Për momentin kalojnë pak anije, kompanitë e transportit presin më shumë siguri
Kur Donald Trump njoftoi marrëveshjen, ai deklaroi se rrugët detare do të rihapeshin dhe se eksportet e naftës do të rifillonin. Megjithatë, situata në terren mbetet e ndërlikuar.
Rreth 580 anije janë ende të bllokuara në zonë dhe numri i kalimeve ditore mbetet shumë i ulët. Vetëm pak anije po kalojnë çdo ditë, një ritëm i ngjashëm me atë të javëve të fundit, kur disa cisterna lëviznin në mënyrë të kufizuar falë negociatave ose mbrojtjes ushtarake.
Drejtuesit e industrisë së transportit detar, theksojnë se nevojitet kohë për të krijuar besim. Përveç sfidave teknike dhe organizative, pronarët e anijeve dhe kompanitë e sigurimeve duhet të jenë të bindur se marrëveshja do të respektohet dhe se kalimi nuk do të rrezikohet nga incidente të reja ushtarake.
Një tregues i rëndësishëm do të jetë rikthimi i cisternave bosh në Gjirin Persik për t’u furnizuar me naftë nga vendet prodhuese si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Vetëm atëherë prodhimi dhe eksportet mund të rifillojnë në shkallë të gjerë. Një moment kyç pritet të jetë nënshkrimi zyrtar i memorandumit, i cili do ta bëjë marrëveshjen efektive, edhe pse vetëm për një periudhë fillestare 60-ditore.
Vetëm pas këtij hapi Ngushtica e Hormuzit do të konsiderohet zyrtarisht e hapur. Kompanitë mbeten të kujdesshme edhe për shkak të përvojave të mëparshme. Në prill, autoritetet iraniane deklaruan se ngushtica ishte e hapur, por deklarata u kundërshtua menjëherë nga Garda Revolucionare.
Për pasojë, dhjetëra anije që kishin nisur tranzitin u detyruan të ktheheshin mbrapsht, ndërsa disa u përballën me sulme. Kësisoj, shumë operatorë nuk duan të marrin rreziqe derisa të shohin stabilitet real në terren.
Një problem tjetër i madh është siguria e rrugëve detare. Ujërat e ngushticës duhet të kontrollohen dhe të pastrohen nga minat. Aktualisht ekzistojnë vetëm dy korridore të sigurta lundrimi, një pranë brigjeve iraniane dhe tjetri pranë Omanit.
Këto korridore janë të ngushta dhe anijet detyrohen të lëvizin me shpejtësi të ulët, gjë që e kufizon ndjeshëm trafikun. Vetëm pasi të përfundojë pastrimi i plotë, kompanitë e sigurimeve mund të ulin tarifat, të cilat sot janë shumë të larta.
Edhe gjendja e flotës paraqet vështirësitë e saj. Shumë anije kanë qëndruar të ankoruara për muaj të tërë dhe kërkojnë mirëmbajtje. Të tjera janë devijuar në rrugë alternative ose ndodhen në porte të largëta.
Rikthimi i tyre në rajon do të kërkojë kohë dhe koordinim të konsiderueshëm. Në planin politik, mbeten dy pasiguri kryesore. E para lidhet me qëndrueshmërinë e marrëveshjes mes palëve. Dhe e dyta ka të bëjë me tarifat e tranzitit që Irani planifikon të vendosë pas përfundimit të periudhës 60-ditore.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara premtojnë lundrim të lirë, autoritetet iraniane kanë paralajmëruar se më vonë do të kërkojnë pagesa për menaxhimin e kalimit në ngushticë. Kjo krijon paqartësi për kostot dhe përputhshmërinë me sanksionet ekzistuese.
Edhe nëse qarkullimi detar normalizohet, rikuperimi i tregut të energjisë do të jetë gradual. Aktualisht vetëm një pjesë e puseve të naftës dhe gazit në rajon janë aktive. Shumë prej tyre janë mbyllur për shkak të vështirësive në eksport ose janë dëmtuar gjatë konfliktit.
Rikthimi i prodhimit kërkon kohë, investime dhe riparime teknike. Sipas vlerësimeve të analistëve, prodhimi i naftës dhe gazit mund të arrijë rreth 50 për qind të niveleve para luftës deri në shtator dhe rreth 80 për qind deri në fund të vitit.
Ndërkohë, lufta ka nxitur shumë vende importuese të kërkojnë furnizues alternativë dhe të investojnë në rrugë të tjera eksporti që shmangin Ngushticën e Hormuzit. Për këtë arsye, edhe pas rihapjes së saj, tregu energjetik global mund të mos rikthehet plotësisht në gjendjen që kishte para konfliktit. /tesheshi.com/
