Nga: Xhasim Mutava
Jusufi a.s dhe aroma e fëmijës
Hyrje
Është provuar dhe shkencërisht që çdo njeri ka një erë të ndryshme dhe të dallueshme nga të tjerët. Vetë historia e Jakubit a.s me këmishën e djalit të tij Jusufit a.s, mbi të cilën do të flasim më poshtë, e vërteton diçka të tillë.
Jakubi a.s, e kuptoi që djali i tij është akoma gjallë, me të ndjerë erën e këmishës së tij.
Shumë njerëz mendojnë se e kanë të pamundur t’a dallojnë njeriun nëpërmjet ere, por prindërit mund t’a dallojnë erën e fëmijëve, nëse kanë qenë të afërt me ta dhe i kanë mirëedukuar.
Puthja e fëmijëve, përqafimi dhe marrja erë, kanë disa dobi edukative dhe përcjellin mesazhe emocionale të rëndësishme. Për këtë, do të flasim në rrjeshtat në vazhdim.
Përmbledhja dhe dobitë edukative të historisë
Kur djemtë e Jakubit a.s u kthyen për herë të dytë nga Egjypti dhe i treguan se Benjamini kishte vjedhur dhe se ishte mbajtur peng në Egjypt, kjo e shqetësoi shumë Jakubin a.s. Qëndrimin e Jakubit a.s e përshkruan Kurani famëlartë ku thotë:” U largua prej tyre dhe tha: “O i mjeri unë për Jusufin!” Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit dhe ishte plot zemërim.” (Jusuf, 84)
Ai u mbyll në vetvete dhe filloi t’i qante hallet Zotit.
“(Jakubi) tha: “Unë dhimbjen time dhe pikëllimin tim ia paraqes vetëm Allahut”. (Jusuf, 86)
Në fjalët e tij gjejmë dhe:” “O i mjeri unë për Jusufin!” Kjo, edhe pse në ato çaste ai kishte marrë lajmin e humbjes së Benjaminit. Jusufi a.s kishte humbur para njëzet vitesh. Kjo tregon edhe një herë dashurinë dhe vendin që zinte Jusufi a.s në jetën e Jakubit a.s. Ajo që ia shtonte më shumë dhimbjen për humbjen e Jusufit a.s, ishte ndjenja që fëmijët e tij e kishin gënjyer mbi arsyen e vërtetë. Veç kësaj, Benjamini dhe Jusufi a.s ishin vëllezër të një nëne dhe prezenca e Benjaminit ishte ngushëlluese pas humbjes së Jusufit a.s. Duke humbur dhe Benjaminin, i dukej sikur ka humbur Jusufin a.s dy herë. Humbja e Jusufit a.s, u bë shkak i një sërë fatkeqësish dhe vuajtjesh të mëpasshme. Për këtë, ai rënkoi duke përmendur emrin e Jusufit a.s, kur dëgjoi humbjen e Benjaminit.
Nga zemërata dhe të qarët e shumtë, Jakubit a.s iu zbardhën dhe sytë dhe humbi shikimin. “Sytë i ishin zbardhur prej pikëllimit”
Pikëllimi është në ndjenjë zemërimi të cilën njeriu nuk mund t’a mposhtë. Është pikërisht ajo që i ndodhi profetit Muhamed a.s kur i vdiq djali i tij Ibrahimi. Tregon Enes ibnu Malik:”Hyra me të dërguarin e Zotit a.s në dhomën ku ndodhej Ebu Sejf El-kajn, burri i mëndeshës së Ibrahimit. Profeti a.s e mori Ibrahimin, e puthi dhe i mori erë. Më pas u kthyem sërish dhe e gjetëm Ibrahimin duke dhënë shpirt. Profetit a.s filluan t’i rrjedhin lotë. Abdurahman ibnu Aufi e pyeti:”Edhe ti o i dërguar i Zotit?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Kjo është mëshirë.”
Abdurahmani e pyeti sërish:”Edhe ti o i dërguar i Zotit?!”
Profeti a.s iu përgjigj:”Syri loton, zemra pikëllohet por nuk themi veçse fjalë që kënaqin Zotin. Vdekja jote o Ibrahim na ka pikëlluar.” (Buhari 1/439, hadithi nr 1241)
Pasi Jusufi a.s u prezantua me vëllezërit e tij, i pyeti mbi babanë. Ata i treguan se babai kishte humbur shikimin. Jusufi a.s hoqi këmishin që kishte veshur dhe u tha:”Shkoni me këtë këmishë timen dhe vëreni në fytyrën e atit tim e ai do të shohë.” (Jusuf, 93)
Kjo këmishë të cilën Jusufi a.s e kishte veshur deri në atë çast dhe që kishte erën e trupit të tij, do i kthente shikimin Jakubit a.s.
Rreth kthimit të shikimit të Jakubit a.s, thotë komentuesi i Kuranit, El-Alusij:”Me këtë rast, mund të thuhet se Jusufi a.s e dinte brengën e babait të tij dhe se shikimin nuk ia kishte marrë veçse pikëillimi i madh, të qarët dhe hidhërimi. Duke i hedhur këmishën syve dhe duke ndjerë erën e trupit të Jusufit a.s, padyshim që do i lehtësohej dhimbja, do i gëzohej zemra dhe do i kthehej shpresa. Kjo do të ndikonte drejtpërdrejt në përmirësimin gjendjes shpirtërore dhe më pas në kthimin e shikimit.” (Ruhul Meani 13/52)
Gjatë rrugës, teksa karvani afrohej me vëllezërit që mbanin në dorë këmishën e Jusufit a.s i afrohej shtëpisë, Jakubi a.s i drejtohet familjarëve me fjalët:”Unë, me të vërtetë, po ndiej erën e Jusufit, ndonëse ju mund të më quani matuf ”. (Jusuf, 94)
Me gjithë distancën e largët mes Jakubit a.s dhe karvanit që mbante këmishën e Jusufit a.s, ai e ndiente erën e të birit. Kjo ishte një ndër mrekullitë me të cilën e nderoi Zoti Jakubin a.s. (Fet’hul Kadir 3/76)
Jusufi a.s qëndroi larg babait të tij për njëzet e dy vite.
Rreth ajetit:”Kur erdhi sjellësi i lajmit të mirë dhe ia vuri këmishën në fytyrë, atij iu kthye shikimi.” (Jusuf, 96) thotë komentuesit e Kuranit:”Thuhet që vëllai më i madh, që quhej Jehudha, ishte ai qw ia hodhi këmishën e Jusufit syve. Gjithashtu thuhet se ai i ka thënë Jusufit a.s:”Isha unë ai që ia dërgova babait këmishën tënde me gjak të rremë dhe e hidhërova. Do jem unë ai që do ia dergoj këmishën tënde, me qëllim që t’a gëzoj dhe t’i kthehet shikimi.” (El-tahrir ve Tenvir 1/2212)
Menjëherë pasi Jakubi a.s i mori erë këmishës së Jusufit a.s, iu kthye shikimi, sipas urdhërit dhe vullnetit të Zotit.
Era e fëmijëve tanë
Është në natyrën e njeriut që t’a pëlqejë erën dhe aromën e mirë dhe t’a urrejë të keqen. Për këtë, Islami i kushton një rëndësi të veçantë pastërtisë trupore dhe parfumosjes. Islami e nxit individin dhe e stimulon drejt natyrës së pastër, prerjes së thonjve, shkurtimit të mustaqeve, larjen e trupit etj…
Shkencëtarët kanë zbuluar se çdo njeri ka një erë të veçantë që e dallon nga të tjerët. Qentë kanë aftësi të rralla nuhatjeje, sidomos nëse janë edhe të stërvitur. Me të nuhatur një copë nga veshjet e një personi, qeni fillon të ndjekë gjurmët dhe erën që ka lënë pas ai person.
Shkencëtarët sot kanë zbuluar se kraharori i nënës ka një erë të veçantë, të cilën e dallon foshnja menjëherë. Për këtë, foshnja ndjejet i qetë dhe paqësor kur pin qumësht. Nëse foshnjës i ofrohet të pijë qumësht nga gjiri i një nëne tjetër, ai zakonosht fillon të qajë dhe mund të refuzojë të pijë qumësht. I madhëruar dhe i pa të meta është Zoti, Krijuesi i gjithçkaje!
Një nënë që i puth vazhdimisht fëmijët, i përqafon, i përkëdhel dhe i mban në prehër, fillon t’i dallojë fëmijët nga era edhe nëse nuk i sheh.
Kështu, që në vegjëli, fëmija fillon të ketë erën e tij të trupit që e dallon nga të tjerët. Nëse prindërit u qëndrojnë pranë, i duan, i përkëdhelin dhe përqafojnë, do të arrijnë t’a dallojnë erën e tyre.
Përqafimi përcjell mesazhe të shumtë edukativë
Sipas ligjeve të edukimit modern, përqafimi, prekja, puthja dhe lojrat me fëmijë, janë mjetet më të rëndësishme për t’i përcjellë fëmijës dashurinë, emocionet, dhembshurinë dhe intimitetin. Pas kësaj, vijnë bisedat e lira, dialogu dhe debati. Më pas vjen sigurimi i nevojave jetësore si ushqimi, pirja, lodrat dhe mjetet shkollore.
Një prind që e puth fëmijën, i merr erë dhe e përkëdhel, i përcjell atij disa mesazhe të rëndësishme në jetën e fëmijës. Këto mesazhe janë:
Për fëmijën:
Mesazhi i parë: Ti o biri/bija im/e je shumë i dashur.
Mesazhi i dytë: Mua më pëlqen era jote sido qoftë ajo.
Mesazhi i tretë: Unë jam shumë i afërt me ty dhe më pëlqen të jem gjithmonë pranë teje.
Mesazhi i katërt: Nëse jam larg teje, qoftë dhe për një moment të shkurtër, era e trupit tënd më shoqëron dhe më sjell ndërmend lëvizjet e tua.
Mesazhi i pestë: Mua më ke përkrah o biri/bija im kurdo të kesh nevojë. Prandaj mos u shqetëso!
Mesazhi i gjashtë: Mua më intereson era e trupit tënd dhe dua që ajo të jetë gjithmonë e këndshme dhe treguese e pastërtisë tënde.
Për të afërmit dhe miqtë:
Mesazhi i parë: Unë jam shumë i dhënë dhe i përkushtuar pas djalit/vajzës tim/e.
Mesazhi i dytë: Mua më pëlqen të nuhas erën e tij, sido që të jetë.
Mesazhi i tretë: Dashuria ime për të nuk përshkruhet, as me fjalë dhe as me vepra.
Mesazhi i katërt: Dua që ai t’a ndjejë se mund të mbështetet tek unë.
Katastrofë edukative
Një kategori prindërish janë shumë të angazhuar me punë dhe aktivitete të ndryshme dhe i kanë injoruar kërkesat dhe nevojat e fëmijëve. Disa nga këto angazhime janë të justifikueshme, si emigrimi i gjatë, punët e vështira, udhëtime të njëpasnjëshme etj… Por disa të tjera janë të pajustifikueshme, si daljet e shpeshta në treg, mbrëmjet e përsëritshme dhe udhëtimet turistike. Angazhime të tilla i bëjnë fëmijët të ndihen të neglizhuar dhe të injoruar. Fëmijë të tillë as nuk përkëdhelen nga prindërit, as nuk puthen, as nuk përqafohen dhe u mungojë bisedat e lira me prindërit. Një injorim i tillë i fëmijëve, përbën sinjale alarmi të rrezikshme dhe përçon mesazhe të fshehta dhe tejet negative tek fëmijët. Këto nuk janë të qëllimshme nga prindërit, megjithatë lënë gjurmë të thella tek fëmijët. Ndjenjat e tyre ndrydhen, ankohen dhe fajësojnë dhe bëjnë rrëmuja me qëllim që të tërheqin vëmendjen e prindërve. Fëmijë të tillë të injoruar, shpesh herë u bëjnë pyetje të tilla vetes: Përse nuk më puth edhe mua babai/nëna, siç bëjnë prindërit e tjerë me fëmijët e tyre? Përse nuk luajnë me mua? Përse nuk përpiqen të afrohen me mua? Unë kam nevojë për përqafimin tënd o baba/nënë. Unë kam nevojë të më bësh të ndjej që më don!
Profeti Muhamed a.s dhe aroma e fëmijëve
Profeti Muhamed a.s, herë i përqafonte fëmijët, herë u merrte erë, herë i puthte dhe herë të tjera i përkëdhelte. Ai pranonte edhe të luajë me fëmijët e tij ose nipërit e mbesat. Ai ishte shumë i dashur për fëmijët dhe për këtë, sa e shihnin turreshin drejt tij dhe e rrethonin.
Djalin e tij të fundit, Ibrahimin, Profeti a.s e dërgoi të ushqehej me qumështin e një gruaje në dalje të Medines. Burri i kësaj gruaje ishte me profesion kovaç dhe sa herë që Profeti a.s shkonte të shohë djalin, ai e parfumoste shtëpinë. Kjo, me qëllim që Profeti a.s të mos e ndiente erën e tymit. Tregon Enes ibnu Malik, shërbëtori i Profetit a.s:”Kur shkonim ne, e gjenim shtëpinë të parfumosur dhe Profeti a.s e puthte Ibrahimin dhe i merrte erë.” (El-edeb el-mufred, Buhari 1/137, hadithi nr 376)
Padyshim që diçka e tillë e shuante mallin prindëror të Profetit a.s për djalin e tij.
Të njëjtën gjë, Profeti a.s e bënte dhe me djemtë dhe vajzat e tjerë. Transmeton Zubejr ibnu Avam se Profeti a.s e puthi një ditë Hasanin – nipin e tij dhe djalin e Aliut – e përqafoi dhe i mori erë. Bashkë me Profetin a.s ndodhej dhe një burrë nga Medineja. Duke e parë Profetin a.s, ai u habit dhe i tha:”Edhe unë kam një djalë që tashmë është bërë burrë, por kurrë nuk e kam puthur.”
Profeti a.s ia ktheu:”E ç’faj kam unë që t’a ka hequr Zoti mëshirën nga zemra?!” (El-mustedrek 3/186)
Me këto fjalë, Profeti a.s sikur dëshiron të na thotë se përqafimi i fëmijëve, puthja e tyre dhe marrja erë, është një lloj mëshire prindërore. Nëse dikush tregohet mendjemadh duke mos e bërë këtë me fëmijët, t’a dijë se Zoti e ka boshatizur zemrën e tij nga mëshira.
Këmisha e Jusufit a.s
Këmisha e Jusufit a.s na shoqëron që nga fillimi i historisë së tij gjer në fund të saj.
Fillimisht, ajo ishte argumenti i vëllezërve që Jusufin e kishte ngrënë ujku. Me t’a hedhur në pus, vëllezërit e morrën këmishën e tij, therrën një dele dhe e përgjakën këmishën me gjakun e saj. Kur vajtën në shtëpi, i thanë babait se vëllanë e tyre Jusufin e kishte ngrënë ujku dhe i treguan këmishën e gjakosur. Megjithatë, Jakubi a.s e kuptoi që djemtë e tij gënjejnë, pasi këmisha nuk ishte shqyer asgjëkundi, vetëm ishte përgjakur.
Së dyti, këmisha ishte tregues i sinqeritetit, pastërtisë morale dhe nderit të Jusufit a.s, kur u akuzua nga e shoqja e Azizit. Kur Jusufi a.s refuzoi t’i përgjigjej joshjes së gruas së Azizit dhe rendi drejt derës, ajo iu sul nga pas dhe duke e tërhequr i shqeu këmishën. Pafajësinë e Jusufit a.s e dëshmoi dhe një i tretë që u gjend në shtëpinë e Azizit.
Së treti, këmisha ishte shkaku që Jakubit a.s iu kthye shikimi.
Përfundim
Përqafimi i fëmijëve, puthja dhe nuhatja, janë tregues të thellësisë së marrëdhënieve të forta mes individëve të një familje. Një edukator i mirëfilltë, e dallon rëndësinë e erës në edukimin e fëmijëve dhe ndikimin e saj në komunikimin emocional dhe psikologjik. Nënat në kohët e mëparshme – ka nëna të tilla që e bëjnë edhe sot – i puthin fëmijët e tyre dhe u marin erë. Era e fëmijëve ngjitej për hunde dhe më pas ana emocionale e nënës lidhej ngushtë me atë erë.
Ajo që kërkohet nga prindërit është të kenë sa më shumë kontakt me fëmijët e tyre. Zanafilla e këtij kontakti është pikërisht përqafimi, puthja dhe përkëdheljet. Padyshim që diçka e tillë i forcon lidhjet prindër-fëmijë, e shton interesin dhe dashurinë mes tyre.
…