9.5 C
Pristina
Wednesday, October 9, 2024

Vlera e 10 ditëve të Dhul Hixhes dhe Arafati

Më të lexuarat

Mirësitë e Allahut ndaj mbarë njerëzimit janë të shumta, edhe pse njerëzit ndaj këtyre mirësive nuk e shprehin falënderimin e duhur. Nga mirësitë e shumta me të cilat Allahu i ka veçuar pasuesit e profetit të fundit, është dhe shtimi i vlerës së veprave në momente të caktuara. Duke qenë se popujt e mëparshëm kanë pasur jetëgjatësi më të madhe në krahasim me njerëzit e kohës sonë, i Madhi Zot, për të treguar drejtësinë dhe mëshirën e Tij të pafundme, u dha rastin këtyre njerëzve për shtimin e veprave të mira, për t’iu afruar atyre, të cilët e kanë pasur mundësinë e adhurimit të Krijuesit për një kohë më të gjatë. Raste të tilla na sjellin ndërmend sezonet e shitjeve dhe panairet, ku tregtarët japin mundin maksimal për të dalë të fituar nga një sezon i tillë. Prej këtyre rasteve është dhe dhjetëditëshi i muajit hënor Dhul Hixhe.

Faktet që tregojnë vlerën e këtyre ditëve ndaj ditëve të tjera janë të shumta. Prej tyre do të veçonim:

-Allahu i Madhëruar betohet në këto ditë duke thënë: “Pasha (betohem për) agimin. Pasha dhjetë netët. Pasha tekun dhe çiftin.” (Fexhr, 1-3)

Profeti a.s. ka thënë: “Dhjetë ditët janë dhjetë ditët e Kurbanit (Dhul Hixhes), “teku” është dita e Arafatit, ndërsa “çifti” është dita e Kurbanit.” (Transmeton Ahmedi)

-Profeti a.s. ka thënë: “Veprat në asnjë ditë nuk janë më të mira sesa në dhjetë ditët e Dhul Hixhes…” (Transmeton Buhariu)

“Dita më madhështore është dita e Kurban Bajramit, pastaj dita pas saj.” (Hadith i saktë, e transmeton Ahmedi)

Komentuesi i njohur i Kur’anit, Muxhahidi, në lidhje me komentin e ajetit 142 në suren A’rafë, thotë: “Asnjë vepër gjatë vitit që bën njeriu nuk është më e vlefshme se ajo që bën në dhjetë ditët e Dhul Hixhes. Këto janë ato dhjetë ditë, me të cilat ia plotësoi Allahu dyzet ditët e premtuara Musait a.s.”.

Prandaj nxitoni në vepra të mira në këto ditë, sepse këto janë mundësi të cilat nuk duhet të na kalojnë pa përfituar.

Le ta mbyllim këtë vit hixhri (hënor) me të mira, se ndoshta Allahu i Madhëruar na fal të kaluarat.

Dita më e mirë e vitit

Dita e Arafatit është dita e nëntë e muajit Dhulhixhe. Lidhur me vlerën dhe rëndësinë e kësaj dite, Profeti a.s. është shprehur: “Dita më e mirë është dita e Arafatit. Ajo i bën konkurrencë ditës së Xhuma. Dita e Arafatit, përveç ditës së xhuma, është më e mirë sesa shtatëdhjetë haxhe të kryer. Lutjet më të mira janë lutjet e bëra në ditën e Arafatit” (Muvatta, Haxh, 246). “Nuk ka ditë tjetër veç ditës së Arafatit, kur Allahu të ketë çliruar më shumë njerëz nga zjarri i xhehenemit.” (Muslim, Haxh, 436)

Duke pasur për qëllim agjërimin e mbajtur në këtë ditë, profeti Muhamed a.s. thotë: “Shpresoj prej Allahut që të m’i falë gjynahet e vitit të kaluar dhe vitit të ardhshëm.” (Muslim, Sijam,196). Ebu Katade transmeton se i dërguari i Allahut ka thënë: “Agjërimi i ditës së Arafatit i fal gabimet e dy viteve, një viti përpara dhe një viti më pas.” (Muslim; Ebu Daud; Nesai)

Ata që nuk janë duke kryer detyrën e vizitës së Qabes ose haxhillëkut, mund të agjërojnë ditën e Arafatit, domethënë një ditë para bajramit të kurbanit.

Ndërkaq, Ebu Hurejre tregon se Profeti i ka ndaluar personat e gjendur në haxh, të agjërojnë ditën e Arafatit (Ebu Daud; Nesai; Ibn Maxhe, 155), sepse njeriu që agjëron këtë ditë e ka të vështirë, ndoshta të pamundur t’i kryejë plotësisht dhe si duhet ritet dhe adhurimet e haxhit. Prandaj, duke agjëruar, ai e kalon në plan të dytë detyrën kryesore për të cilën ka shkuar në Mekë, gjë që s’është e drejtë.

Dorian Demetja

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit