndryshon njëherazi, e gjitha e përfshirë në këtë përpjekje, por ndryshimi fillon diku në një zonë të saj me tendencën që të përhapet deri në atë pikë sa me kalimin e kohës të bëhet çështje e tërë shoqërisë.

Nuk ka shoqëri homogjene, e tillë pra që materiali njerëzor, disponimi transhendues, formimi kulturor, faktorët katalitikë, të jenë njësoj të shpërhapura në tërë shoqërinë. Si rregull çdo shoqëri është heterogjene dhe e përbërë nga grupe. Kështu kur më lart folëm për një zonë, patëm parasysh  një grup, ndryshimi i shoqërisë fillon tek të paktën një grup i saj, pra në origjinë ndryshimi bëhet çështje e njërit prej grupeve që e përbëjnë shoqërinë (dhe shoqëria do të jetë vetëm bartëse e asaj që do përcaktohet nga përpjekja e njërit prej grupeve apo nga ballafaqimi mes grupeve).

Por si, kur edhe grupet si rregull më shumë se të ndryshojnë synojnë të përshtaten, pra të konservojnë gjendjen ekzistuese të gjërave?

Pashmangshmërisht bëhet e qartë, që në fakt, në thelb ndryshimi është çështje e individit, sepse vetëm në natyrën e njeriut, gjendet aftësia për t’u brengosur, pra për të qenë i pakënaqur me gjendjen e gjërave, duke ndjerë, apo përfytyruar apo besuar se kjo gjendje mund të jetë, apo duhet të jetë ndryshe. Nëse kjo aftësi për t’u brengosur nuk do të ishte në fitrën e njeriut, ndryshimi do të ishte nje utopi, mund të ndodhte vetëm si mrekulli.

Nga ana tjetër individët e kanë luksin e brengës vetëm si pjesë e grupit: për grupin secili individ është shumë i rëndësishëm dhe grupi e ushqen  çdo individ me vetëbesim, pra me idenë e një vlere personale të pavarur nga rrethanat (kurse në të kundërt për shoqërinë secili individ është thjesht një burmë në mekanikën e sistemit, për çdo rast i zëvendësueshëm, madje i sakrifikueshëm).

Këto dy kushte paraprake,  pra ky vetëbesim i edukuar tek individi nga grupi, dhe brenga e lindur tek ai si qenie njerëzore, duke qenë me origjina të ndryshme, manifestohen në nivele të ndryshme të përvojës, ndaj  qëndrojnë veçeveç tek individët, pa përftuar ndonjë kombinim mes tyre. Do të duhet që këto të dyja të vendosen në kontakt mes tyre, që nga një kombinim potencial, tek individi të lindë nxitja për ndryshim e zhvillim (potencialisht, sepse edhe nëse vendosen në kontakt, përpos kësaj do të duhet edhe forcë e madhe imagjinate, vullneti dhe empatie).

Ky kontakt i gjallë mes brengës dhe vetëvlerësimit, realizohet vetëm përmes ripërtëritjes së vetëdijes së individëve se janë pjesë e njerëzimit (llojit), vetëdije e cila historikisht është mbajtur gjallë nga dy praktika universale transhenduese: Profecia dhe Filozofia (edhe veçeveç, por sidomos së bashku).

Kur individi natyralisht i pajisur me brengë nga natyra njerëzore dhe me vetëbesim nga grupi, bie në kontakt me profecinë dhe filozofinë, atëherë, siç thamë, nëse zotëron dhunti të jashtëzakonshme si imagjinata, empatia dhe vullneti, ja se ku sesi, më të rrallë, vegon e vetmja mundësi për ndryshim dhe zhvillim: ky individ i kthehet me këtë vegim grupit për ta ndryshuar atë  me mundësinë më të madhe të mos ia dalë dhe grupi të mos ndryshojë. Por dashuria pa kushte që ka grupi ndaj tij, është në favor të individit dhe nëpërmjet saj ai mund edhe t’ia dalë që këtë vizion t’ia përbrendësojë grupit duke e ndryshuar atë.

Nëse kjo gjë kaq e rrallë më në fund ndodh, sërish mundësia më e madhe është për dështim: ky grup do të duhet që vizionin e vet për zhvillim t’ia paraqesë shoqërisë dhe të këmbëngulë vetiu që edhe e gjithë shoqëria vuan nga i njëjti moszhvillim dhe mund të shpëtojë po me këtë vizion. Shoqëria mund ta bëjë të vetin ose jo vizionin e ofruar nga ky grup i saj i shpërndërruar, por sido të zgjedhë duhet të dijë se rrugë tjetër për zhvillim për shoqërinë nuk ka përveç se përmes ndryshimit të njërit prej grupeve që e përbëjnë. (Po ashtu, grupi duhet ta dijë se mundësi tjetër për zhvillim për të, nuk ka përveç se përmes vizionit dhe tensionit që i ofron njëri prej të vetëve).

II.

Do mundohemi të tregojmë në vazhdim që gjithë çfarë thamë më lart konfirmohet nga Metoda e Profecisë.

Të gjithë profetët kanë qenë vetëm (çdo profet ka qenë i vetëm), pra ka qenë i paracaktuar ta mbajë i vetëm barrën më të rëndë të mundshme: të ndryshojë gjendjen e popullit të vet përmes ndreqjes dhe përmirësimit të marrëdhënies me Zotin.

Kjo do të thotë që ritmi i shpalljes së mesazhit duhet t’i përmbahet kohëzgjatjes së një jete njerëzore, gjë që përjashton që shpallja të përmbushet vetëm me metodën individuale (sikur asgjë tjetër, ritmi i kësaj metode e përjashton suksesin brenda një jete njerëzore). Që ta realizojë misionin brenda jetës së vet, duhet pra që Profeti të vertikalizojë mesazhin, pra t’ia drejtojë parisë, për ta shndërruar në çështje të të gjithë shoqërisë.

Por po ashtu kjo do të thotë një gjë shumë të rëndësishme, ai nuk ka se me kë e bashkëndan përgjegjësinë e tij, kështu që të gjithë përvojat e tij janë ekstreme, në njëfarë mënyre të pakthyeshme. E thënë ndryshe Ai nuk ka mundësi të zgjedhë: kur i jepet mundësia të zgjedhë një jetë më të lehtë ai e refuzon atë, sepse të qenët i vetëm në përgjegjësinë e mesazhit dhe njëherazi një jetë me përvoja të parashikueshme, do të nënkuptonte që barra e vështirësisë t’u binte të tjerëve, bashkëpunëtorëve të Tij dhe kjo nuk është më e mira e Misionit Profetik. Një profet është i vetëdijshëm që nuk është i vetëm përkohësisht, vetëm në fillim të Misionit të Tij, por është përgjithmonë i vetëm, jeta e tij duhet të jetë dëshmi e përkryer se Atij i mjafton vetëm Zoti.

Çdo profet ka qenë pjesë e  shoqërisë që i është drejtuar dhe ka këmbëngulur ta theksojë këtë përkatësi, që në thelb do të thotë që fati i profetit dhe fati i popullit të tij janë të bashkëlidhur; që e mira e tij nuk mund të jetë e mundshme pa të mirën e popullit të vet;  dhe sidomos që e mira e popullit të tij nuk mund të jetë e mundshme pa Të, (populli i tij nuk ka mundësi tjetër përmirësimi dhe zhvillimi, përveçse përmes ndjekjes së Profetit).

Ky ligj i Zotit për t’i zgjedhur profetët nga populli i vet, do të thotë që tek ai në mënyrë të natyrshme të ketë dashuri për ata të cilët i drejtohet.

Po ashtu do të thotë që në mënyrë të natyrshme ai të njohë themelet ekzistuese botëkuptimore, ideologjike dhe kulturore të shoqërisë së cilës i drejtohet.

Po ashtu do të thotë që në mënyrë të natyrshme Ai të ketë dobi nga një mori amortizatorësh dhe një mori mundësish për negocim para se shoqëria të kërkojë ta asgjësojë (pa këto amortizatorë asgjësimi do të ishte zgjidhja më e shpejtë dhe më efikase për shoqërinë, në përputhje me natyrën e saj mosndryshuese). (Një profet i huaj, i ardhur nga jashtë popullit, do të ishte një profet pa grup dhe për pasojë pa këto mundësi amortizimi dhe negociimi, mundësi që rezultojnë të jenë jetike për të mundësuar fuqizimin e Mesazhit Profetik.)

Po ashtu do të thotë një gjë tjetër shumë të rëndësishme: duke e njohur me themel shoqërinë të cilës i duhet ta ndryshojë duke e edukuar me sjellje të përsosura ndaj Zotit, duke e njohur soliditetin e konsoliduar të zakoneve dhe institucioneve dhe hierarkinë përkatëse sociale shenjtëruar nga ky konsolidim, ai nuk mund të ketë asnjë iluzion paraprak mbi shkallën e vështirësisë së punës që ka nisur: Ai e di që gjendet në kufijtë e të pamundurës. E vetmja siguri që ka është mbështetja e Zotit, por kush më mirë se ai e di që kjo mbështetje nuk është pa kushte (ose më saktë vjen gjithmonë me një kusht: sinqeritetin). Duke patur vetëdijen e Misionit më të vështirë të mundshëm për një qenie njerëzore dhe vetëdijen e mbështetjes së Zotit, vetëm kështu ai mund të sprovojë deri në limit vërtetësinë dhe sinqeritetin në Misionin që ka marrë përsipër. (E thënë ndryshe, megjithëse për mbështetjen e Zotit Ai është i sigurtë, Ai nuk mund të jetë i sigurtë për suksesin e Misionit, gjë që do ta shtyjë të kërkojë nga vetja më tepër sinqeritet, më tepër dorëzim, siç e thamë edhe njëherë më lart: një jetë me përvoja në limit, është e pashmangshme për Të, bën pjesë në natyrën e gjërave).

III.

Gjithë sa thamë për kushtet dhe standardet e përmbushjes së Profecisë, do të duhet të merret në konsideratë nga çfarëdolloj sociologjie e ndryshimit. Pra, cilido musliman që bëhet i vetëdijshëm që para tij qëndron detyrimi që të ndryshojë gjendjen e shoqërisë ku bën pjesë, përpos qartësisë në njohjen e dijes fetare dhe njohjes së dijes mondane, përpos qartësisë në demonstrimin e epërsisë së dijes fetare mbi dijen mondane dhe përpos autoritetit dhe legjitimitetit që mund t’i ketë paraprakisht apo do të duhet t’i fitojë me çdo kusht rrugës, duhet të marrë parasysh edhe çfarë sa thamë po e përsëritim:

-ai do të jetë i vetëm në fillim, por ka shumë mundësi që të kuptojë se kjo vetmi është përfundimtare: të ndryshosh një shoqëri është një Mision që paguhet me këtë çmim.

-ai duhet ta dijë se nuk e ka luksin e kohës: një ndërmarrje kaq e madhe duhet të realizohet brenda caqeve të të qenit aktive të një jete njerëzore, që do të thotë brenda një brezi.

– ai duhet ta dijë se jo vetëm në fillim, por nuk përjashtohet mundësia që edhe në vazhdim edhe në fund të mos ketë askënd me kë të ndajë përgjegjësinë, përderisa programi i ndryshimit mund të ketë qenë i gjithi vizion i tij.

-ai duhet të jetë i vetëdijshëm që fati i tij dhe i njerëzve të tij të afërt dhe i grupit të tij varet nga fati i mbarë shoqërisë: nëse shoqëria si e tërë nuk zhvillohet dhe njerëzit e tij dhe grupi i tij nuk do të zhvillohen.

– nga ku po ashtu ai duhet të dijë se që t’ia dalë në përpjekjen e vet duhet ta dojë popullin e tij.

– dhe bashkëlidhur me këtë duhet ta ndjejë veten përgjegjës jo vetëm për njerëzit e vet dhe as vetëm për grupin e tij, por për të gjithë shoqërinë.

– ai gjithashtu duhet ta dijë se nuk mund të presë që suksesi i punës së tij të matet me njerëzit që i afrohen vetë duke qenë të prirur paraprakisht për ndryshim, por ky sukses përcaktohet thelbësisht nga fakti që do të duhet ai vetë i pari t’u drejtohet njerëzve për nevojën e ndryshimit, edhe atyre që as nuk e ndjejnë këtë nevojë; për pasojë duhet të jetë i përgatitur për t’u përballur edhe me armiqësinë e tyre.

– ai duhet të besojë që Zoti si shenjë të mbështetjes së tij për vetmitarët që ndërmarrin këtë përpjekje ekstreme, ka vendosur për ndryshimin ligjësi të përgjithshme paraprake, siç janë amortizatorët ruajtës socio-kulturorë: amortizatorë si fisi, grupi, lidhjet simbolike-konvencionale, aleancat e papritura konjukturale, zakone dhe shprehi psiko-sociale.

-dhe po ashtu, të besojë që siç ka përcaktuar shkaqe të tillë që nuk varen nga personi, Zoti ka përcaktuar si ligjësi edhe diçka thelbësore që varet vetëm prej personit: pasi të njohë me saktësi Metodën Profetike dhe ta ndjekë atë me gjithë vështirësitë e pambarimta, ka vetëm një kusht të përhershëm për të cilin sado të përpiqet asnjëherë nuk do të jetë i sigurt se ia doli: sinqeritetin, Zoti nuk e humbet një punë ku ka sinqeritet, edhe sikur ajo punë të duket e pamundshme.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit