0.4 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rritet në 139 numri i të vrarëve nga sulmet izraelite në Gaza

Më të lexuarat

Sulmet izraelite në Rripin e bllokuar të Gazës vranë tetë palestinezë të tjerë sot herët, duke e çuar numrin e të vdekurve në 139, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjashtë fëmijë dhe dy gra u vranë nga forcat izraelite në sulmin e fundit kundër një shtëpie banimi.

I mbijetuari i vetëm ishte një foshnjë dymuajshe, thanë autoritetet shëndetësore në Gaza, të cilët deklaruan se termi “masakër” nuk është i përshtatshëm për të përshkruar atë që ka ndodhur.

Ndërkohë, krahu ushtarak i Hamasit, Brigadat Izzeddin al-Kassam, njoftoi se Ashdod dhe Beersheba janë goditur me raketa në përgjigje të sulmit ndaj një shtëpie në kampin e refugjatëve Al-Shati dhe për të marrë hak për palestinezët e vrarë në Bregun Perëndimor të okupuar.

Tre palestinezë, duke përfshirë dy vëllezër dhe motra e tyre, u vranë në sulmet e natës vonë nga avionët luftarakë izraelitë në zonën Tel Kuleybu në veri të Gazës.

Totali i viktimave në Gaza përfshin 37 fëmijë dhe 22 gra, ndërsa numri i të plagosurve tejkaloi shifrën 950 që nga e hëna, thuhet në deklaratën e ministrisë.

Forcat izraelite kryen gati 30 sulme ajrore nga mbrëmja e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, duke synuar veriun e Gazës.

Xhamia Kuleybu u shkatërrua plotësisht në një sulm, tha Ministria e Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare të Gazës në një deklaratë.

Para këtij sulmi, Izraeli vrau shtatë civilë, duke përfshirë pesë fëmijë dhe dy gra.

Dëshmitarët thanë se trupat u dërguan në spitalin Shifa pas bombardimit të një shtëpie që i përkiste familjes Abu Hatab në kampin e refugjatëve Al-Shati.

Ndërkaq, nga ana tjetër, vazhdojnë kërkimet për njerëzit e zhdukur nën rrënoja, thuhet më tej.

Avionët luftarakë izraelitë rinisën sulmet ajrore të premten në Rripin e bllokuar të Gazës, duke shkaktuar dëme të mëdha në ndërtesat e banimit në mbarë enklavën.

Ndërkohë, 11 palestinezë u vranë të premten ndërsa forcat Izraelite u përplasën me demonstruesit për të shpërndarë tubimet në pjesë të Bregut Perëndimor.

Gjithashtu, autoritetet libaneze njoftuan se një i ri libanez u vra kur zjarri i artilerisë izraelite shënjestroi protestuesit përgjatë gardhit të sigurisë izraelite në jug të vendit.

Situata u tensionua në lagjen Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar gjatë muajit të kaluar ndërsa kolonët izraelitë u futën pas një urdhri gjykate për dëbimin e familjeve palestineze në zonë.

Kohët e fundit, tensionet u përshkallëzuan më tej, duke u zhvendosur nga Kudsi Lindor në Gaza pasi grupet palestineze të rezistencës atje u zotuan për hakmarrje ndaj sulmeve izraelite në Xhaminë Al-Aksa dhe Sheikh Jarrah nëse nuk ndaleshin.

Izraeli pushtoi Kudsin Lindor gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967 dhe aneksoi gjithë qytetin në vitin 1980, veprim ky që nuk është njohur kurrë nga komuniteti ndërkombëtar. /aa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit