12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Vuçiq në takim me Escobarin dhe Lajçakun kërkon formimin e Asociacionit

Më të lexuarat

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se është koha që autoritetet në Kosovë të përmbushin obligimet e tyre dhe para së gjithash të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas një postimi në rrjetin social Instagram, Vuçiq i bëri këto deklarata gjatë takimit në Beograd me emisarin e Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, dhe atë të Shteteve të Bashkuara, Gabriel Escobar.

“Që nga dita e parë, Serbia ka qenë konstruktive, konsistente dhe partnere e qëndrueshme në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit në mbarë rajonin. Porosita se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj dhe mbi të gjitha formimin e Asociacionin e komunave serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar Vuçiq në Instagram dhe ka shtuar, “dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, transmeton Telegrafi.

Vizita e Lajçakut dhe Escobarit vjen pasi për dy ditë ata zhvilluan takime në Kosovë me krerët shtetërorë dhe përfaqësuesit e partive opozitare.

Vizita e dy zyrtarëve të lartë në Prishtinë dhe Beograd u realizua pas rritjes së tensioneve dhe protestave të serbëve lokalë, që ende po vazhdojnë në veri të Kosovës.

Emisarët kanë kërkuar që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të qetësojë situatën në veri, të mbajë zgjedhje të reja dhe t’i rikthehet dialogut me Serbinë.

Para se të vizitonte Beogradin, Escobar u tha gazetarëve në Prishtinë se raportet mes popullit të SHBA-së dhe Kosovës janë të forta dhe nuk do të ndryshojnë, por “disa ka disa sfida në raportet dypalëshe me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurti]”.

Sipas tij, rruga përpara që do të çonte në uljen e menjëhershme të tensioneve do të ishte që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të mos punonin nga ndërtesat komunale, të organizoheshin zgjedhjet e reja me pjesëmarrjen e serbëve dhe zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia kanë arritur më herët gjatë këtij viti. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit