-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Erdoğan merr pjesë në hapjen e xhamisë në Këln

Më të lexuarat

Erdoğan tha se në fenë islame xhamia nënkupton bashkuesin dhe vendin ku njerëzit mblidhen. Ai theksoi se këtu nuk ka ndarje e diskriminim, por bashkim, unitet dhe drejtim të përbashkët te Zoti

 

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan në lidhje me vizitën e tij në Gjermani tha se “Në një periudhë kritike realizuam një vizitë jashtëzakonisht efikase dhe të suksesshme. Në takimet me presidentin Steinmeier dhe me kancelaren Merkel diskutuam sinqerisht për çështjet në interes të të dy shteteve”, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan sot në Këln të Gjermanisë bëri hapjen e Xhamisë Qendrore të Bashkësisë Islame Turke për Çështje Fetare (DİTİB).

Në një fjalim të mbajtur këtu, presidenti Erdoğan falënderoi presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për ftesën.

Duke theksuar se takimet e realizuara gjatë dy ditëve kanë forcuar edhe më shumë miqësinë turko-gjermane, Erdoğan tha se “Duke i lënë anash disa divergjenca të periudhës së fundit, theksova se tash e tutje duhet të fokusohemi në interesat e përbashkëta. Do të fuqizojmë bashkëpunimin në çdo fushë, duke filluar nga luftimi i organizatave terroriste, e deri te kriza e refugjatëve, përleshjet në Siri dhe luftërat tregtare”.

Me rastin e hapjes së kësaj xhamie, Erdoğan tha se po i dëshmojnë një rasti historik. Ai shtoi se Xhamia Qendrore e DITIB-it dhe kompleksi i saj është një punë madhështore. Duke rikujtuar se kur është vendosur themeli i xhamisë disa qarqe mendjengushtë kanë organizuar protesta dhe kanë kundërshtuar ndërtimin e saj, Erdoğan tha se përkundër këtyre protestave disa politikanë gjermanë e përfaqësues të shoqërive civile kanë nxitur këtë projekt dhe kanë qenë pranë DITIB-it e komunitetit turk. Ai shtoi se kjo xhami do të ketë një vend të rëndësishëm në literaturën e arkitekturës botërore.

Duke theksuar se pronar të kësaj xhamie janë të gjithë muslimanët e jomuslimanët të cilët besojnë në vlerën e paqes, bashkëjetesës dhe respektit reciprok për njerëzimin, Erdoğan tha se në fenë islame xhamia nënkupton bashkuesin dhe vendin ku njerëzit mblidhen. Ai theksoi se këtu nuk ka ndarje e diskriminim, por bashkim, unitet dhe drejtim të përbashkët te Zoti.

“Islami është fe e paqes dhe se terrorizmi nuk ka vend në Islam”, tha Erdoğan dhe shtoi se “DEASH-i, e këta nuk kanë lidhje nga afër apo larg me Islamin. Çdo musliman duhet të jetë në dijeni të kësaj”. Ai potencoi se xhamitë që nga mesxhidi i Pejgamberit (Xhamia e Profetit në Medine) përveç që janë vende për adhurim, po ashtu janë fole për edukim dhe arsimim.

“Organizatat raciste shpërfillim drejtësinë dhe të drejtat e muslimanëve”

“Për një kohë disa qarqe po përpiqen që të vënë vëllezërit tanë që jetojnë jashtë shtetit nën një presion të dyanshëm. Në njërën anë të rinjtë tanë po tërhiqen në kurthin e terrorizmit nëpërmjet vrasësve si DEASH, FETO e PKK, kurse në anën tjetër organizatat raciste po e shpërfillin drejtësinë dhe të drejtat e muslimanëve”, tha presidenti turk Erdoğan.

Sipas tij, “asnjë strukturë, çfarë do qoftë emri e ideologjia e tij, i cili është përfshirë në terrorizëm, dhunë dhe në vrasje të muslimanëve nuk ka lidhje me islamin, muslimanët dhe me besimin tonë”.

Duke vënë në dukje se ashtu siç janë të gabuara konceptet “terrorizmi i krishterë”, “terrorizmi hebre”, “terrorizmi budist” ashtu është i gabuar edhe koncepti “terrorizmi islam”. Erdoğan tha se “Ata të cilët kanë futur në treg koncepte të tilla dhe ata të cilët i përdorin këto, them haptazi, sigurisht jan me qëllime jo të mira”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit