CENTCOM theksoi se ky ishte rasti i tretë këtë javë kur një anije tregtare u nxor jashtë funksionit nga forcat amerikane
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka bërë të ditur se forcat amerikane neutralizuan një cisternë nafte në Gjirin e Omanit pasi anija dyshohet se kishte shkelur bllokadën e vazhdueshme ndaj Iranit duke u “përpjekur të transportonte naftë iraniane”, transmeton Anadolu.
CENTCOM-i theksoi se ky ishte rasti i tretë këtë javë kur një anije tregtare u nxor jashtë funksionit nga forcat amerikane.
“Forcat e SHBA-së ndërmorën veprime kundër anijes ‘M/T Jalveer’ me flamur të Guinea-Bissaut, teksa ajo përpiqej të transportonte naftë nga Irani përmes Gjirit të Omanit. Një avion amerikan lëshoi dy raketa ‘Hellfire’ në dhomën e motorëve të anijes pasi ekuipazhi dështoi në mënyrë të përsëritur të zbatojë udhëzimet e forcave amerikane”, tha CENTCOM në rrjetin social amerikan X.
Në fillim të kësaj jave, CENTCOM-i tha se avionët amerikanë neutralizuan cisternat ‘M/T Marivex’ me flamur të Palaut dhe M/T Settebello. Sipas tij, “Marivex” u godit pasi tentoi të thyente bllokadën duke u drejtuar drejt një porti iranian ndërsa “Settebello” u neutralizua pasi po përpiqej të transportonte naftë iraniane.
“Që nga vendosja e bllokadës më 13 prill, forcat e CENTCOM-it kanë neutralizuar nëntë anije që nuk respektuan urdhrat, kanë ridrejtuar 135 anije që iu bindën udhëzimeve dhe kanë lejuar kalimin e 42 anijeve që mbështesnin ndihmën humanitare”, thuhet më tej.
Sot më herët, India raportoi incidentin e fundit që përfshinte anijen “M/T Jalveer” pranë Omanit, e cila kishte në bord 20 marinarë indianë dhe të gjithë u raportuan të sigurt.
