Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se vendi i tij ka përfunduar planet dhe përgatitjet për asgjësimin e strukturave terroriste në lindje të lumit Eufrat në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
“Do të shkatërrojmë edhe strukturimin terrorist në lindje të Eufratit. Në lidhje me këtë, ne i kemi përfunduar përgatitjet, planet dhe programet tona. Madje, në ditët që lamë pas, kemi nisur edhe intervenimet praktike”, tha Erdoğan në takimin e grupit parlamentar të partisë së tij (AK).
“Së shpejti, do ta shkelim organizatën terroriste me operacione më gjithëpërfshirëse dhe më efektive”, shtoi presidenti i Turqisë Erdoğan.
Ai tha se Turqia nuk mund “të shikojë në drejtim të së ardhmes me besim pa zgjidhur çështjen siriane”.
Erdoğan paralajmëroi se qarqet që përdorin grupet terroriste si mjete për të arritur qëllimet e tyre janë duke u përpjekur të ringjallin DEASH-in në Siri.
“As njerëzit në rajon, as në botë, nuk besojnë në lojën DEASH”, tha Erdoğan, duke theksuar se Turqia nuk do të lejojë kurrë ata që duan të tërheqin Sirinë në kaos “duke nxitur regjimin nga njëra anë, dhe duke ringjallur DEASH-in në rajon nga ana tjetër”.