11.5 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

​Arrestimi i serbëve, vjen kërcënimi nga Serbia

Më të lexuarat

Përmbajtja

Nëse pesë të arrestuarit në komunën e Gjilanit nuk do të lirohen deri në mbrëmje, dialogu nuk do të ketë “për një kohë të gjatë”, tha Marko Gjuriq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën.

Ai vuri në dukje se ky ishte edhe mesazhi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe se përfaqësuesit e Bashkimit Evropian tashmë ishin njoftuar për këtë, por ende nuk ka përgjigje.

Gjuriq në një konferencë shtypi tha se policia e Kosovës arrestoi kreun e rrethit të Anamoravës, Radovan Stojkoviq, kreun e zyrës së degës së SHKP, Jovan Deniq, në komunën e Gjilanit dhe Nenad Stojanoviq, një anëtar i Ushtrisë serbe, i cili jeton në Kosovë dhe punon në Vranjë.

Po ashtu janë arrestuar edhe vëllezërit Aleksandar dhe Predrag Gjorgjeviq, njëri anëtar aktiv i MPB të Serbisë dhe tjetri i pensionuar.

“Sulmi u krye në mënyrë brutale, në mënyrë krejt të kundërt nga ajo që ishte rënë dakord në takimin e fundit të Vuçiqit dhe Federica Mogerinit, kur u pajtua qartë dhe pa mëdyshje se gjëra të tilla nuk do të ndodhin, “tha Gjuriq.

Policia e Kosovës njoftoi se sot në rajonin e Gjilanit është duke u zhvilluar një operacion policor ku janë arrestuar pesë persona të nacionalitetit serb, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprimtari kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Mediat serbe kanë raportuar se janë arrestuar disa persona që kanë bërë trysni ndaj pjesëtarëve të FSK-së të nacionalitetit serb që të dorëhiqen nga kjo forcë por një gjë të tillë e mohon Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës përmes kësaj komunikate zyrtare, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, demanton disa mediume/portale serbe, të cilat deklarojnë se po realizohet një operacion policor ndaj disa ish-pjesëtarëve të FSK-së, dhe sqarojmë se këto janë vetëm disa supozime apo spekulime të mediave në fjalë”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Policia e Kosovës garanton të gjithë qytetarët pa dallim se veprimet e saj i bazon në Kushtetutën e vendit dhe legjislacionit në fuqi, përderisa operacioni policor është duke vazhduar në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet e drejtësisë./KosovaPress/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit