11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Më të lexuarat

Er – Rija ( Syfaqësia) dhe dispozita e saj

Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi salAllahu alejhi ve sel-lem ka thënë; Allahu i Lartësuar ka thënë: ” Unë jam më i panevojshmi për ortak, ndaj kush vepron një punë dhe ma bashkangjit dikë si ortak, e lë atë dhe shirkun e tij”. ( Muslimi)

Er – Rija është vetëshfaqje e veprave, me qëllim të rënët në sy njerëzve e që për to të merr lëvdata.
Syfaqësia është dy lloje: lloji i parë – syfaqësia në bazën e besimit, duke e fshehur brenda mosbesimin apo kufrin dhe duke e shfaqur Islamin, ndryshe njihet edhe si syfaqësia e hipokritëve. Kjo është shirk i madh dhe bie ndesh me esencën e teuhidit(njësimit).
Lloji i  dytë – syfaqësia  që bie ndesh me përsosurinë e besimit, kur robi shfaq disa vepra të tij për të fituar lavdërimin e njerëzve dhe kjo përbën shirk të vogël. Kur përmendet rija-ja në diskursin fetar është për qëllim kjo e fundit.

Rreziku i syfaqësisë

1. Syfaqësia në tekstet fetare quhet shirk, e kjo mjafton për të kuptuar rrezikun e saj
2. Syfaqësia i shkatërron veprat e bëra për sy e faqe
3. Është e vështirë të i iket syfaqësisë ngase shtytësi i saj është i fuqishëm dhe epsh i fshehur në shpirt, e që është dashuria për lavde dhe prijësim e kjo iu kanoset edhe robërve të devotshëm, dijetarëve, adhuruesve kurse të vetmit që shpëtojnë janë sidikët(të vërtetit).

Si ndahet syfaqësia:

1. Syfaqësia e plotë – fare nuk është për qëllim jeta e mëtejme e as nuk synohet përmes veprave Fytyra e Allahut, mirëpo vetëm syfaqësi dhe kjo vepër padyshim është e pavlefshme.
2. Syfaqësia si qëllim themelor, por jo vetëm – e që është qëllimi për të fituar knaqësinë e Allahut por njëherazi edhe qëllimi për t’u rënë në sy njerëzve  dhe për lavdërim, veprat që bëhen në këtë formë padyshim janë të pavlefshme.
3. Syfaqësia e shfaqur papritmas – kur veprën e fillon për hir të Allahut por papritmas shfaqet syfaqësia, kjo ndahet në dy forma:
– Nëse shfaqet papritmas por ballafaqohet me rezistencë nga ana e vepruesit dhe si pasojë largohet, kjo nuk i bën dëm d.m.th bëhet fjalë për një mendim kalimtar që e ka larguar.
– Nëse shfaqet papritmas dhe nuk i reziston por i jep hapsirë dhe të përcjellë deri në përfundim të veprës, sipas mendimit më të saktë  ajo vepër konsiderohet e pavlerë. Kjo sepse argumentet nuk bëjnë dallim mes syfaqësisë në fillim të veprës ose gjatë saj nëse ajo vazhdon deri në përfundim të veprës.
4. Syfaqësia e shfaqur pas përfundimit të veprës – për këtë lloj syfaqësie disa  dijetarë kanë thënë se bëhet fjalë për syfaqësi kurse disa të tjerë kanë thënë se bëhet fjalë për et – tesmi ose es- suma që konsiderohet simotër e syfaqësisë e që ka kuptimin ” të dëgjohet për dikë, t’i shpërndahet nami” . Dijetarët nuk janë të një mendimi se a ndahet er – rija dhe et- tesmiu(suma-ja) por prapë shumica i ndajnë.
Dallimi mes tyre është se – Rijaja është diçka që shfaqet dhe ngjizet gjersa bëhet vepra, duke vepruar dëshiron të duket ose t’a shohin të tjerët. Kurse Es Suma ose tesmiu është diçka që shfaqet pas kryerjes së veprës, pra të flitet për veprën pas përfundimit të saj, që të dëgjohet dhe thuren lëvdata.

Në rastet kur vepra shpërfaqet dhe del sheshazi por jo me vetiniciativë për t’a zbuluar atë, fjala bie kur dikush të sheh duke e vepruar atë vepër, dhe të del nami ose përhapet lajmi për të, edhe nëse ai gëzohet kjo nuk do t’a dëmtojë, siç është shënuar nga Muslimi se Pejgamberi salAllahu alejhi ve sel-lem ishte pyetur për lëvdatat që merr njeriu për veprat e bëra, kurse ai kishte thënë: ” Ai është sihiraqi i përshpejtuar i besimtarit” . Po ashtu edhe rastet kur njeriu e shpërfaq veprën me synim promovimin e saj për t’u ndjekur nga të tjerët ose për t’u marrë shembull, kjo nuk ka të bëjë me syfaqësi ose dëshirën për nam, por duhet pasur kujdes.

Fudjal Ibn Ijadi ka thënë: ” Kush i njeh njerëzit, rehatohet! “; pra nuk shtiret për ta, nuk i ka synim, e nuk ua lëshon sytë e as nuk përpiqet t’u bie në sy, ngase njerëzit as nuk të qojnë përpara e as nuk të kthejnë prapa.

📚Libri i teuhidit
✍️Muhammed Abdulvehab el Temimi
✍️Komentuar nga Mirsim Maliqi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit