14.4 C
Pristina
Monday, April 22, 2024

15 mjekë nga diaspora, të interesuar të kthehen në Kosovë

Më të lexuarat

Ka vite që shumë mjekë nga Kosova po ikin drejt shteteve evropiane për shkak të kushteve më të mira pune dhe paga më të larta.

Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë zgjidhjen e ka gjetur në thirrjen e profesionistëve shëndetësorë nga jashtë. MSH u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësorë të kthehen e të punojnë në Kosovë.  Deri tani thirrjes së Ministrisë së Shëndetësisë i janë përgjigjur 15 profesionistë shëndetësorë, të cilët janë të interesuar të kthehen, përcjell albinfo.ch.

Ministria e Shëndetësisë, në një përgjigje për “IndeksOnline” ka deklaruar se deri tani janë 15 profesionistë shëndetësorë, të cilët i janë përgjigjur thirrjes për t’u kthyer dhe ta ushtrojnë profesionin këtu.

“Thirrjes të Ministrisë së Shëndetësisë për profesionistët shëndetësorë që jetojnë në mërgatë, deri me tani i janë përgjigjur rreth 15 sish, mjekë dhe profesionistë të tjerë shëndetësorë. Aktualisht jemi në fazën e shqyrtimit të kontaktimit të tyre. Ndërsa procedurat tutje mbeten për t’u zhvilluar”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Por sa janë të interesuar mjekët nga diaspora të vijnë në Kosovë e të punojnë në një sistem, i cili çdo ditë përballet me mungesë të barnave e materialeve bazë për të kryer punën e tyre, mbetet të shihet.

Shumë nga ta të cilët kanë kryer specializim në shtete evropiane të cilat kanë një mjekësi të avansuar, thonë se e kanë të pamundur të kthehen dhe të punojnë një sistem shëndetësor çfarë ka Kosova. Ata madje pohojnë se nuk është vetëm paga ajo që i ndalon ata të kthehen.

Sevdije Bytyqi , pulmologe në Gjermani e cila që dhjetë vjet ushtron profesionin si mjeke atje, thotë se në kohën kur kishte shkuar, kishte menduar që shumë shpejtë do të kthehet dhe se gjërat në shëndetësinë kosovare do të përmirësohet. Por se kjo nuk ndodhi dhe se ajo e ka të pamundur të kthehet dhe ta ushtrojë profesionin e saj në Kosovë, duke marrë parasysh se si funksionon sistemi shëndetësor në vend.

“Me dëshirën më të madhe isha kthy në Kosovë, për të dhënë kontributin tim. Por Qeveria duhet së pari të përmirësojë kushtet e punës në institucionet shëndetësore. Klinikat dhe ambulancat duhet të pajisen me mjete të nevojshme për diagnostikim dhe trajtim adekuat të pacientëve. Pa pasur nevojë që pacientët të dërgohen në laboratorët e klinikave private, për të kryer ekzaminime të ndryshme, në kuadër të diagnostikimit të sëmundjeve të caktuara. Të bëhemi të pasur, në krah të njerëzve të varfër, të cilët kafshatën e bukës e ndajnë për një analizë a ekzaminim. Në këtë gjendje në të cilën është shëndetësia jonë, është shumë problem që unë përvojën time nga Gjermania ta zbatoj në Kosovë”, thotë ajo.

Bytyqi nuk përjashton mundësinë që një ditë të kthehet në Kosovë, por vetëm atëherë kur shëndetësia do të ketë një përkushtim maksimal për pacientët dhe kur mjekëve do t’u sigurohet  infrastruktura e nevojshme për ta ushtruar profesionin e tyre në mënyrë dinjitoze.

“Duhet të ndryshohet gjithçka dhe të punohet me seriozitet e përkushtim maksimal ndaj pacientit. Ka shumë për t’u bërë. E për këtë nuk duhen vetëm aparatura. Por duhet përkushtim ndaj punës dhe pacientit”, thotë ajo.

Ndryshe vetëm gjatë vitit 2022, 205 mjekë zgjodhën të largohen nga vendi për të ushtruar profesionin e tyre, jashtë kufijve të Kosovës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit