0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Mosha e mesme, krizë apo mirësi

Më të lexuarat

Nga: Dr Xhasim El-mutava

Mosha e mesme, krizë apo mirësi

Më kanë ardhur shumë raste, ku njerëz të shumtë ankohen për ndryshimin e humorit, ndryshimin e shijeve dhe roleve në jetë, me të mbushur moshën dyzet vjeçare. Kur unë filloj u flas lidhur me ndryshimet që pësojnë, ata më thonë:”Është pikërisht kjo ajo që po na ndodh dhe neve.”
Këto janë ndryshime dhe ndjesi që u ndodhin shumicës së njerëzve që arrijnë këtë moshë. Ekspertët e njohin si krizën e moshës së mesme, ndërkohë që Kurani fisnik e quan “faza e mirënjohjes”.
Para disa kohësh, më vjen një burrë dhe filloi të më rrëfejë ndryshimet që kishte pësuar. Unë i thashë:”Më dëgjo mua!” dhe fillova ti përshkruaj se çfarë ndjen. I thashë se ndihet i dëshpëruar nga kjo jetë, se nuk është i kënaqur me të shoqen dhe fëmijët, por as me vendin e punës, ndonjëherë nuk ndihet i kënaqur as me veten dhe trupin. Ai më pa në sy dhe më tha:”Pikërisht, kjo është ajo që po më ndodh. Si e dije akoma pa ta thënë?!”
Unë i thashë:”Më lejo ta përfundoj fjalën! Ajo që ndjen ndonjëherë është se ndihesh sikur je plakur.”
“Po, ka një vit që ashtu ndihem vërtet. Kjo, edhe pse jam vetëm dyzet e dy vjeç.” më tha dhe shtoi:”Por më e çuditshmja është se edhe ime shoqe përjeton të njëjtat ndjenja. Ajo është 38 vjeçe dhe ka filluar të shpenzojë para duke blerë gjëra të panevojshme.”
Unë i thashë:”Ta besoj. Në këtë stad moshor, si burri dhe gruaja, përjetojnë të njëjtat ndjesi, duan të shpenzojnë para, blejnë gjëra që i bëjnë të ndihen më të rinj si blerja e një makine garash, një biçiklete sportive, veshje të rinjsh, dëshirë e parezistueshme për të ndryshuar stilin e jetës por pa ditur si . Ndonjëherë kjo gjendje shoqërohet me stres, depresion, pagjumësi, dëshpërim etj… Disa njerëz përjetojnë një dëshirë të flaktë për të lënë diçka pas, u vijnë ndërmend kujtimet e vjetra, lexojnë libra të historisë së shkuar dhe kjo ua shton nostalgjinë për kohët e vjetra. Të gjitha këto, janë shenja të këtij stadi moshor.”
Ai më tha:”Veç të tjerave, unë kam dhe mungesë gjumi, ndihem shumë energjik dhe aktiv. Sakaq, ime shoqe fle më shumë gjumë dhe ankohet se ka pak shoqe.”
I thashë se kjo ka lidhje me ndryshimet hormonale të këtij stadi moshor, ndoshta për shkak të ndryshimit të stilit të jetës, apo sepse nuk ka me çfarë të merret. Mund të jetë dhe një ngjarje e rëndë, si vdekja e njërit prind apo të dyve. Nuk kam përse ta fsheh, por mes moshës njëzet dhe dyzet vjeçare, njeriu është i angazhuar me jetën bashkëshortore, fëmijët, shkollën dhe punën. Me rritjen e fëmijëve, ai i ka përmbushur shumë nga qëllimet e tij në jetë dhe ka siguruar të ardhmen e familjes. Kështu, në moshën dyzet vjeçare, fillon e ndjen një farë vakumi dhe boshllëku të cilin nuk di si ta mbushë, prandaj dhe e merr malli për të shkuarën dhe jetën me shokë.
Ai ndërhyri dhe tha:”Mirë, po si i bëhet? Çfarë duhet të bëj që ta kapërcej këtë fazë?”
I thashë:”Duhen ndjekur disa hapa të shëndetshëm, disa kanë të bëjnë me planet për të ardhmen dhe të tjerët lidhen me besimin. Fillimisht, duhet të bësh një analizë të hormoneve, që të sigurohesh për shëndetin, të ndjekësh një program sportiv dhe një stil jete të shëndetshëm. Lidhur me planifikimin, duhet të hedhësh në letër disa objektiva që dëshiron ti realizosh në jetë, sociale qofshin, shkencore, shëndetësore apo fetare. E rëndësishme është të kesh objektiva, të mendosh rreth tyre dhe të planifikosh. Veç kësaj, duhet të kesh një projekt, i cili shtrihet edhe pas vdekjes tënde, që të shërbejë si një sadaka rrjedhëse. Gjatë kësaj faze vlen të kesh kontakte me miqtë dhe shokët e vjetër, por edhe të  bësh shoqëri të re, pasi ata janë një mbështetje e fuqishme dhe ngushëllim i madh në jetë. Përpiqu të qëndrosh disa çaste me veten tënde, pasi komunikimi dhe reflektimi me veten në këtë stad është shumë i rëndësishëm. Meditimi të ndihmon në organizimin e kohës dhe të motivon për punë të mira. Kurani e cek këtë stad moshor dhe thotë:” kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: “O Zoti im! Më frymëzo që të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ty kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!”. (Ahkaf, 15)
Siç thamë dhe më lart, këtë stad moshor, Kurani e emërton si “stadi i mirënjohjes” dhe jo krizë, pasi ai është një mirësi dhe jo krizë. Kjo fazë ka nevojë për të qenë mirënjohës me Zotin, pasi njeriu përfshihet nga frikëra të shumta, si frika nga vdekja, sëmundja, pleqëria, humbja e vëmendjes nga të tjerët, frika nga mos përmbushja e qëllimeve etj… Prandaj dhe ai ndihet konfuz, ndonjëherë mendon të divorcohet nga e shoqja/i shoqi, dëshiron të martohet me një të dytë dhe të veprojë gjëra të turpshme. Prandaj, nëse dikush ka hyrë në këtë moshë, lipset ta menaxhojë me urtësi dhe të përdorë ilaçet e ofruar nga Kurani “durimi, mirënjohja, pendimi dhe lutjet”, të cilat përbëjnë terapinë uranore të kësaj faze dhe ndjesish normale tek çdo njeri.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit