4.5 C
Pristina
Tuesday, November 26, 2024

Cilat janë kohët e pesë namazeve ditore?

Më të lexuarat

Pyetja:

Cilat janë kohët e pesë namazeve ditore? Cila është urtësia pas ndarjes së këtyre kohëve për namaz? Cila është koha e domosdoshmërisë (wakt ad-darurah)? Si mund të llogarisim kur ka kaluar gjysma e natës?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Allahu i ka urdhëruar robërit e Tij pesë namaze gjatë ditës dhe natës në kohë të caktuara nga urtësia e Allahut, në mënyrë që robi të jetë në kontakt me Zotin e tij në këto namaze gjatë gjithë këtyre kohëve. Ato janë për zemrën, si uji për një pemë që i jepet herë pas here, jo të gjitha me një lëvizje dhe pastaj ndalet.

Një pjesë e urtësisë pas kryerjes së namazeve në këto kohë është që njerëzit të mos mërziten ose ta kenë shumë të vështirë, gjë që do të ndodhte nëse të gjitha do të duhej të kryheshin menjëherë. I bekuar qoftë Allahu, më i Urti ndër gjykatësit. ((Nga hyrja në ‘Ese mbi rregullat e kohëve të namazit’ nga Shejh ibn Uthejmin).

  • Kohët e pesë namazeve ditore

Kohët e namazit janë përmendur nga Pejgamberi ﷺ në hadithin: “Koha e namazit të drekës është nga koha kur dielli ka kaluar kulmin e tij dhe hija e njeriut është e barabartë në gjatësi me lartësinë e tij, derisa të vijë koha e ikindisë. Koha e ikindisë zgjat derisa dielli të zverdhet. Koha e akshamit zgjat derisa muzgu është zbehur. Koha për jaci zgjat deri në mesnatë. Koha e namazit të sabahut zgjat nga fillimi i agimit përderisa dielli ende nuk ka filluar të lindë. Kur dielli të fillojë të lindë, atëherë mos falni namazin, sepse ai lind mes dy brirëve të shejtanit.” [1]

Ky hadith shpjegon kohën e pesë namazeve ditore. Sa i përket përcaktimit të tyre sipas orës, kjo ndryshon nga një qytet apo vend në tjetrin. Ne do ta përcaktojmë secilën në më shumë detaje si më poshtë:

  • Koha e namazit të drekës

Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha e namazit të drekës është nga momenti kur dielli ka kaluar zenitin e tij dhe hija e njeriut është e barabartë në gjatësi me lartësinë e tij (kjo është koha e fundit), deri në kohën e namazit të ikindisë.” Pra, Profeti ﷺ përcaktoi fillimin dhe fundin e kohës për namazin e drekës:

Fillimi i kohës për namazin e drekës është kur dielli ka kaluar zenitin e tij, d.m.th., ka kaluar pjesën më të lartë të qiellit dhe ka filluar të zbresë drejt perëndimit.

  • Mënyra praktike për të ditur se kur ka kaluar zeniti (dhe ka filluar koha për namazin e drekës):

Vendosni një shkop ose shtyllë në një vend të hapur. Kur dielli të lindë në lindje, hija e këtij shkopi do të bjerë drejt perëndimit. Sa më lartë të ngjitet dielli, aq më e shkurtër do të bëhet hija. Për sa kohë që vazhdon të shkurtohet hija, dielli nuk e ka arritur ende zenitin e tij. Hija do të vazhdojë të shkurtohet derisa të arrijë një pikë të caktuar, pastaj do të fillojë të rritet, duke rënë në drejtim të lindjes. Kur rritet edhe për një sasi të vogël, atëherë dielli e ka kaluar zenitin e tij. Në atë moment ka filluar koha për namazin e drekës.

Njohja e orës së zenitit sipas orës: ndajeni kohën ndërmjet lindjes së diellit dhe perëndimit të diellit përgjysmë, dhe kjo është koha e zenitit. Nëse supozojmë se dielli lind në orën 6 të mëngjesit dhe perëndon në orën 18:00, atëherë zeniti është në orën 12 pasdite. Nëse ngrihet në orën 7 të mëngjesit dhe perëndon në orën 19:00, atëherë zeniti është në orën 13:00, e kështu me radhë. [2]

Fundi i kohës për namazin e drekës është kur hija e çdo gjëje është e barabartë në gjatësi me vetë objektin, plus gjatësinë e hijes së objektit në kohën e zenitit.

  • Mënyra praktike për të ditur se kur ka përfunduar koha për namazin e drekës

Kthehuni te shkopi ose shtylla që përshkruam më lart. Le të supozojmë se gjatësia e tij është një metër. Do të vërejmë se para se dielli të arrin zenitin e tij, hija zvogëlohej gradualisht derisa të arrin te një pikë e caktuar (shënojeni këtë pikë), pastaj fillon të rritet, me ç’rast filloi koha për namazin e drekës. Hija do të vazhdojë të rritet, duke rënë në drejtim të lindjes derisa gjatësia e hijes të jetë e barabartë me gjatësinë e vetë objektit, (d.m.th., do të jetë e gjatë një metër, duke filluar nga pika e shënuar në zenit). Sa i përket hijes para shenjës, kjo nuk llogaritet dhe quhet faj’ul-zewaal (hija e zenitit). Në këtë pikë mbaron koha e namazit të drekës dhe koha e ikindisë fillon menjëherë.

Profeti ﷺ ka thënë: “Koha e ikindisë zgjat derisa dielli të zverdhet”.

Ne e dimë se koha e ikindisë fillon kur mbaron koha e namazit të drekës, d.m.th., kur gjatësia e hijes së një objekti bëhet e barabartë me gjatësinë e vetë objektit. Ka dy kohë për përfundimin e ikindisë.

Koha e preferuar: Kjo zgjat nga fillimi i ikindisë derisa dielli fillon të zverdhet, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Koha e ikindisë zgjat derisa dielli të zverdhet..”
Përcaktimi i kësaj kohe sipas orës ndryshon sipas stinës.
Koha e domosdoshmërisë: Kjo zgjat nga koha kur dielli zverdhet deri në perëndim të diellit, sepse Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush arrin një rekat të ikindisë para se të perëndojë dielli, ai ka arritur ikindinë. ” [3]

  • Çfarë nënkuptohet me kohën e domosdoshmërisë?

Domosdoshmëria këtu i referohet kur një personi shpërqendrohet nga falja e ikindisë nga ndonjë punë thelbësore dhe e pashmangshme, siç është mbulimi i plagëve, dhe ai mund të falet para se dielli të zverdhet, por është e vështirë, atëherë ai falet pak para perëndimit të diellit. Në këtë rast ai është falur me kohë dhe nuk ka bërë mëkat, sepse kjo është koha e domosdoshmërisë. Nëse njeriu detyrohet ta vonojë namazin, nuk ka mëkat përderisa falet para se të perëndojë dielli.

Profeti ﷺ ka thënë: “Koha e akshamit zgjat derisa të zbehet muzgu”, dmth. koha e akshamit fillon menjëherë pasi mbaron koha e ikindisë, që është kur perëndon dielli. Derisa muzgu ose shkëlqimi i pasëm i kuq në qiell është zbehur. Kur ngjyra e kuqe të jetë zhdukur nga qielli, mbaron koha e akshamit dhe fillon koha e jacisë. Përcaktimi i kësaj kohe sipas orës ndryshon sipas stinës. Kur sheh se ngjyra e kuqe e pasme është zhdukur nga horizonti, kjo është një shenjë se koha e akshamit ka përfunduar.

Profeti ﷺ ka thënë: “Koha e jacisë zgjat deri në mesnatë”.
Pra, koha për jaci fillon menjëherë pasi mbaron koha e akshamit (d.m.th., kur ngjyra e kuqe e pasme zhduket nga qielli) deri në mesnatë.

  • Si të llogarisim kur është mesnata?

Nëse dëshironi të llogarisni se kur është mesnata, atëherë llogaritni kohën ndërmjet perëndimit të diellit dhe fillimi i saktë i agimit (kur fillon sabahu) pastaj ndajeni atë përgjysmë; pika/koha që i bie në mes (këtyre dyjave) është fundi i kohës për namazin e jacisë (dhe kjo është mesnata).

Pra, nëse dielli perëndon në 5 pasdite, dhe sabahu fillon në 5 të mëngjesit, atëherë mesnata është 23:00. Nëse dielli perëndon në orën 17:00 dhe sabahu fillon në 6 të mëngjesit, pastaj mesnata është 23:30, e kështu me radhë.

Profeti ﷺ ka thënë: “Koha e namazit të sabahut zgjat që nga fillimi i agimit përderisa dielli ende nuk ka filluar të lindë. Kur dielli të fillojë të lindë, atëherë mos falni namazin, sepse ai lind mes dy brirëve të shejtanit.”

Koha e sabahut fillon me fillimin e “agimit të dytë” (El-faxhr al-thani) dhe përfundon kur dielli fillon të lindë. “Agimi i dytë” është shkëlqimi që shfaqet përgjatë horizontit në lindje dhe shtrihet nga veriu në jug. “Agimi i parë” (El-fajr al-evwal) ndodh afërsisht një orë para kësaj, dhe ka dallime midis të dyjave:

  1. Në “agimin e parë” shkëlqimi shtrihet nga lindja në perëndim, dhe në “agimin e dytë” shtrihet nga veriu në jug.
  2. “Agimi i parë” pasohet nga errësira, d.m.th., shkëlqimi zgjat për një periudhë të shkurtër dhe pastaj errësohet. “Agimi i dytë” nuk pasohet nga errësira, por drita rritet.
  3. “Agimi i dytë” është i lidhur me horizontin, pa errësirë mes tij dhe horizontit, ndërsa “agimi i parë” është i ndarë nga horizonti me errësirë mes tij dhe horizontit. [4]

Allahu e di më së miri.

Shejh Muhamed Salih El-Munexhid

Marr nga: islamqa.com

———————————————–

[1] Muslimi, 612.

[2] Shih el-Sherh el-Mumti’, 2/96.

[3] Buhariu, 579; Muslimi, 608.

[4] Shih Sherh el-Mumti’, 2/107.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit