21.7 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Ibrahimi a.s dhe mesazhi i familjes

Më të lexuarat

Nga: Xhasim Mutava

Ibrahimi a.s dhe mesazhi i familjes

Hyrje
 
Koncepti i umetit musliman nuk kufizohet vetëm tek disa breza të një race që ndjekin dhe zëvendësojnë njëri-tjetrin. Umeti musliman është një grup besimtarësh të lidhur me njëri-tjetrin, edhe pse rrjedhin nga raca, kombe dhe ngjyra të ndryshme. Është e rëndësishme të dihet se një umet i fortë, nuk mund të ngrihet pa një familje të fortë. Në Islam, mesazhi i familjes është shumë madhështor. Ajo nuk nuk mund të kufizohet në disa fëmijë, nipër dhe mbesa, nëse nuk ndajnë të njëjtin besim dhe fe. Prej këtu, lind nevoja që prindërit t’i këshillojnë dhe porosisin fëmijët e tyre që t’i përmbahen islamit.
 
 
Porosia për t’iu përmbajtur islamit
 
Thotë Zoti i madhëruar mbi Ibrahimin a.s:”Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët. Kur Zoti i tij i tha: “Përulu!” – ai u përgjigj: “Iu përula Zotit të gjithësisë!” Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: “O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë të nënshtruar ndaj Atij!” A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” – Ata u përgjigjën:“Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!” (Bekare, 131-133)
Pasi Ibrahimi a.s iu nënshtrua dhe iu dorëzua plotësisht vullnetit të Zotit, filloi t’i porosisë fëmijët e tij që t’i përmbahen ligjeve dhe normave fetare gjatë gjithë jetës. Ai i porositi që të mos vdesin veçse si muslimanë dhe t’i dorëzohen vullnetit të Zotit ashtu siç kishte bërë ai më parë, ku thoshte:” “Iu përula Zotit të gjithësisë!”
Porosia e Ibrahimit a.s konsistonte në rëndësinë e njësimit të një Zoti të vetëm dhe mosneglizhimin në këtë çështje.
Të njëjtën porosi, fëmijët e Ibrahimit a.s ua transmetuan brezave të mëvonshëm. Pak para se të vdesë Jakubi a.s, nipi i Ibrahimit a.s, i mblodhi fëmijët dhe u tha:” kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë: “Çfarë do të adhuroni pas meje?” – Ata u përgjigjën:“Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!”
Thotë El-kelbij:”Kur Jakubi a.s hyri në Egjypt, e gjeti popullsinë vendase duke adhuruar idhujt e ndryshëm, zjarrin, lopën etj… I tronditur nga ajo që i panë sytë, ai mblodhi fëmijët dhe u tha:“Çfarë do të adhuroni pas meje?”
Kështu, të gjithë fjalët që shprehin njësim (teuhid) të Zotit, janë trashëguar nga pasardhësit e profetit Ibrahim a.s njëri pas tjetrit. Mes pasardhësve të Ibrahimit a.s, ka pasur gjithmonë të atillë që besonin dhe i luteshin një Zoti të vetëm. Për këtë, thotë Zoti në Kuran:
“Ai e bëri këtë fjalë të përhershme te pasardhësit e tij, me qëllim që ata të kthehen (vazhdimisht tek Allahu).” (Zuhruf, 28)
Kjo porosi e Ibrahimit a.s, është e ngjashme me porositë e profetit Muhamed a.s drejtuar shokëve të tij.
Transmeton Talha ibnu Masrif:”E kam pyetur Abdullah ibnu Ebi Eufa – Zoti qoftë i kënaqur me të -:”A la i dërguari i Zotit a.s ndonjë porosi të veçantë?”
Ai u përgjigj:”Jo.”
Unë e pyeta sërish:”Po cilat ishin fjalët e tij të fundit?”
Ai u përgjigj:”Na porositi që të kapeshim fort pas librit të Zotit.” (Buhari, 3/1006, hadithi 2589)
Tregon nëna e besimtarëve, Umu Seleme:”Fjalët e fundit të dërguarit të Zotit a.s ishin:”U porosis që të mos e neglizhoni namazin dhe të kujdeseni për skllevërit.”
Këto fjalë Profeti a.s vazhdoi t’i përsërisë derisa e kishte të pamundur t’i shqiptojë me gojë, ndërkohë që kraharori sikur i vlonte.” (Musned imam Ahmed, 6/290, hadithi nr 26526)
 
 
Rëndësia e porosisë në islam
 
Porosia zë në vend të rëndësishëm në Sheriatin islam dhe zakonisht thuhet në çastet e vdekjes. Para se të vdesë, është mirë që njeriu të parashtrojë disa kërkesa të tij. Gjithashtu, është mirë që ai të porosisë fëmijët dhe familjarët e tjerë që t’u përmbahen ligjeve të fesë. Ai mund të porosisë që një pjesë e pasurisë së tij, t’i jepet dikujt, ose të tregojë borxhet dhe obligimet ndaj njerëzve.
Transmeton Ibnu Umer se i dërguari i Allahut a.s ka thënë:”Është detyrë e çdo muslimani që të mos flerë dy netë rrjesht, pa e pasur porosinë (testamentin) nën jastëk.”
Tregon Abdullah ibnu Umer:”Që kur e dëgjova këtë hadith nga i dërguari i Zotit a.s, kurrë nuk i kam bërë dy netë gjumë pa testamentin nën jastëk.” (Muvetta i imam Malik 2/761)
Siç e shohim, testamenti dhe porositë para vdekjes nuk janë vetëm për pasuritë, por për gjithçka, një besë të dhënë, një marrëveshje e nënshkruar, interesa të kësaj bote ose të botës tjetër etj…
 
 
Disa porosi familjare të dobishme
 
1 – Porosia e Lukmanit për djalin e tij. Këshillat e Lukmanit dhe porositë që i la djalit, janë udhëzime dhe porosi për një jetë të lumtur. Thotë Zoti i madhëruar rreth këtij fakti:
“(Kujtoje) kur Lukmani i tha të birit, duke e këshilluar: “O djali im, mos i shoqëro Allahut asgjë (në adhurim)! Pa dyshim, idhujtaria është një padrejtësi shumë e madhe”. Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vitesh. Ne i thamë atij: “Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë”. Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë. “O djali im, edhe veprën e rëndë sa kokrra e sinapit që ndodhet në shkëmb, në qiej apo në tokë, Allahu do ta nxjerrë në shesh. Me të vërtetë, Allahu njeh mirë çdo imtësi dhe i di të gjitha fshehtësitë. O djali im, kryeje namazin, urdhëroje të mirën, pengoje të keqen dhe bëhu i durueshëm për çfarëdo që të godet! Me të vërtetë, ky është thelbi i patundur i të gjitha punëve! Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët! Ec me kujdes e i përmbajtur dhe fol me zë të ulët; se zëri më i vrazhdë është zëri i gomarit”! (Lukman, 13-19)
 
2 – Porositë e mrekullueshme që Abdullah ibnul Husejn i drejtonte djalit të tij.
“O biri im! Duke të këshilluar, unë po shlyej detyrimin që kam para Zotit, për të të edukuar siç duhet. Prandaj, ti duhet të më dëgjosh me vëmendje, pasi e ke obligim. Mos i bëj kujt keq dhe largohu nga banaliteti! Në ato kuvende ku duhet të flasësh, rrihi mendimet para se të hapësh gojë. Mos prano këshilla nga një xhahil dhe i rëndomtë, as nga një armik i mençur dhe tinzar. Ruaju nga armiqësitë! Sado i mirë qoftë armiku, të pret në shteg dhe sado i patrazuar duket i ligu, mendjen nga e keqja nuk e heq.”
 
3 – Porositë e sulltan Muhamed Fatihut drejtuar djalit të tij, nga shtrati i vdekjes.
“Ji i drejtë, i ndershëm dhe i mëshirshëm me të gjithë! Trego kujdes dhe mbroji të gjithë njerëzit pa dallime! Sakrifiko gjithçka për të përhapur fenë islame, pasi ky është misioni i mbretërve në tokë! Çështjet e fesë të gëzojnë prioritet ndaj gjithçkaje tjetër në jetën tënde dhe kurrë mos e neglizho këtë! Mos u merr me njerëz që nuk i kushtojnë rëndësi fesë, nuk largohen nga gjynahet e mëdha dhe janë të zhytyr në vepra të liga! Ruaju nga bidatet e rënda dhe largoji nga vetja njerëzit që i nxisin ato!
Zgjeroi territoret e tua me xhihad dhe mbroji pasuritë e zekatit nga të pangopurit! Kurrë mos i zgjat duart të marrësh të hollat e njerëzve pa të drejtë! Garantoju ushqimin të vobektëve dhe ji bujar me nevojtarët!
Duke qenë se hoxhallarët janë motorri i umetit, të këshilloj që t’i nderosh dhe respektosh. Nëse dëgjon se një i ditur ndodhet larg, sille pranë teje, nderoje dhe shpërbleje me të holla! Kurrë mos të të mashtrojë pasuria dhe ushtria! Kurrë mos i dëbo nga dera juristët muslimanë! Ruhu se mos vepron diçka që bie ndesh me ligjet dhe dispozitat e Sheriatit! Feja është objektivi ynë dhe udhëzimi metoda jonë. Me këto të dyja kemi triumfuar.” (Historia e perandorisë Osmane, Ali Hasun, faqe 419)
Trashëgimia jonë kulturore dhe historike ka regjistruar shumë porosi të tjera, të lëna nga dijetarët dhe mendimtarët muslimanë. Ato përmbajnë këshilla dhe udhëzime të vlefshmme për fëmijët e tyre dhe të gjithë brezat e mëvonshëm. Një nga këto porosi është edhe ajo e dijetarit dhe shquar Ebu Hamid El-gazzali, drejtuar djalit të tij. Të gjithë këto porosi, ai i ka përmbledhur në një broshurë të vogël të titulluar “O djalosh!” Porosi të vlefshme ka lënë pas edhe dijetari Ibnul Xheuzi për djalin e tij, të cilat i ka titulluar “Rrokja e mëlçisë, në këshillat e fëmijës.”
 
 
Përfundim
Mënyra se si i shohim gjërat, na shtyn për të vepruar dhe janë veprat ato që përcaktojnë rezultatin dhe arritjet tona në këtë jetë. Për këtë, nëse duam të arrijmë rezultate dhe rendimente të larta dhe të rëndësishme, duhet të përcaktojmë orientimin tonë, sjelljet dhe metodat që duhet të ndjekim.
Roli dhe misioni më i madh i prindërve është që t’i udhëzojnë fëmijët drejt çështjes më të rëndësishme për të cilën është krijuar gjithësia: Njësimi i Zotit dhe dorëzimi i plotë para vullnetit të Tij. Kjo arrihet duke i udhëzuar dhe porositur fëmijët tanë që në vegjëli, me shpresë që t’u bëjnë dobi në jetë.
Ky ishte thelbi i mesazhit të profetit Ibrahim a.s dhe më pas profetit Jakub a.s dhe fëmijët e tyre. Adhurimi i një Zoti të vetëm është objektivi dhe qëllimi kryesor i ekzistencës sonë në këtë botë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit