-2.2 C
Pristina
Wednesday, January 15, 2025

Harta të reja. Nga Ervin Hatibi

Më të lexuarat

Harta të reja

AMBIENTI, DETI, INTENETI, LETËRSIA, NJERËZIMI, PLERAT, TELEVIZIONI
Dje zbulova për herë të parë një kontinent tjetër në televizor: diku pranë ishujve Havai, me një sipërfaqje sa tri herë Franca, pluskonte një shtëllungë e stërmadhe plastike, që zbriste gati 30 metra në thellësi e pastaj ndërpritej. Kjo sa i përket hapësirës, se në kohë, të paktën në njësi matëse kohe, kontinenti duhet të shtrihet aty tek 400 vjetët para se të shkëputet e të futet në formulën e kripës a të ujit, se plot katërqind vjet i duhet që të asgjësohet në natyrë një qeseje plastike të thjeshtë dyqani, qese e cila është njësia themelore e këtij kontinenti që unë zbulova dje, por edhe e disa dhjetëra të tillëve që lundrojnë nëpër ujëra detesh e oqeanesh, në pritje që të bashkohen një ditë para 400 vjetëshit që shumëfishohet përditë me çdo qese që depërton prej përrenjsh e kanalesh, prej koshash të zbrazur, drejt e në det, kudo.

Tre herë sa Franca! Dhe kjo vetëm se televizioni ishte francez! Përmasa kombëtare apo mbase krahinore apo thjesht politike që merr shpesh imagjinata, e zbërthyeshme numerikisht, do vepronte ndryshe në Brazil, bie fjala, e ndryshe në Shqipëri, po në çdo rast një pirg i përmbysur lundrues plehërash plastike disa herë më i madh se vendi yt të shtang – dhe të thonë se gropa nënujore e plehërave vëtëm sa zmadhohet përditë, me çdo qese të re katërqindvjeçare që shket në të katër anët e globit si ngjalë për të mbërritur atje ku e thërret e stampuar me sa e sa shkronja logosh, turlifarë markash e marketesh thirrja origjiatike e pëshpërimave apo fëshfërimave të plastikës transglobale. Një anti-amebë kolosale që vetëm rritet në pika strategjike duke sfiduar nëndetëse e plane hegjemonish oqeanike, një balenë e vdekur që rritet symbyllur e kushedi sa gjëra të tjera.

Për sa kohë dimë se globi është i rrumbullt,  shembullin e asaj çka po ndodh patrazuar një gisht poshtë ujërave mund ta kemi në dorë si shembull në formën e një domateje të thjeshtë industriale, në shitoren më të afërt të fruta-perimeve. Hiqni kamuflazhin e kuq dhe zbuloni ju lutem eshtrat e bardha kërcore që ndonëse jo katërqind vjet, por ju a largojnë në kohë gjithë përfytyrimet e hershme mbi këtë frut tipik të nostalgjisë, për më tepër të kuq, i cili në kohët e izolimit mund të kafshohej pa pengesa e pa pendesa. Të mos flasim pastaj për çka flitet lart e poshtë se fsheh nën bust, poshtë e lart frëngjisë televizive spikerja e njohur e lajmeve me shoqe. Internacionalja e verbër e plastikës! Është kudo….
Julio Cortazar dikur shkruante se “(m)eqë numri i shkruesve dikur shkoi në rritje kaq të madhe, ata pak lexues që mbetën nëpër botë, do të ndryshojnë zanat e do të bëhen edhe ata shkrues. Gjithnjë e më tepër, shtetet do t’u përkasin shkruesve dhe fabrikave të letrës e bojës, shkruesve ditën e makinave natën, makinave që shtypin fjalët e shkruesve.

Kështu shkruesit siberianë do t’i shohin letrat e tyre të shtypura në oqeanin e ngrirë e po ashtu shkruesit indonezianë etj.(…) Në fund, gjithë anijet do të ndalen në pika të ndryshme të të deteve të ndryshme, të bllokuar në brumin e stampuar, dhe shkruesit e botës mbarë do të shkruajnë më pas mijëra tekste plot hare për të shpjeguar dukurinë.

Kritikët e parazitët e tjerë të vizionarëve do ta kenë interpretuar këtë tekst mbi bashkimin e ndërshkrirjen e shkrimit shumëgjuhësh si ndonjë metaforë për internetin e pritshëm apo ndonjë tjetër utopi të realizuar pa bujë, por i vetmi problem është se lexuesi para se të vdiste e të rilindte si shkrues i sms-së dhe komentator i blogut, u bë blerës i pandalshëm qesesh. Edhe nëse u bë shkrues, shkrimi është banalisht plastik, i mbyllur në tastiera kompjuterash e telefonësh që dalin shpejt nga moda e flaken në pirgje e download spam

2011

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit