Ibn Halduni, babai i sociologjisë, Allahu e mëshiroftë, kur flet për dukurinë e formimit dhe zhvillimit të shteteve, vë në dukje edhe shkaqet e rënies së tyre.
▪️Ai thekson ndër të tjera katër prej tyre:
E para: Luksi i njerëzve të shtetit.
Ibn Halduni thotë në përshkrimin e kalimit të shtetit në luks:
“Pastaj natyra e pushtetit çon në luks.”
Ai shpjegon se, me kalimin e brezave, njerëzit e shtetit:
“Harrojnë jetën e ashpër dhe të thjeshtë të së kaluarës … dhe humbin guximin që kishin.”
Me përhapjen e mirëqenies dhe rehatisë, dobësohet solidariteti shoqëror (asabijja), i cili ishte themeli i ngritjes së shtetit. Si rezultat, ata bëhen më pak të aftë për ta mbajtur atë.
E dyta: Despotizmi dhe përqendrimi i pushtetit.
Duke folur për fazën e dytë të shtetit, Ibn Halduni shpjegon se sundimtari synon:
“Të jetë i vetëm në lavdi dhe pushtet.”
Kjo do të thotë se ai largon bashkëpunëtorët dhe aleatët që e ndihmuan të arrijë pushtetin, në mënyrë që autoriteti të përqendrohet vetëm në duart e tij. Sipas Ibn Haldunit, kjo dobëson lidhjet mbi të cilat u ngrit shteti.
E treta: Mbështetja te forca dhe elemente jashtë rrethit të parë.
Kur dobësohet solidariteti fillestar, Ibn Halduni thotë se sundimtari:
“Shton numrin e klientëve dhe mbështetësve të tij dhe kërkon njerëz që të zëvendësojnë grupin e tij fillestar.
” Pra, ai fillon të mbështetet te forca dhe elemente jashtë grupit themelues të shtetit për të kompensuar dobësinë e tij të brendshme. Kjo konsiderohet shenjë e rënies së shtetit.
E katërta: Padrejtësia.
Një nga thëniet më të njohura të Ibn Haldunit është:
“Padrejtësia është paralajmërim i shkatërrimit të qytetërimit.”
Ai shpjegon se padrejtësia, taksat e rënda dhe marrja e pasurisë së njerëzve pa të drejtë çojnë në dobësimin e aktivitetit ekonomik. Njerëzit humbin dëshirën për të punuar dhe prodhuar, gjë që sjell rrënimin e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik dhe, në fund, dobësimin e shtetit.
✍️Nga Abdullah Nabolli.
▪️Përmbledhur nga idetë e Ibn Haldunit në librin e tij “El-Mukadime”.
