5.8 C
Pristina
Thursday, November 28, 2024

Fuad Ramiqi: Flet për drejtësinë e padrejtësinë

Më të lexuarat

Lajmi: A është religjioni një temë tabu në Kosovë?

Fuad Ramiqi: Nuk është aq tabu sa mundohet të paraqitet, sepse është pjesë e jona, pjesë e kulturës së trashëguar më herët. Por, gjithsesi religjioni është një gjë të cilën populli i Kosovës më së paku e njeh, më së paku mundohet ta njohë dhe më së paku mundohet të jetë i përshtatshëm si pjesë e paevitueshme e popullit shqiptar në Kosovë.

Lajmi: Në politikën kosovare shihen tendenca të largimit të religjionit nga politika. Si e shihni ju këtë tendencë në raport me angazhimin tuaj politik, pra të LISBA’së?

Fuad Ramiqi: Gjithmonë duke iu referuar të kaluarës së hidhur që ka kaluar populli shqiptar në tërësi, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri dhe vendet tjera, ateizmi ka qenë dominues dhe regjimi i egër ka përjashtuar gjithçka në lidhje me religjionin. Sot, kur flasim për demokraci, thirrjet që Kosova është një shtet laik në bazë të Kushtetutës, dhe këtë shumë eksponentë që janë më tepër në institucionet e Kosovës, po them thjesht servilë ose vasalë ndaj interesave dhe grupeve të huaja, për ta ruajtur pushtetin e vet, duan t`i shkelin parimet bazike të të drejtave dhe lirive të njeriut, por edhe të demokracive të zhvilluara, ku religjioni është pjesë përbërëse e çdo individi dhe i shoqërisë në përgjithësi.

Pa marrë parasysh se si definohet ai shtet, është me rëndësi të lexohet mirë dhe të interpretohet mirë. Pushtetarët mundohen të abuzojnë se feja është e ndarë nga shteti, që nuk është e saktë. Institucionet fetare janë të ndara nga pushteti dhe shteti, kurse populli dhe feja nuk është e ndarë. Shteti dhe pushteti mund të jetë laik, por populli është i lirë, ai mund të zgjedhë dhe jetojë ashtu siç ia garantojnë kartat më të rëndësishme ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut dhe teoritë dhe praktikat e shteteve demokratike në përgjithësi.

Lajmi: Sa do të mund t’i bëni ballë presionit ndërkombëtar, i cili nuk është shumë përkrahës i qëndrimeve religjioze si këto tuajat?

Fuad Ramiqi: Në Kosovë, që nga paslufta, është një agresion i egër anti Islam dhe nuk e kemi obligim që t’i bëjmë ballë këtyre gjërave, sepse ne jemi këtu vendorë, jemi populli, ky është vendi ynë, kjo është kultura jonë, kjo është feja jonë, është kombi ynë. Ne kemi obligim vetëm të jemi ashtu siç jemi, natyralë, të mos heqim dorë nga identiteti ynë, kombëtar e fetar, pa marrë parasysh presionet që bëhen nga qarqe të ndryshme, kinse në emër të demokracisë dhe laicizmit apo integrimeve tjera në qarqet ndërkombëtare.

 

Lajmi: A e mendoni opsionin që – edhe nëse arrini sukses në politikë, konkretisht në zgjedhjet e ardhshme parlamentare – do të mund të izoloheni nga partitë tjera, si pasojë e presionit ndërkombëtar?

Fuad Ramiqi: Do të ishte një fatkeqësi e madhe për popullin e Kosovës dhe demokracinë në tërësi nëse do të ndodhte një gjë e tillë, që ne të izolohemi, pa marrë parasysh nga subjektet politike ose tendencat që edhe LISBA të izolohet në tërësi, sikurse që është edhe një agresion medial, të disa mediave, ndaj LISBA’së.

Do të ishte fatkeqësi për demokracinë edhe popullin kosovar, sepse është një koncept shumë natyral, praktik, real, nuk ka të bëjë absolutisht me diçka që do ta rrënonte çfarëdo dukurie që është pjesë përbërëse e popullit të Kosovës, por edhe të ardhmes së popullit të Kosovës. Përkundrazi, është një risi. Mund të them që LISBA mund t’u paraprijë disa proceseve që janë standarde në një shoqëri të vendeve demokratike, kur bëhet fjalë për të drejtat dhe liritë e njeriut, pa marrë parasysh cilit besim i takojnë. Por, në këtë rast, ne jemi të besimit Islam dhe e kemi obligim që këtë ta propagandojmë në mënyrën më të mirë, në bazë të koncepteve dhe parimeve që i kanë të gjitha demokracitë në botë.

 

Bashkësia Islame duhet të riorganizohet

Lajmi: Si e vlerësoni angazhimin e Partisë së Drejtësisë në Parlament, në kontekstin e çështjeve që kanë të bëjnë me Islamin?

Fuad Ramiqi: Nuk do të ishte mirë që të flas, megjithatë mendoj se ka dështuar në bazë të premtimeve që i ka dhënë dhe nuk e shoh ndonjë arsye që të flas më shumë.

Lajmi: Si e vlerësoni faktin se është rritur numri i hoxhallarëve të cilët po merren me çështje të politikës, në disa raste edhe duke lobuar për parti të ndryshme?

Fuad Ramiqi: Mendoj se nuk është diçka skandaloze, ose diçka që duhet të shqetësohet opinioni. Kudo në botë, në sistemet demokratike, kur mbahen zgjedhjet, i keni të angazhuar direkt edhe njerëzit e religjioneve. Po flas sidomos në vendet demokratike. Kurse, këtu në Kosovë e keni një rast shumë të rëndësishëm, që në përgjithësi e kemi problemin te serbët, ku priftërinjtë serbë flasin haptas për kë do të votohet, si do të shkojë kjo punë, e askush nuk e ngrit zërin për këto gjëra të cilat tashmë janë evidente tek ne.

Lajmi: Çfarë vlerësimi keni për Bashkësinë Islame të Kosovës?

Fuad Ramiqi: Bashkësia Islame e Kosovës është një institucion shumë i rëndësishëm për shoqërinë kosovare, por edhe për myslimanët. Pa dyshim që e ka një traditë në zhvillimin e vlerave në përgjithësi të Islamit dhe myslimanëve.

Megjithatë, mendoj se Bashkësia Islame duhet të riorganizohet, duhet të jetë më e fortë, duhet të jetë më tepër në shërbim të interesit të myslimanëve dhe të Islamit në përgjithësi, ta promovojë imazhin e Islamit dhe të ecë përpara, asgjë tjetër.

 

Presidententja nuk di ta interpretojë Kushtetutën

Lajmi: Është evidente se ju nuk keni marrëdhënie të mira me Presidenten Atifete Jahjaga. Cilat janë vërejtjet tuaja kryesore ndaj punës së saj?

Fuad Ramiqi: Për mua personalisht, është e papranueshme mënyra se si është bërë Presidente. Sigurisht që nuk ka asnjë bagazh, as profesional, nuk ka as karizëm, nuk ka as aftësi, në fund të fundit.

Është një person që duhet të reflektojë krejt ndryshe në bazë të Kushtetutës, por edhe në bazë të epitetit të cilin e mban. Duhet të jetë, në radhë të parë, unifikuese, mos të bëjë gjëra të cilat janë diskriminuese.

Ajo në vazhdimësi ka luajtur një rol tepër ekstrem ndaj Islamit dhe ndaj besimtarëve në Kosovë, vazhdimisht duke i hedhur në sipërfaqe temat të cilat fare nuk kanë të bëjnë me realitetin në Kosovë.

I ka dhënë vetës shumë liri që të merret edhe me ritet e besimeve të tjera, kurse në vazhdimësi ka dalë me deklarata për ndalimin e çështjes së shamisë, për ndalimin e mësim-besimit, për çështje të Islamit.

Tash e pamë edhe në këtë fjalimin e fundit, fatkeqësisht një fjalim të suflerëve, ta quajmë ashtu, sepse dikush tjetër ia bën ato, meqë ajo nuk ka aftësi të merret me ato gjëra.

Është parë edhe një tendencë që ajo ta zhvendosë vëmendjen e opinionit rreth ngjarjeve në Kosovë në këtë vitin e fundit, sidomos çështjen e Veriut të Kosovës, çështjen e kriminelëve, çështjen e ligjit për amnisti të kriminelëve, çështjen e varfërisë, çështjen e shumë kompromiseve që fatkeqësisht pushteti në Kosovë është duke i bërë në dëm të shtetit dhe të vendit, edhe të shqiptarëve por edhe në dëm të demokracisë në përgjithësi, duke bërë diskriminime të thella, ose duke dhënë privilegje të mëdha ndaj atyre që kanë punuar, punojnë dhe do të punojnë kundër interesit të Kosovës.

Kurse, këto nuk janë çështje të nxehta, tendenca që të bëhen çështje të nxehta, për ta ruajtur pushtetin ose për ta siguruar një ardhmëri të veten si vasale, servile e interesave të huaja, ky është një dështim personal i saj, por është edhe një dëm shumë i madh i Kosovës.

Çështja e njerëzve që shkojnë në luftra, duhet të rregullohet ndryshe, nuk mund të etiketohen ose të bëhen gjëra, apriori, nxitje shkak dhe pasojë, sepse nuk janë të mira për askënd, as për ata që shkojnë, as për ata që vijnë, ose për ata që janë këtu.

Kosova nuk ka pasur asnjëherë, dhe besoj që nuk do të ketë asnjëherë, element të terrorizmit, sepse nuk ka asnjë arsye. Nuk ka asnjë arsye, qoftë edhe nga ata individë, edhe pse është zgjedhje e tyre personale. Tashmë është dëshmuar se nuk ka asnjë organizim, pa marrë parasysh tendencat që të paraqiten dhe të etiketohet edhe LISBA, ose ngjyrosje të tjera të grupeve ose individëve.

Është dëshmuar se kjo është iniciativë e individëve. Duhet të bëhet një klimë ndryshe në Kosovë. Jo të ashpërsohet gjendja ose të paragjykohet, por të bëhet një klimë tjetër, me mënyra dhe mjete të tjera që ‘Ne jemi këtu në hall dhe ne duhet ta çojmë përpara vendin tonë’, e jo duke gjetur shkaqe të paekzistuara për ta rehabilituar vetveten.

Lajmi: Presidentja është garante e Kushtetutës. Dhe, sipas Kushtetutës, Kosova është vend laik. Si mendoni se do të zgjidhet çështja e shamisë për nxënëset, sepse duket se ekziston një bllokadë në këtë aspekt?

Fuad Ramiqi: Ky është një agresion. Kjo është një padrejtësi e madhe. Ky është një keqinterpretim, ose më mirë të them mosdituri e interpretimit, sepse jam i bindur se ajo nuk di ta interpretojë Kushtetutën, e as çka do të thotë shteti laik.

Shteti laik nuk e ndalon çështjen fetare, nuk i ndalon të drejtat dhe liritë fetare. Këto janë të cekura në Kushtetutë.

Këtu, me qëllim janë bërë disa udhëzime administrative ose klimë e përgjithshme e pushtetit që nga ateizmi si shoqëri po dëshiron që ta transferojë krejt shoqërinë në laicizëm të skajshëm. Absolutisht për ta ruajtur pushtetin, ose për të qenë vasal i privilegjuar për interesa të huaja.

Me Kushtetutë dhe me ligje i lejohet çdokujt bartja e shamisë dhe gjërave të tjera, që jam i bindur se edhe pa dëshirën e Presidentes, edhe me dëshirën tonë, çështjet e demokracisë dhe parimet e lirive dhe të drejtave të njeriut, sidomos përmbushja e standardeve për integrimet europiane, do të jenë të garantuara dhe do të shkojnë me shami në shkolla vajzave të cilave u mohohet e drejta e tyre në arsimim, se largimi nga shkolla ua mohon të drejtën e obligueshme që e kanë për arsimim.

Nuk mundet ajo të dalë dhe të krekoset se duhet barazia gjinore ose emancipimi i femrave e të tjera, se kjo është gjithçka artificiale. Madje edhe ajo vetë është artificiale.

 

Shqiptarët në Siri, për ta luftuar të keqen

Lajmi: Pse shqiptarët po shkojnë t’u dalin në ndihmë kryengritësve sirianë?

Fuad Ramiqi: Po, ma merr mendja para dy-tre muajve, e kemi pasur thirrjen e Presidentes edhe Kryeministrit të Kosovës që Amerika të intervenojë në Siri, që ta luftojë të keqen dhe Bashar al-Assadin. Ka qenë një thirrje publike. Sigurisht që ata e kanë pasur një arsye që kanë thënë se duhet Amerika që të intervenojë, që të luftohet e keqja.

Sigurisht se këta individë kanë shkuar që ta luftojnë të keqen.

Kur ka nisur lufta, nuk ka pasur dallime të mëdha, njohuri të mëdha, dhe të gjithë njerëzit kanë shkuar që të luftohet një e keqe, për të ardhur një sistem tjetër që do t’ia sigurojë lirinë atij populli.

Fatkeqësia më e madhe është se vetë Presidentja si refugjate e di se çka do të thotë të jesh refugjat, edhe pse nuk e di se çka do të thotë të jesh brenda, të jesh i masakruar ose i përdhosur.

Çdokush që tenton ta japë një kontribut, për të luftuar të keqen, është i mirëseardhur dhe është humane.

Unë, në luftën e Kosovës, por edhe në Bosnjë, kam pasur shumë njerëz që kanë ardhur nga vendet e Perëndimit, edhe nga vendet e Lindjes, në Kosovë, sikurse edhe në Siri ka edhe ekipe të instruktuara ose të dërguara nga shtetet që e bëjnë luftën kundër Bashar al-Assadit.

Kurse për të diskutuar për gjendjen brenda Sirisë, sigurisht që është një temë tjetër, duhet një qasje më ndryshe, që në Kosovë fatkeqësisht janë të mbyllura këto tema dhe nuk kanë njohuri se si janë të zhvilluara fraksionet atje, ose si janë të radhitur njerëzit.

Lajmi: A e kanë të obliguar me fe?

Fuad Ramiqi: Unë jam fetar, e praktikoj fenë në jetën time të përditshme, kam qenë edhe pjesëmarrës në dy luftëra. Sigurisht as unë, e as ata, nuk kanë shkuar nga parimet, fillimisht nga parimet fetare që të bëhet ajo, edhe pse kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por të jeni të bindur se janë të saktësuar edhe në aspektin fetar se ku shkohet dhe kur shkohet dhe pse shkohet. Këtë mund ta shpjegojnë njerëzit që kanë doktoratura në këtë lëmi. Por, besoj që ecuria e tyre në fillim nuk ka qenë për shkaqe fetare, por thjesht për shkaqe humane.

Lajmi: A mund të paraqesin rrezik shqiptarët kur të kthehen nga lufta e Sirisë në Kosovë?

Fuad Ramiqi: Ne i kemi ekstremistët edhe në aspektin kombëtar, që janë serbët, dhe në aspektin fetar, që janë shumë ekstremë, e ata janë ortodoksët që jetojnë në Kosovë, kanë vepruar dhe kanë bërë krime të cilët jetojnë këtu dhe askush nuk po thotë që janë rrezik. Duke e njohur mentalitetin tonë si popull dhe tendencat që Kosova të ecë përpara, jam i bindur që nuk ka rrezik dhe nuk do të ketë rrezik. Rreziku më i madh është në qoftë se vazhdimisht insistohet, etiketohen dhe paragjykohen këto gjëra, që domosdo të ndodhë diçka, për t’ia arsyetuar pushtetarëve pozitat e veta ose ardhmërinë e tyre të pushtetit dhe privilegjeve që i kanë./lajmi.net/kohaislame.com

[iframe width=”560″ height=”315″ src=”//www.youtube.com/embed/G_ochClyfa0″ frameborder=”0″ allowfullscreen]
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit