6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Kush është Krijuesi ?! – Përgjigje dilemave të paqêndrueshme të ateistëve?!

Më të lexuarat

Kush është Krijuesi? A mund të jetë materia?!

“All-llahu nuk ka marrë për veten kurrfarë fëmijë (as nga engjëjt, e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar, dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin!” (Mu’minun: 91)


Një pyetje shumë e njohur e ateistëve është: “Pasi ekzistimi i gjërave të përkohshme kërkon ekzistimin e shkakut të përhershëm, atëherë pse ai shkak të jetë Zoti i fesë? Pse nuk mund që materia të jetë e përhershme dhe për këtë shkak të mos ketë nevojë për krijues të jashtëm?”

Në bazë të Islamit por në të njëjtën kohë në baza racionale, do të argumentoja se atributi i të përhershmes nxjerr atribute tjera, që materia nuk i ka dhe nuk mund ti ketë, dhe sipas kësaj nuk mund të luajë rolin e shkakut të përhershëm dhe final të gjërave të përkohshme.

Teologët muslimanë, thonë se përhershmëria e ekzistencës logjikisht nënkupton përjetësinë. Kjo është e vërtetë për shkak se, nëse diçka është e përhershme, atëherë ekzistimi nuk varet nga asgjë jashtë tij. Nëse kjo është ashtu, atëherë asnjëherë nuk mund të vdesë, për shkak se vetëm gjërat që vdesin humbin disa kushte të jashtme nga të cilat mvaren ata dhe ekzistenca e tyre. Nëse shkaku përhershëm i gjërave të përkohshme është e përhershmja dhe e përjetëshmja, atëherë pë shkak të nevojës duhet të jetë i vetë-varur, Kajjum dhe Gani (qayyoom dhe ghanee)

A mund të ketë më shumë se një krijues të tillë? Kur’ani na tregon se ajo është e pamundur: “All-llahu nuk ka marrë për veten kurrfarë fëmijë (as nga engjëjt, e as nga njerëzit), nuk ka me Të ndonjë zot tjetër, pse (sikur të kishte zot tjetër), atëherë secili zot do të veçohej me atë që ka krijuar, dhe do të dominonte njëri mbi tjetrin!” (Mu’minun: 91)

Ky argument Kur’anor nga disa teologë muslimane është parafrazuar në një mënyrë përafërsisht të këtillë: Supozimi se ekzistojnë disa zotëra përveç një Zoti të vërtetë, çon në pasoja të gabuara, dhe për këtë shkak ajo është e gabuar. Nëse ekziston më shumë se një zot, atëherë: (a) nëse çdo detaj i çdo gjëje në botë është rezultat i veprimit të njërit prej atyre zotërave, ajo nuk mund në të njëjtën kohë të jetë rezultat i veprimit të një zoti tjetër. Por nëse (b) disa gjëra në botë janë krijuar nga disa zotëra, dhe disa të tjera nga disa zotëra tjerë, atëherë secili zot do të kishte pushtet të pavarur mbi gjënë që e ka krijuar, që do të thotë se asgjë në botën e tij nuk mund, të ndikohet nga çdo gjë jashtë saj. Por kjo bie në kundërshtim me unitetin dhe pavarësinë në botë. Dhe nëse kjo është e pamundur, atëherë (c) disa zotëra do të tejkalojnë të tjerët, dhe nëse kjo ndodh atëherë ata të cilët janë të mposhtur, nuk mund të jenë zotëra të vërtetë. Për këtë shkak nuk mund të ketë më shumë se një krijues.

Si mund të krijojë ky krijues? Pasi ai është i vetë-varur, nuk mund të thuhet se Ai varet nga ndonjë gjë tjetër jashtë Tij në çfarëdo veprimi, dhe nuk mund të thuhet se Ai prodhon efektet e Tij në mënyrë të njëjtë si shkaqet natyrore. Por nëse Ai nuk është shkak natyror, atëherë Ai patjetër është agjent përcaktues. [vendim-marrës]. Dhe pasi qëllimi përfshin dituri, dhe se dituria dhe qëllimi përfshijnë jetë, ai patjetër është qenie e gjallë. Pasi ai është qenie e përhershme dhe e përjetshme, të gjitha atributet e tij duhet të reflektojnë këtë cilësi dhe për këtë shkak ai nuk duhet të jetë vetëm i dijshëm, por i gjithdijshëm, jo vetëm i fuqishëm, por i gjithëfuqishëm, etj.

Pasi që asnjë materie në asnjë formë nuk mund të jep përgjigjën e këtyre atributeve, dhe pasi që të gjitha këto atribute janë të përfshira nga dy atributet e të përhershmes dhe përjetshmes, asnjë formë e materies nuk mund të jetë e përhershme ose e përjetshme, kështu që asnjë materie në asnjë formë nuk mund të luajë rolin e shkakut të përhershëm. Kjo sasi e atributeve që krijuesi i përhershëm dhe i përjetshëm duhet t’i ketë mjafton, ma merr mendja, për të treguar se ajo nuk mund të jetë materia.

Por, ky përfundim mund të konfirmohet edhe më tutje me pohimet e shkencës moderne rreth natyrës së materies.

Pse Ai duhet të jetë Zoti i Islamit?

Disa mund të thonë, “Pasi që ky zot është Zot personal dhe i gjallë, dhe se Ai i ka atributet që ju i përmendët, pse Ai duhet të jetë Zoti i Islamit dhe pse jo, të themi, Zoti krishterë ose hebre?” Zoti i Islamit është Zoti i të gjithë profetëve të vërtetë nga Ademi, alejhis-selam, Musa, alejhis-selam, Isa, alejhis-selam, dhe Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Por është pohim themelor i fesë me të cilën Muhammedi, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, erdhi, që fetë tjera paraprake (duke përfshirë edhe krishterizmin dhe judaizmin) nuk e mbajtën në formën e vërtetë [pastër] sipas të cilës këta pejgamberë flisnin, por e kanë ndryshuar dhe turbulluar atë. Feja e vetme, libri i të cilës ka marrë përsipër të ruhet nga çrregullime [ndryshime] të tilla është feja e pejgamberit të fundit të Zotit, me emrin Muhammed, sal-lallahu alejhi ve sel-lem. Kjo nuk do të thotë se çdo gjë në këto fe është e gabuar ose e keqe. Jo! Ka shumë gjëra në to që janë të mira dhe të vërteta; janë vetëm ato elemente që bijnë në kundërshtim me Islamin që janë të gabuara ose të këqija. Por edhe nëse ato pastrohen nga të gjitha gjërat që nuk janë në përputhje me Islamin, ato edhe më tej do të ishin më pak të përsosura se Islami, sidomos në konceptet e tyre për Zotin, dhe për këtë shkak nuk janë të përshtatshme për të qenë religjione univerzale.

Pasi e thash këtë, me lejoni të jap një shembull të një besimi jo-islamik, të cilën Kur’ani e konsideron blasfemi të marrë kundrejt Zotit; pohimi se Ai ka fëmijë.

Në kohën e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-lem, disa prej arabëve kanë besuar se melaiket ishin vajzat e Zotit, ndërsa disa krishterë kanë besuar se Isa, alejhis-selam, ishte djali i Zotit, ndërsa disa hebrenj kanë besuar se Ezra ishte djali i Zotit. Kur’ani, siç ka dhënë argumente se është e pamundur ekzistimi i zotërave tjerë përveç një Zoti të vërtetë, ai poashtu ka dhënë argumente elaboruese për të treguar se është e pamundur që Ai të ketë fëmijë, qoftë mashkull, ose femër. Nëse Krijuesi është një dhe i vetë-varur, atëherë Ai poashtu është unik, ahad, “Asnjë send nuk është si Ai” (Shura: 11), mirëpo nëse është ashtu atëherë, “As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur.”(Ihlas: 3), “e si do të ketë Ai fëmijë kur nuk pati bashkëshorte? Çdo send e krijoi Ai.” (En’am: 101)

Kur’ani këtu thotë që pohimi se Zoti ka fëmijë bie në kundështim me faktet (e njohura nga ata që e bëjnë këtë pohim) se Ai është Krijuesi i çdo gjëje, se Ai është i vetë-varur, dhe se Ai nuk ka bashkëshorte. Tani, pasi që ai është Krijuesi i çdogjëje, kjo nevojë përfshinë edhe atë për të cilin thuhet se është fëmija i Tij. Por, nëse ky është i krijuar nga Ai, atëherë ky nuk mund të jetë fëmija i Tij; ky është një nga krijesat e Tij. Një person nuk mund të krijojë një fëmijë; ai e lind atë. Nëse thuhet dhe insistohet që fëmija lindet dhe nuk krijohet nga Zoti, kjo i sjell këto pasoja të gabuara:

  1. Fëmija i krijuar duhet të jetë i natyrës së njëjtë me babain e tij, e në këtë rast Zoti nuk do të ishte unik dhe një.
  2. Zoti nuk do të ishte krijuesi i çdo gjëje.
  3. Zoti do duhej të kishte bashkëshorte, e cila kuptohet, duhej të jetë e natyrës së njëjtë siç është Ai, ndryshe ata nuk mund të lindin asgjë.
  4. Në këtë rast numri i qenieve të cilat janë të natyrës së njëjtë me Zotin do të rriteshte në tre.
  5. Nëse fëmija lindet, atëherë ai nuk mund të jetë i përhershëm, domethënë ai nuk mund të jetë i natyrës së njëjtë me babain e tij.
  6. Për këtë shkak ai patjetër është i përkohshëm; por në këtë rast, ai duhet të ketë krijues. Por nëse Zoti, që është babai i tij, nuk mund në të njëjtën kohë të jetë krijuesi i tij, atëherë patjetër duhet të jetë krijuesi i tij, atëherë patjetër duhet të ketë edhe një krijues tjetër pranë Zotit babait; por në atë rast, ky krijues tjetër, do të ishte krijuesi një dhe i vërtetë për shkak se vetëm nëpërmjet fuqisë së tij, i pari kishte mundësi ta lindë djalin e tij. Kjo do ta rriste numrin e zotërave në katër.

Nuk ka dyshim në atë që e thotë Kur’ani për ata që thonë se Allahu ka fëmijë, “Ju (jobesimtarë) vërtet sollët një fjalë shumë të shëmtuar. Aq të shëmtuar sa gati u copëtuan qiejt, gati pëlciti toka dhe gati u shembën kodra nga ajo (fjalë). Për atë se të Gjithëmëshirshmit i përshkruan fëmijë. (Merjem: 89-91)

Dr. Xhafer Shejh Idris ” Islami në shekullin tonë”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit