30.7 C
Pristina
E martë, 3 Gusht, 2021

NJË PËRSHKRIM I DISA MASHTRUESVE

Më të lexuarat


NJË PËRSHKRIM I SHTIRACAKËVE

Allahu i Madhëruar thotë në suren El Bekare ajetet 204 – 207:

204.Ka ndonjë njeri, fjalët e të cilit të mahnitin në këtë botë dhe që betohet në Allahun për çfarë ka në zemrën e tij, por që, në realitet, është kundërshtari më i rreptë.

205.Ky, me të kthyer shpinën, nxiton nëpër tokë që të përhapë të këqijat, duke shkatërruar të mbjellat dhe kafshët. Por Allahu nuk e do shkatërrimin.

206.E kur i thuhet atij: “Ki frikë Allahun!”, atë e kap euforia, ndërsa arroganca e tij e zhyt edhe më thellë në gjynahe. I mjafton atij Xhehenemi si ndëshkim. Pa dyshim, vendbanimi më i tmerrshëm është ai i tij.

207.Ka njerëz që, për hir të Allahut, flijojnë vetveten. Allahu është shumë i butë me adhuruesit.

Shpjegimi i ajeteve

Pas ajeteve që nxisin besimtarët ta përkujtojnë shumë Allahun e Lartësuar, sidomos në vendet dhe kohët e veçanta të adhurimeve vijohet me përshkrimin e atyre njerëzve, të cilët flasin shumë, por që veprat e tyre i tradhtojnë.

Subhanallah! Fjalët ose do ta ngrenë lart njeriun që i flet, ose do ta zhysin poshtë. Kështu, Allahu i Lartësuar thotë:

– “Ka ndonjë njeri, fjalët e të cilit të mahnisin në këtë botë…”

Pra, ka njerëz, fjalët e të cilëve prekin zemrat e dëgjuesve. Teksa i dëgjon, mendon se fjalët e tyre janë plot dobi dhe mirësi. Madje ata, për të vërtetuar fjalët e tyre, betohen në Zotin se, ato që shprehin me fjalë i kanë edhe në zemër, domethënë se janë të sinqertë.

– “…dhe që betohet në Allahun për çfarë ka në zemrën e tij…”

Pra, për të treguar pastërtinë dhe sinqeritetin e tyre, ata betohen në Allahun, duke pretenduar se ato që thonë me gojë i kanë edhe në zemër. Por, në fakt, ata janë gënjeshtarë, sepse fjalët e tyre nuk përputhen aspak me veprat dhe ndjenjat e tyre. Nëse do të ishin të sinqertë, atëherë fjalët që thonë do t’i vërtetonin me veprat që bëjnë, sikurse ndodh me besimtarët e sinqertë. Më tej, Allahu i Lartësuar thotë:

– “…por që, në realitet, është kundërshtari më i rreptë.”

Pra, nëse dikush polemizon me ta ose i kundërshton për një çështje të caktuar, ata shpalosin menjëherë një armiqësi të paparë, tregohen të papërmbajtur, fyes dhe kokëfortë në qëndrimet e tyre, duke shfaqur kështu shumë cilësi të ulëta, që nuk u përkasin besimtarëve të sinqertë. Besimtarët e sinqertë janë njerëz të thjeshtë e të sjellshëm. Ata i nënshtrohen së vërtetës, janë tolerantë dhe falës.

– “Ky, me të kthyer shpinën, nxiton nëpër tokë që të përhapë të këqijat, duke shkatërruar të mbjellat dhe kafshët.”

Njerëz të tillë, që flasin fjalë mahnitëse dhe betohen për sinqeritet, sapo largohen prej teje, rendin gjithandej nëpër tokë, duke kryer të liga, të cilat janë dhe shkaku kryesor i shkatërrimit të saj: i të mbjellave, bagëtive, i gjallesave në përgjithësi, etj. Ata sjellin, gjithashtu, pakësimin e bereqetit në tokë.

– “Por Allahu nuk e do shkatërrimin.”

Pra, nëse Allahu nuk e do shkatërrimin, atëherë Ai i urren personat të cilët e shkaktojnë atë, edhe sikur ata të thonë fjalë të bukura e tërheqëse. Nga ky ajet kuptojmë se fjalët që thonë njerëzit nuk janë tregues të sinqeritetit apo të mashtrimit të tyre. Ato nuk mund ta vërtetojnë tërësisht se dikush është i mirë apo i keq, pasi ky gjykim mund të jepet veçse duke krahasuar fjalët me veprat e tyre. Madje, për të gjykuar drejt veprat e një personi, duhet t’ia shohësh ato në mënyrë të vazhdueshme dhe sistematike, pasi për këtë nuk mjafton vetëm një rast. Pra, në përfundim, nuk mjafton thjesht deklarata e tij për vetveten dhe as një gjykim i bazuar mbi një vëzhgim të përciptë të veprave të tij. Pastaj i Lartësuari tregon një cilësi tjetër të këtij soji njerëzish, që përhapin shkatërrimin në tokë:

– “E kur i thuhet atij: “Ki frikë Allahun!”, atë e kap euforia, ndërsa arroganca e tij e zhyt edhe më thellë në gjynahe.”

Kur ata këshillohen që të kenë frikë Allahun, i kap euforia dhe u rritet mendja, saqë nuk duan ta pranojnë më të vërtetën, madje tregohen të ashpër me këshilluesit e tyre. Kështu, ata bëjnë dy të këqija: vepra të ndyra dhe fyerje ndaj kritikuesve. Të tillët meritojnë një kërcënim të madh, siç thotë Allahu:

– “I mjafton atij Xhehenemi si ndëshkim. Pa dyshim, vendbanimi më i tmerrshëm është ai i tij.”

Për këta njerëz është i mjaftueshëm ndëshkimi në Xhehenem, i cili do të jetë vendbanimi i zullumqarëve dhe mendjemëdhenjve. Atje ndëshkimi do të jetë i vazhdueshëm dhe vuajtjet të përjetshme, pa asnjë shpresë për shpëtim. Atyre nuk do t’u lehtësohen kurrë dhimbjet dhe kurrë nuk do të shpresojnë ndonjë gjë të mirë. Kjo është drejtësia për krimet dhe padrejtësitë e tyre. Allahu na ruajt nga një përfundim i tillë!

– “Ka njerëz që, për hir të Allahut, flijojnë vetveten. Allahu është shumë i butë me adhuruesit.”

Këta janë të suksesshmit, të cilët i ka udhëzuar Allahu i Lartësuar që të flijojnë veten për hir të kënaqësisë së Tij. Ata e japin shpirtin me dëshirë, sepse duan të fitojnë kënaqësinë dhe shpërblimin e madh të Zotit të tyre. Ata e japin jetën për hir të Tij, i Cili është shpërblyesi më i mirë dhe ofruesi i çmimit më të lartë për shpirtin e tyre. Ata e falin shpirtin për hir të të Mëshirshmit dhe të dashurit të tyre, për Allahun e Lartësuar, sepse është pikërisht mëshira dhe dashuria e madhe e Tij, që u ka dhënë atë sukses. Çmimi që jep Allahu i Lartësuar për shpirtrat e tyre është shumë i shtrenjtë dhe i mrekullueshëm: “Allahu blen prej besimtarëve shpirtrat dhe pasuritë e tyre, për t’u dhënë atyre Xhenetin.” Teube, 110.

Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar tregon dy fakte: që besimtarët e sinqertë e shesin shpirtin e tyre për të arritur kënaqësinë e Allahut të Lartësuar, dhe që Ai është i Butë (Raûf) me besimtarët. Ky fakt i dytë i siguron besimtarët se Allahu do ta plotësojë qëllimin që ata kanë, për të cilin ata shesin dhe shpirtin e tyre dhe që është: arritja e kënaqësisë së Tij.

Tefsiri i Sadit
Përktheu: Uthman Agolli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit