Vlera e kohës: Shejh Tahir el-Xhezairi, modeli i përkushtimit

Më të lexuarat

Dijetari i nderuar, Shejh Abdu’l-Fettah Abu Guddah (v. 1417 H), Allahu e mëshiroftë, tregon për dijetarin e madh, komentuesin e shquar, muhaddithin e njohur, juristin hanefij dhe eruditin e shumëanshëm, Shejh Tahir el-Xhezairi, damaskasin (v. 1338 H):

«Shejhu ishte njeri që e ruante me përkushtim të madh kohën e tij. Ndër dëshmitë më të qarta të kësaj ishte zakoni i tij për kafenë: e parapëlqente shumë dhe përgatiste një sasi të mjaftueshme për tërë javën, vetëm që të mos harxhonte minutë nga minutat e çmuara duke e zier sa herë që dëshironte të pinte një filxhan. Për këtë arsye e pinte edhe të ftohtë e të ndenjur për ditë të tëra, me qëllim që të mos çaje orën e leximit dhe të studimit. Nuk e pinte për qejf a shijim, por për t’i dhënë zemrës forcë në natë e trupit gjallëri në punë.

Nuk e linte dijen mënjanë në asnjë kohë: herë shkruante e rregullonte librat, herë kërkonte e hulumtonte, herë mësonte e lexonte. Kur ndonjë libër i binte në zemër, ai kthehej te ai e e rilexonte shumë herë. Kështu serioziteti u bë natyra e tij e pandarë, në jetë e në punë; dhe s’u njoh kurrë prej tij fjalë e kotë a sjellje prej të papjekuri.

Ndodhi një herë që bleu disa kokrra portokaj dhe i la në shtëpi. Të nesërmen vendosi të nisej për udhëtim. Kur kishte bërë disa hapa prej derës, i ra ndër mend se duhej të merrte në torbë disa portokaj. Menjëherë kujtoi ata që kishte blerë dje, por parapëlqeu të merrte të tjerë udhës, që të mos kthehej pas e të humbiste kohë, pasi kishte marrë atë vendim për t’u nisur. Dhe Shejhu u kthye në shtëpi pas gjashtë muajsh; atëherë u gëzoi kur pa se portokajtë e tij qenë aty, të rrudhura e të tharë.»

(“Vlera e kohës te dijetarët”, f. 152)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit