Humbësit dhe fituesit e revoltës në Egjipt

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Humbësit dhe fituesit e revoltës në Egjipt

Revista amerikane Foreign policy, e konsideron organizatën Alkaida humbësin më të madh nga revolta e 25 Janarit në Egjipt. Kjo, pasi revolta vërtetoi se ndryshimi i regjimeve mund të bëhet në rrugë paqësore dhe se metoda e ndjekur nga ajo (alkaida) është krejtësisht e gabuar.
Fituesit
1 – Forcat e armatosura egjiptiane. Kjo revoltë e përforcoi statusin e forcave të armatosura tek popullata. Ajo ia ktheu edhe një herë rolin qendror të ushtrisë në qeverisjen e vendit. Vetë ushtria deklaroi dhe premtoi se do ia dorëzojë pushtetin një qeverie civile, si dhe do të respektojë të gjithë marrëveshjet rajonale dhe ndërkombëtare. Nëse ushtria do të kërkojë ti mbajë kompetencat që ka pasur gjatë regjimit të Mubarakut, do e tregojnë ditët e ardhshme.
2 – Protestuesit… model mbarë botëror. Miliona protestues mbushën rrugët duke kërkuar largimin e Mubarakut, gjë e cila u realizua, ashtu siç larguan dhe zëvendësin e tij Umer Sulejman. Protestuesit egjiptianë u shndërruan në model për mbarë botën. Ata larguan me protesta paqësore regjimin dhe duket që vetë egjiptianët do i vjelin frutat e kësaj revolte në vitet e ardhshme.
3 – Kanali Alxhazira. Revolta egjiptiane forcoi pozitat e Alxhaziras. Regjimi i Mubarakut mobilizoi të gjithë mjetet propagandistike në luftë kundër Alxhazires, duke e akuzuar atë si deformuese, se transmeton imazhin e gabuar të popullit egjiptian për të prishur rendin dhe qetësinë etj… Megjithatë, u pa qartë se Alxhazira nuk transmetonte veçse pulsin e  vërtetë të popullit egjiptian, i cili kërkonte me padurim largimin e Mubarakut. Alxhazira doli si një forcë revolucionare, e cila ndante me opinionin publik arab të njëjtat halle dhe shqetësime.
4 – Forcat reformuese në Lindje të Mesme. Revolta egjiptiane motivoi të gjithë lëvizjet reformuese shtetet e tjera diktatoriale në rajon, për të kërkuar pluralizëm politik, demokraci dhe jetë dinjitoze. Erërat e demokracisë kanë filluar të joshin çdo qytetar të Lindjes së Mesme, qofshin arabë apo dhe iranianë.
5 – Kina. Ndoshta lexuesi mund të çuditet, që Pekini radhitet tek fituesit nga revolta egjiptiane. Qeverisë amerikane i duhet të angazhohet maksimalisht për ta menaxhuar situatën e re të krijuar në Egjipt, për ti shërbyer interesave të saj në rajon. Kjo do t’ia shkëpusë për një kohë vëmendjen nga Azia, gjë të cilën e pret Kina me padurim, për të përforcuar pozitat e saj me shtetet aziatike, tek të cilat synon të shtrijë autoritetin e vet.
Humbësit
1 – Organizata Alkaida. Një ndër tezat më kryesore të kësaj organizate, janë aktet e dhunshme dhe terroriste, të cilat – sipas tyre – do të çojnë në ndryshimin e regjimeve në rajon. Këtë tezë e hodhi poshtë revolta egjiptiane, e cila arriti të largojë një ndër regjimet më të fuqishme dhe më të stabilizuar në rajonin e Lindjes së Mesme.
2 – Lëvizjet islame në Egjipt. Me gjithë popullaritetin e organizatave dhe lëvizjeve islame në vend, revolta e 25 Janarit, do të shkaktojë lindjen e partive të reja, të  cilat do ti rivalizojnë partitë islame në popullaritetin e tyre.
3 – Politikat amerikane në Lindjen e Mesme. Revolta i dha shansin SH.B.A-ve që të ndryshojë politikat e saj, të cilat gjer tani kanë mbështetur regjimet diktatoriale në botën arabe. Amerika duhet të heqë dorë një herë e mirë nga kjo politikë. Që këtu, besojmë se politikat amerikane për Lindjen e Mesme dhe për Egjiptin në veçanti, do të pësojnë një kthesë thelbësore. Këto politika tashmë do të jenë më të thella, më të buta, fleksible dhe të bazuara në natyrën e shoqërive arabe.
4 – Familja e Mubarakut. Husni Mubarak nuk është humbësi i vetëm pas revoltës egjiptiane. Tek humbësit radhitet dhe familja e tij, e veçanërisht djali i tij Xhemali, i cili priste të zërë vendin e të atit. Revolta i dha fund të gjithë ambicieve të tij politike.
Veç kësaj, zërat dhe mundësitë për hetim të pasurive të familjes Mubarak shtohen çdo ditë, pasuri të cilat mund të arrijnë gjer në 70 miliardë dollarë. Aq më tepër që disa banka në Zvicër, Angli dhe Francë i kanë ngrirë të gjithë llogaritë e familjes Mubarak.
5 – Autoritetet palestineze. Kjo do të ndodhë për shkak të vëmendjes mbarë botërore e cila do të shkëputet nga hallet dhe problemet e tyre, duke u fokusuar tek revolta e Egjiptit dhe pasojat e saj. Së dyti, sepse autoritetet palestineze e kanë përdorur Mubarakun si një mjet presioni ndaj Hamasit, si dhe për ndalimin e trafikut të armëve drejt Gazas. Shkaku i tretë paraqitet në mundësitë e mëdha që një qeveri e ardhshme egjiptiane, të njohë legjitimitetin e Hamasit, i cili ka në dorë qeverinë e dalë nga zgjedhjet e fundit dhe që ka nën kontroll rripin e Gazës, në kufi me Egjiptin.
Në pritje
1 – Të gjithë regjimet diktatoriale në rajon. Padyshim që regjimet diktatoriale në rajon nuk janë aspak të gëzuara për atë që ndodhi në Kairo. Ata i ka mbërthyer paniku për pushtetin që u rrezikohet nga revoltat e ngjashme me ato që larguan Mubarakun. Revolta e Tunizisë dhe e Egjiptit, i detyruan regjimet despotike të manifestojnë zemërgjerësi dhe simpati më të madhe me popujt e tyre.
2 – Izraeli. Shumë opinionistë i kanë ndjekur me frikë ndryshimet në rajon, duke theksuar se vetëm armatimet e rënda nuk janë garanci për paqen dhe sigurinë në rajon. Izraelit i duhet një marrëveshje e drejtë me palestinezët, gjë kjo që do i garantonte një të ardhme sa më të gjatë.
3 – Presidenti amerikan Obama. Vetë Obama duhet ta kuptojë se influencën më të madhe në rajon tashmë e kanë vetë popujt. Për këtë, atij i duhet të vendosë politika të reja që i shkojnë për shtat popujve të rajonit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit