Deshqiptarizimi i kalasë së Shkupit

Më të lexuarat

Deshqiptarizimi i kalasë së Shkupit

Nga Shaban MURATINuk është nevoja të gërmohet thellë në kronikat mesjetare bizantine për të lexuar se si janë ndërtuar në fshehtësi, në mes të natës, larg syve të njerëzve, kishat në tokat që historia nuk ia certifikon pronësinë ardhësve. Nuk janë më murgj, por është qeveria e sotme e Maqedonisë, e cila më 10 shkurt dërgoi fshehurazi, në mes të dimrit dhe në mes të natës, rreth 100 punëtorë, që të ndërtojnë një kishë ortodokse në kalanë e Shkupit. Është një veprim qeveritar, që nuk mund të mos lërë një shije të hidhur për një koncept dhe një sjellje shtetërore, e cila pëlqen të imitojë mentalitetet bizantine në shekullin e teknologjisë informative dhe të integrimit. Mund të përpiqesh ta kuptosh kompleksin e fajit të atij që është bërë zot në tokën dhe në historinë e tjetrit, kompleks që duket se ka frymëzuar këtë metodë bizantine të fshehtësisë dhe të klimës së intrigës, për të ndërtuar me shpejtësi brenda natës një kishë ortodokse maqedonase në qendër të kalasë së Shkupit, e cila është dokumentuar nga historia dhe arkeologjia, por edhe nga demografia, si zonë shqiptare. Qeveria e kryeministrit Nikolla Gruevski ka dalë si projektuesja dhe organizatorja e këtij aksioni, i cili ka shijen e një provokimi kombëtar, kulturor dhe fetar ndaj popullit shqiptar në Maqedoni. Sepse është i tillë, ndaj qytetarët shqiptarë të Shkupit u ngritën në protestë në kala, për të penguar vazhdimin e punimeve për ndërtimin e kishës ortodokse maqedonase, e cila cënon identitetin shqiptar të kalasë së Shkupit. Kabineti i kryeministrit lëshoi më 11 shkurt një komunikatë shtypi, ku deklaron se kryeministri Gruevski nuk mund të lejojë që kjo situatë të ndikojë në marrëdhëniet ndëretnike dhe që ndonjëri ta keqpërdorë për qëllimet e veta dhe të krijojë skenarë dramatikë për ndonjë destabilizim. Duket si një përpjekje e varfër për të dalë gjoja mbi palët, në një kohë kur dihet zyrtarisht se prapa projektit qëndron qeveria. Kryeministri dhe qeveria maqedonase e dinin fare mirë se populli shqiptar i Shkupit ishte shprehur që në fillim kundër ndërtimit të kishës maqedonase në kala. E dinin mirë se partia politike shqiptare, që bën pjesë në qeveri, “Bashkimi Demokratik për Integrim”, kishte kërkuar ndërprerjen e këtij projekti. E dinin mirë që partitë politike opozitare shqiptare si “Partia Demokratike Shqiptare” dhe Partia “Demokracia e Re”, kishin kundërshtuar ndërtimin e kishës. E dinin mirë se Bashkësia Islame e Maqedonisë kishte shprehur zyrtarisht kundërshtimin e saj, siç e kanë shprehur edhe shoqatat shkencore, të historianëve, të rinisë dhe shumica e shoqatave jofitimprurëse dhe shoqëria civile shqiptare në Maqedoni. Por kryeministri, duke sfiduar aleatin shqiptar në qeveri, faktorin shqiptar në skenën politike të Maqedonisë dhe popullin shqiptar të Shkupit, lejoi ndërtimin e befasishëm të kishës për t’ua bërë shqiptarëve fakt të kryer maqedonizimin e kalasë së Shkupit. Përfaqësues të institucioneve shtetërore maqedonase, si drejtori i projektit të ndërtimit të kishës në kala, Pasko Kuzman akuzoi mbarë shqiptarët, duke deklaruar se “shqiptarët, nga mosdija reaguan mbi baza partiake. Ata menjëherë filluan të reagojnë mbi baza fetare”. Shkupi dhe kalaja e Shkupit janë pjesë e pandarë dhe e pamohueshme e historisë shqiptare. Në kalanë e Shkupit ndodhen dhe janë lokalizuar vendndodhje dhe prova të kulturës së hershme materiale ilire. B.Shehapi, drejtor i Qendrës Nacionale për Konservim, pohon se “zbulimet arkeologjike që janë bërë aty, kanë të bëjnë me historinë ilire, siç është rasti i një shtëpie iliro-dardane”. Sipas arkeologut shqiptar Mexhait Pollozhani, në kalanë e Shkupit ndodhet një kishë e vjetër iliro-dardane e shekullit të gjashtë të erës sonë. Kjo daton një periudhë rreth dyqind vjet para se tributë sllave të zbrisnin në këto territore, dhe kultura e vjetër ilire nuk ka ndonjë lidhje as me sllavët dhe as me ortodoksinë e sotme maqedonase. Ndaj shqiptarët janë të shqetësuar se prapavija e këtij projekti është zhdukja e provave dhe dëshmive arkeologjike ilire. Nuk është rastësi që qeveria e Maqedonisë, që në vitin 2004 ia hoqi kalanë e Shkupit nga administrimi komunës së Çairit, të dominuar nga popullsi shqiptare, dhe ia kaloi komunës Qendër. Pas kësaj, në ekspeditat arkeologjike maqedonase në kala nuk u përfshi as edhe një arkeolog shqiptar. Ndërtimi i kishës së re ortodokse maqedonase në kalanë e Shkupit shfaqet si një projekt me prapavijë nacionaliste, fetare dhe politike. Qeveria e kryeministrit Gruevski ka hartuar një program megalloman etniko-fetar, “Shkupi 2014”, i cili rivendikon historinë dhe origjinën historike të vendbanimeve të popujve dhe të civilizimeve, që kanë ekzistuar në ato troje para dyndjes sllave në Ballkan. Qëllimi strategjik aktual është për të provuar me pamjet e reja dhe të sotme vizuale se Shkupi dhe gjithë Maqedonia janë territore ortodokse maqedonase dhe se shqiptarët janë të ardhur më vonë. Për këtë qëllim është në vazhdim e sipër programi i vjetër shtetëror i deshqiptarizimit në Maqedoni. Kjo shpjegon pasionin e udhëheqësve të shtetit të Maqedonisë për mbjelljen kudo të simboleve fetare ortodokse, sikur qeveria të jetë një institucion kishtar. Këtë e kemi parë që nga kisha e ndërtuar në qendrën e skijimit pranë Tetovës, ku nuk shkon asnjeri, sepse rreth e qark malit nuk ka asnjë fshat ortodoks maqedonas; e kemi parë tek vendosja e kryqeve në sahat-kullat në Manastir dhe në qytete të tjera, për të kulmuar me kryqin gjigant që vendosi qeveria e ish-kryeministrit Lupço Georgievski, në kodrën kryesore të Shkupit. Në këtë vijë është edhe projekti i ndërtimit të një kishe ortodokse maqedonase në themelet e shtëpisë së Nënë Terezës. Tani kemi planin e ngritjes së kishës ortodokse në majën tjetër më të lartë të Shkupit, që është kalaja. Qëllimi është të dominohet kryeqyteti nga lartësitë me simbolet fetare ortodokse maqedonase. Një politikë shtetërore me frymëzime fetare mund të ketë si efekt të saj të parë acarimin e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni mes popullit shqiptar dhe atij maqedonas. Kryetari i partisë “Demokracia e Re”, Imer Selmani bëri një deklaratë, ku i tërhiqte vëmendjen kryeministrit që të mos i hedhë benzinë zjarrit të marrëdhënieve ndëretnike. Terreni më i preferuar, ku shteti dhe qeveritë maqedonase kanë provokuar shqiptarët është ai fetar, duke iu ndërtuar kisha, manastire dhe kryqe në territoret ku shqiptarët janë shumicë. Kërkon një përgjigje pyetja, pse kryeministri Gruevski zgjodhi këtë moment për të ngacmuar shqiptarët dhe për të nxitur ata të ngrihen në protesta si ajo e kalasë. Duket se është nevoja politike dhe elektorale, që ka kryeministri për të shtrënguar radhët e militantëve dhe të zgjedhësve rreth kartës së tij të preferuar të nacionalizmit. Qeveria maqedonase ndodhet nën një presion të gjithanshëm ndërkombëtar, por edhe të brendshëm, për të rishikuar intransigjencën në fushën e politikës së jashtme, si rezultat i së cilës Maqedonia ndodhet e bllokuar në rrugën e integrimit euroatlantik. Maqedonia ka 6 vjet që nuk po merr një datë për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, dhe për këtë nuk ka qenë pengesa kryesore çështja e emrit, sepse nuk ishte pengesë kur iu dha statusi i shtetit kandidat. Pengesat kryesore kanë qenë stanjacioni i reformave, korrupsioni i lartë dhe sidomos mosplotësimi i standarteve demokratike të barazisë nacionale, ku Marrëveshja e Ohrit është ende larg zbatimit efektiv të saj në jetë. Maqedonia nuk mori ftesën për të hyrë në NATO në vitin 2008 dhe vazhdon të mos e marrë, për shkak të përgjegjësisë së kryeministrit, i cili i është larguar kompromisit për çështjen e emrit. Bllokimi i integrimit euroatlantik ka krijuar tensione të reja politike dhe çarje brenda vetë shoqërisë maqedonase, ku edhe opozita socialdemokrate maqedonase aktualisht ka braktisur parlamentin. Në këto situata duket se kryeministri po shkon tek ideja e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme, me qëllim që të rikonfirmojë pushtetin e tij politik dhe personal. Këtë taktikë ai e ndoqi edhe në vitin 2008, kur Maqedonia nuk mori ftesën për në NATO, dhe Gruevski organizoi zgjedhje të parakohshme, duke luajtur kartën nacionaliste maqedonase. Tani që pozitat e tij politike po dobësohen dhe besimi i faktorit ndërkombëtar po bie, ai kërkon të rihedhë të njëjtën kartë dhe shigjetën e drejton ndaj lirive, të drejtave dhe identitetit të popullit shqiptar në Maqedoni. Deshqiptarizimi i hapësirave dhe i historisë së territorit, ku ndodhet shteti i Maqedonisë, është një program i vjetër i Serbisë dhe i Maqedonisë. Ishte i shpjegueshëm në një farë mënyre në regjimet mbretërore dhe komuniste, por i papranueshëm në një regjim demokratik dhe në një shtet kandidat të Bashkimit Europian. Bashkekzistenca e popujve dhe kulturave në një shoqëri multinacionale, multikulturore dhe multifetare, është kudo e rëndësishme për stabilitetin, por në Maqedoni ajo ka specifikën, që është e pazëvendësueshme për ekzistencën e atij shteti.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit