-5.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Sistemi i përsosur i zekatit “Adhurim dhe garanci shoqërore”

Më të lexuarat

Në fillim të Islamit, zekati është përmendur në suret mekase, por duke patur për qëllim kontributin solidarizues, vullnetar, të papërcaktuar në kohë e sasi. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë besimtarët janë të shpëtuar. Ata të cilët janë të nënshtruar dhe përkushtuar në faljen e namazit, ata të cilët largohen nga e kota edhe ata që japin zekatin”. (Muminunë / 1-6).
Gjithashtu Allahu i madhëruar thotë: “Mjerë për politeistët, ata të cilët nuk e japin zekatin dhe nuk besojnë në botën tjetër”. (Fusilet/ 6-7).
Zekati është përmendur edhe gjatë prezantimit të udhëzimeve profetike dhe vlerave të Islamit me disa mbretër të asaj kohe. Xhafer Ibn Ebu Talib gjatë këtij prezantimi në kuvendin e Nexhashiut tha: “Jemi urdhëruar që të adhurojmë vetëm Allahun, të mos i vemë shok asgjë dhe jemi urdhëruar të falim namazin, të japim zekatin dhe të agjërojmë”.[1] Kjo ka ndodhur në vitin e 5 të profetësisë.

Shoqëria islame e themeluar nga profeti Muhamed (a.s) arriti nivelin e duhur në aspektin e rrënjosjes së besimit dhe të edukimit moral, në aspektin e bindjes dhe të nënshtrimit, të bujarisë dhe sakrificës, të zhveshjes nga egoizmi individual dhe shoqëror. Islami u përforcua me përfaqësuesit e tij dhe sakrificën e ndjekësve të tij. Kategoritë njerëzore dhe nivelet morale e shpirtërore u bënë të shumëllojta. Kjo shoqëri përbëhej nga i pasuri, i varfëri dhe ai mes tyre. Në të jetonte bujari dhe fisniku, jetonte ai që dhënien e kishte pasionin e tij, jetonte edhe kopraci në mes tyre. Burimi i lidhjeve të kësaj shoqërie dhe monitoruesi i veprimeve të saj ishte sheriati i përjetshëm dhe gjithëpërfshirës.
Pasi shoqëria islame arriti këtë nivel, Allahu i madhëruar me urtësinë dhe bujarinë e Tij ndaj robërve të Tij i përligji zekatit një sistem me kufij të qartë, me standarde dhe sasi të përcaktuara. Një sistem të mesëm, të pa përçmueshëm nga të pasurit fisnikë e ambiciozë për të dhënë dhe të mundshëm nga të mesmit apo ata më poshtë tyre, që plotësojnë kushtet e dhënies.
Ky sistem u përcaktua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Allahu i madhëruar dhe profeti Muhamed (a.s) dhe nuk iu la mendimit ambicioz dhe emocioneve njerëzore, të cilat vazhdimisht përjetojnë baticë e zbaticë, forcë dhe dobësi. Nuk iu la as ligjvënësve dhe as dijetarëve e mendimtarëve, për shkak se besueshmëria tek ta nuk është veti e përhershme në çdo kohë e vend. Gjithashtu edhe rënia pre e egos dhe interesit paraqet një rrezik të vazhdueshëm. Sakaq zekati erdhi si një obligim me parime, kufij dhe sasi të përcaktuara.
Shejhul islam Ahmed Abdu Rrahim Dehleui ka qenë i suksesshëm në zbulimin e urtësisë së përcaktimit dhe specifikimit të dispozitave të zekatit dhe sistemit të tij. Ai ka thënë: “Përcaktimi i elementeve të zekatit qe shumë i nevojshëm. Përndryshe do të kishte rënë pre e zullumqarit dhe të papërgjegjshmit. Sasia e zekatit s’duhej të ishte aq e vogël sa të mos luante asnjë rol në kurimin e koprracisë e as aq e madhe, sa të ishte e rëndë dhe e vështirë dhënia e tij. I nevojshëm qe edhe përcaktimi i etapës kohore, në të cilën nxirret zekati. Nëse do ishte më e shkurtër se ç’duhej, do vështirësohej dhënia e tij për shkak të përsëritjes së shpejtë. E nëse do të ishte më e gjatë se ç’duhej, objektivi i pastrimit shpirtëror, nga koprracia dhe egoja dhe i plotësimit të nevojave të nevojtarëve do bëhej i paarritshëm, për shkak të efektit të dobësuar nga koha e gjatë e nxjerrjes së zekatit. Vetëm përcaktimi i drejtpërdrejtë hyjnor e profetik i sasisë arriti të bashkojë saktësisht e përfundimisht mes interesit të dhënësit të zekatit dhe marrësit të tij.

Pasuritë e zekatit dhe urtësia e dallimit në sasi e kohë

Profeti Muhamed (a.s) e përcaktoi sasinë e zekatit, pasuritë nga të cilat nxirret dhe kufirin sasior të obligueshëm për të dhënë zekatin e këtyre pasurive.
“Pasuritë nga të cilat nxirret zekati që xhirohen më shumë se të tjerat mes njerëzve janë katër llojesh: i pari përbëhet nga drithërat dhe frutat, i dyti nga devetë, lopët dhe të imtat, i treti nga floriri dhe argjendi dhe i katërti nga malli i tregëtisë me llojet e tij të shumtë e të pafund”.[2]
Imam ibnu Kajim në librin e tij “Zade l mend” ka bërë një orvatje të suksesshme për përcaktimin e objektivit të përzgjedhjes së pasurive, nga të cilat nxirret zekati, si dhe për përcaktimin e urtësisë së dallimit mes kufijve sasiorë të këtyre pasurive dhe urtësisë së caktimit të kohës në të cilën nxirret ky zekat: “Allahu i Madhëruar e ka bërë obligim zekatin një herë në vit. Kohë të zekatit të frutave dhe të drithërave ka caktuar pjekjen e tyre. Ky është kulmi i drejtësisë, sepse nëse do e kishte obliguar një herë në javë apo në muaj do ishin dëmtuar pronarët e pasurive e nëse do e kishte obligua një herë në jetë do ishin dëmtuar nevojtarët. Njëkohësisht ka dalluar mes sasive të zekatit në varësi të lehtësisë dhe vështirësisë së mundit dhe përpjekjes së njeriut për t`i fituar këto pasuri. Ka bërë obligim 1/5 tek pasuritë e thesarit të gjetur, të cilit nuk i ka përcaktuar periudhë kohore. Ka bërë obligim 1/10 tek pasuritë, që kërkojnë mund dhe shpenzim më shumë se në rastin e parë, siç janë pemët frutore dhe drithërat, të cilat mblidhen mekanikisht, përderisa ujitja e tyre bëhet nga shiu pa qenë e nevojshme blerja e ujit, as hapja e puseve apo kanaleve. Ndërsa nga pemët frutore dhe drithërat që kanë nevojë për ujitje artificiale, nxirret 1/20. Ka bërë obligim 1/40 (2.5%) tek ato pasuri, zhvillimi i të cilave mbështetet mbi punën, aktivitetin dhe menaxhimin e vazhdueshëm të poseduesve të tyre ,siç janë floriri, argjendi dhe malli i tregtisë. S’ka dyshim se shpenzimet e llojit të fundit janë shumë më të mëdha se shpenzimet e drithërave dhe frutave, sepse rritja dhe zhvillimi i drithërave dhe pemëve frutore është më i shpejtë dhe më i madh se i mallit të tregtisë. Rrjedhimisht përqindja e zekatit tek frutat dhe drithërat është më e madhe. Shtimi dhe zhvillimi i drithërave dhe pemëve frutore që ujiten nga shiu dhe burimet është më i madh se i atyre që ujiten artificialisht. Ndërsa tek thesaret e gjetura efekti i fitimit është akoma dhe më i konstatueshëm se te të gjithë llojet e tjera të pasurive.
Duke u nisur nga fakti se jo çdo lloj sasie, edhe nëse është shumë e vogël, luan rol në plotësimin e nevojave, pasurive nga të cilat jepet zekati, iu përcaktua kufiri sasior nga i cili fillon dhënia e zekatit. Ky kufi, veç asaj që bën të mundur plotësimin e një sasie të konsiderueshme të nevojave të të varfrit, nuk i bën dëm poseduesit të këtyre pasurive. Kufiri sasior i argjendit fillon nga 200 dërhem ( 585 gr argjend), i floririt 20 dinar (85 gr flori ), drithërave 300 sa’ë (njësi matëse e përdorur në kohën e profetit a.s. një sa’ë është e përafërt me 2.25 kg), i deleve fillon kur arrin numrin 40 krerë, i lopëve fillon nga 30 dhe i deveve kur arrijnë 5 deve.

Fushat e investimit të zekatit dhe dimensioni shoqëror i tij

Allahu i Madhëruar i ka sqaruar fushat e investimit të zekatit në një verset të sures Teube: “Allahu ka urdhëruar, që sadakatë ( zekati etj) t`iu jepen vetëm të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), nëpunësve (të institucionit të zekatit), për të sistemuar të luhaturit për tu futur në islam, për lirim nga robëria, atyre që kanë borxhe, në rrugë të Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu është i dijshmi dhe i urti”. (Teube / 60).
Zbritja e kësaj sureje qe pas çlirimit të Mekës, pasi ishin ngritur shtyllat e islamit dhe njerëzit kishin filluar të futen në Islam tufë-tufë. Sistemi shoqëror i zekatit ishte organizuar. Profeti (a.s) caktoi administratorët dhe nëpunësit e zekatit dhe i dërgoi për ta mbledhur atë, prej atyre që e kishin të obliguar. Profeti (a.s) i bëri fare të qarta dispozitat dhe etikat, që duhet të kishin parasysh gjatë mbledhjes dhe shpërndarjes së zekatit, nga të cilat del në pah urtësia dhe mëshira hyjnore, si dhe interesi shoqëror përkrah atij personal. Në vitin e 10 të hixhretit profeti (a.s) dërgoi Muadh Ibn Xhebelin në Jemen dhe e shoqëroi me një porosi, e cila u bë baza ligjore e zekatit dhe qarkorja zyrtare e tij: “O Muadh ti po shkon te një popull, që janë ithtarë të librit. Kështu që ftoi, së pari të dëshmojnë se s’ka Zot tjetër veç Allahut dhe se unë jam profeti i Tij. Nëse të përgjigjen për këtë, atëherë bëji me dije se Allahu i ka obliguar të falin 5 namaze gjatë një dite e një nate, nëse të përgjigjen për këtë, njoftoi se Allahu i ka ngarkuar të pasurit të nxjerrin zekatin nga pasuritë e tyre e t`ua japin të varfërve të popullit të tyre. Nëse ata të binden në nxjerrjen e zekatit, mos tento të marrësh si zekat pasurinë e tyre më të çmueshme dhe ruaju lutjes që del si pasojë e padrejtësisë, sepse mes saj dhe Allahut nuk ka pengesë (Allahu i përgjigjet)”.

Interesat bazë të zekatit
Shumë shkrimtarë myslimanë bashkëkohorë duke qenë të ndikuar – kush më pak e kush më shumë – nga sistemet ekonomike bashkëkohore si dhe nga interesimi i madh që gëzon shkenca e ekonomisë dhe dominimi i saj ndaj të gjithë sistemeve dhe metodave aktuale të mendimit, e kanë tepruar me stërhollimet e tyre rreth dobive dhe interesave ekonomiko – shoqërore të zekatit, duke e kategorizuar atë si një nga taksat më të drejta e më të balancuara ekonomike që ka njohur ndonjëherë historia e ekonomisë botërore. Sakaq e kanë konsideruar zekatin si bazën më të madhe dhe mbështetësin më të fuqishëm të socializmit, për të cilin mendojnë se Islami ka qenë e i pari, që e ka paraqitur si sistem legjitim e të dobishëm dhe se vetëm në epokën e tij është realizuar në formën e tij më të plotë. Në këtë formë, këta, thuajse e kanë harruar plotësisht – përveç një pakice që i ruajti Allahu – shpirtin dominues të zekatit, shpirtin e adhurimit dhe afrimit të Allahu, urtësinë e parë dhe bazë të zekatit, që është pastrimi i shpirtit nga koprracia, egoizmi, dhunimi i të drejtave të fukarenjve dhe ashpërsia e zemrës, po ashtu edhe pastrimi i pasurisë dhe zhvillimi i saj, zbritja e begatisë si fryt e kënaqësisë së Allahut dhe pranimit të Tij dhe si fryt i solidarizimit me fukarenjtë e dobët dhe lutjeve të tyre të përzemërta. Allahu i Madhëruar e ka theksuar këtë urtësi bazë, duke e specifikuar atë dhe duke e trajtuar thuajse si urtësinë e vetme të zekatit. Allahu i drejtohet profetit të Tij: “Merr prej pasurive të tyre një pjesë, që ti pastrosh me të dhe tu shtosh të mirat”. (Teube / 103).
Gjithashtu Allahu i madhëruar sqaron, duke krahasuar midis kamatës dhe zekatit: “Ato pasuri që ju kërkoni t’i shtoni duke ua dhënë njerëzve me kamatë, nuk shtohen te Allahu. E ato pasuri që jepen zekat për hir të Allahut, janë të shumëfishuara”. (Rrum / 39).
Ebu Daudi transmeton prej Ibnu Abasit, se profeti (a.s) ka thënë: “Shkaku se pse Allahu e ka bërë obligim zukatin, është ruajtja dhe rregullimi i pjesës tjetër të mbetur të pasurisë”. Ky interes bazë dhe parësor i zekatit pasohet nga interesi i grupit dhe shoqërisë, që është garantimi i domosdoshmërive dhe plotësimi i nevojave elementare dhe të natyrshme të të varfërve, si dhe sigurimi i faktorëve të një jete dinjitoze për çdo individ të shoqërisë, për të qenë i aftë për realizimin e të drejtave hyjnore dhe vetjake dhe i mundshëm për të arritur përsosshmërinë e duhur dhe objektivin, për të cilin ekziston çdo individ.
Ata dijetarë që iu qasën Kuranit dhe sunetit, përmes studimeve të thella dhe origjinale dhe që kanë nxënë në shkollën profetike dhe mbi të gjitha, kanë hyrë në shtëpinë e perceptimit të drejtë të Islamit nga dera dhe jo nga dritaret, kanë respektuar renditjen mes këtyre interesave, duke i dhënë çdo interesi atë pozitë që i takon, duke u nisur nga përcaktimi kuranor, suneti profetik dhe konceptimi i drejtë i sahabëve (bashkëkohësve) të Profetit (a.s), renditje e cila u mor për bazë respektivisht nga të gjithë dijetarët myslimanë brez pas brezi.
Le të përmendim një model prej dijetarëve të mëdhej të Islamit. Shejhul – islam Ahmed Bin Abdurrahim Al-Dehleui shpreh bindjen e tij të krijuar nga studimi rreth interesave dhe objektivave bazë të zekatit: “Dije se dy janë interesat bazë, që janë marrë parasysh në përligjjen e zekatit. I pari ka të bëjë me përsosjen dhe pastrimin e shpirtit. Koprracia është një nga sëmundjet më të rrezikshme të shpirtit dhe nga moralet më të këqija, me pasoja të rënda edhe në ahiret. Ai që është i infektuar nga koprracia, zemra e tij vazhdon të jetë e lidhur me pasurinë edhe në momentin e vdekjes dhe për shkak të saj ai përjeton vuajtje. Ndërsa ai, i cili është stërvitur me zekatin dhe e ka çliruar veten e tij nga koprracia, i shpëton vuajtjes në dynja dhe ahiret. Morali më i dobishëm në ahiret pas bindjes dhe dashurisë së Allahut, është bujaria e shpirtit. Ashtu si bindja dhe dashuria për Allahun i pret shpirtit rrugën e kryeneçësisë dhe mendjemadhësisë, po ashtu edhe bujaria e lartëson këtë shpirt nga sjelljet e ulëta të kësaj bote. Bujaria buron nga mposhtja e natyrës shtazore dhe mbisundimi i natyrës engjëllore, si dhe ngjyrimi i natyrës shtazore me atë engjëllore. Tregues i kësaj gjendjeje si edhe stimulues i saj është dhënia e pasurisë edhe kur e ke të nevojshme, falja e padrejtësisë, durimi i vështirësive si dhe përçmimi i dhimbjeve të dynjasë si rrjedhojë e sigurisë së besimit në ahiret. Profeti (a.s) ka urdhëruar zbatimin e të gjithë faktorëve të mësipërm, por ka specifikuar më madhoren e tyre , dhënien e pasurisë në kufij të caktuar. Dhënia e pasurisë është shoqëruar me namazin dhe besimin në shumë ajete uranore, ku ndër më domethënësit është ky ajet, që përshkruan banorët e xhehenemit: “Ata thanë: Nuk kemi qenë prej atyre që faleshim. Nuk kemi qenë as prej atyre që ushqenin të varfrit. Por kemi qënë prej atyre që bënin punë të kota”. (Mudethir / 43-45).
Interesi i dytë ka të bëjë me shoqërinë, elemente të së cilës janë domosdoshmërisht edhe të varfrit e nevojtarët. Nevoja dhe varfëria nuk janë gjendje permanente për një shtresë të caktuar të shoqërisë, por gjendje që endet ndër të gjithë njerëzit. Nëse në shoqëri nuk do ekzistonte parimi i solidarizimit me të varfrin dhe nevojtarin, do kishin vdekur urie të gjithë.
Sistemi shoqëror funksionon i lidhur ngushtë me pasurinë. Drejtuesit, komanduesit dhe ruajtësit e interesave të kësaj shoqërie e kanë të pamundur, që krahas interesave të saj, të merren edhe me sigurimin e nevojave të tyre dhe familjeve të tyre. Aakaq nevojat e tyre duhet të plotësohen nga pasuria e dhënë nga kjo shoqëri.[3]
Dijetari i shquar Bahrul –ulum Jekelneui thotë: “Zekati nuk është gjobë, por adhurim i mirëfilltë për Allahun, ashtu si adhurimet e tjera. Nijeti është i domosdoshëm në dhënien e zekatit, sepse është një adhurim madhor, një prej shtyllave të Islamit ashtu si namazi, që ka si objektiv qendror sevapin. Sakaq nijeti është absolutisht i nevojshëm. Nëse zekati jepet pa nijet, nuk merret në konsideratë ashtu si namazi , pavarësisht se namazi pa nijet bëhet i pavlerë, ndërsa zekati shndërrohet në dhuratë dhe dhënësi përfiton sevapin e dhuratës, sepse Allahu nuk ia humb shpërblimin atij që bën një të mirë[4]”./ardhmeriaonline


Mr. Sabahudin Jashari

[1] Sira e Ibn Hishamit
[2] Zad el mead 1/145
[3] Huxhetu – llahi el Beligah. 2 / 29-30.
[4] Resailul – erkan. 163.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit