Virtyti i dijetarit të nderuar: Xha’fer Sheikh Idris – Allahu e mëshiroftë (1931–2025)
Reflektime mbi një jetë të lavdishme
Një nga mendjet më të ndritura dhe udhëheqësit intelektualë dhe thirrës të kohës sonë.
Allahu i bashkoi atij cilësi që rrallëherë mblidhen në një njeri të vetëm.
Shquhej në filozofinë bashkëkohore,
dhe ka studiuar te figura të shquara të saj, si Karl Popper në Britani.
Në Arabinë Saudite, ai ndoqi dhe qëndroi pranë dijetarit të nderuar Shejh Abdulaziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë – dhe u ndikua shumë prej tij,
madje e përgëzonte dhe e lavdëronte shpesh.
Ai lexoi burimet origjinale të filozofisë bashkëkohore,
dhe e lexoi të plotë veprën “Kundërshtimi mes Arsyes dhe Shpalljes” të Ibn Tejmijes,
madje edhe shumicën e librave të tjerë të tij,
jo vetëm si lexues, por si studiues dhe mësues, me kuptim dhe thellim të madh.
Sipas dijenisë sime të kufizuar, nuk njoh njeri tjetër që t’i ketë bashkuar këto dy fusha me aq thellësi dhe qartësi sa ai.
Shejhu konsiderohej si një nga përfaqësuesit e shquar të shkollës së Ibn Tejmijes – Allahu e mëshiroftë.
Ishte i dashuruar me veprat dhe metodologjinë e tij.
Me të drejtë mund të thuhet se ai ishte prej “shokëve të Ibn Tejmijes” – në dije, në metodë dhe në vizion,
edhe pse i ndante koha dhe vendi.
Dhe njeriu pyet:
Nga e marrin këta dijetarë këtë dije?
Përgjigjja: Nga thirrja (da’wa) dhe lufta për të vërtetën.
Burimet e vërteta të dijes shpërthejnë në terren –
në përballje me të pavërtetën dhe dyshimet.
Nëse i hedh një sy Kuranit,
do të shohësh se ai nuk është një libër akademik me kapituj të rregullt (kapitulli 1, 2, etj.),
por është një libër thirrjeje, lufte dhe jete.
Dija e vërtetë lind në thelbin e jetës së gjallë me lëvizje, sakrificë, përkushtim dhe flijim.
Shejhu ishte në fushën e thirrjes që nga rinia.
Përballej me laikët, komunistët, ateistët dhe grupe të tjera moderne.
Ka pasur me ta përplasje të mirënjohura.
S’është çudi që ishte një prej pionierëve të kësaj shkolle të bekuar.
Shejhu zotëronte njohuri të shkëlqyer edhe në të gjitha shkencat islame.
Shpesh më habiste se si përmblidhte çështje të ndërlikuara të jurisprudencës me disa fjali të thjeshta,
ndërkohë që ato mua më dukeshin të vështira për t’u kuptuar!
Gjithashtu, kishte njohuri të mira në shkencat natyrore.
Ka shkruar librin e tij “Fizika dhe Ekzistenca e Krijuesit”,
pas leximesh të thella në fizikë,
origjinën e universit dhe ndërtimin e atomit.
Megjithë dijen, thellësinë, dhe ndikimin e tij në thirrje,
shejhu ishte i përulur, i turpshëm,
dhe nuk e shihte veten mbi të tjerët.
Njëherë e dëgjova duke folur në telefon,
dhe tjetri nuk e njihte. Ai tha:
“Unë jam Ja’fer.” – me kaq thjeshtësi!
Ndërkohë, sa herë dëgjoj njerëz që thonë:
“Me ty po flet doktori filan, apo profesori filan.”
Aty e kuptova se krenaria e tij ishte që të përmendte emrin siç është, pa tituj.
Allahu e kishte begatuar me sjellje të mirë, të folur të ëmbël dhe shoqëri të këndshme.
Nuk mërziteshe nga biseda me të,
dhe as ai nuk mërzitej nga të pranishmit –
të paktën unë nuk pashë asgjë të tillë.
Ishte i butë, i qetë dhe megjithatë i ndershëm e krenar.
Shejhu kishte pafajësi natyrale dhe zemër të pastër,
pavarësisht se përjetoi shumë padrejtësi.
Me gjithë këtë mirësi,
ishte siç thoshte Umeri – Allahu qoftë i kënaqur prej tij:
“Nuk jam mashtrues, dhe mashtruesi nuk më mashtron dot.”
Allahu i kishte bashkuar shpirtin rinor me mençurinë e pleqve.
I pëlqente të ulej me të rinjtë, t’i dëgjonte dhe të diskutonte me ta rreth dyshimeve që i mundojnë.
Kur ishte në Amerikë, gëzohej shumë kur takonte të rinj të sapo konvertuar në Islam,
dhe thoshte: “Mësoj shumë prej tyre!” – sa madhështore!
Ai ruajti gjallërinë dhe ndjenjën e mrekullisë që zakonisht e gjejmë te të rinjtë,
por që shpesh venitet apo shuhet tek pleqtë –
sidomos te ata që kanë pozitën, dijen dhe moshën e tij.
Kur dëgjonte një ide të re,
edhe nëse ishte në fushën e vet,
ai shprehte habinë sinqerisht dhe thoshte:
“Nuk më kishte shkuar mendja në këtë,”
ose “Nuk e kam menduar ndonjëherë këtë.”
Pavarësisht kësaj shpirtshmërie dhe kërkimi për të renë,
ishte i urtë si pleqtë që i kanë përjetuar ditët dhe sprovat e jetës.
Nuk ishte i nxituar apo radikal,
por as servil apo hipokrit.
Ishte i urtë dhe i mençur,
dhe njëkohësisht i palëkundur në të vërtetën – si mal.
Pikërisht për këtë ai arriti të ruajë balancën
mes popullit dhe shtetit.
I mësonte njerëzit dhe këshillonte udhëheqësit.
Të dyja palët e donin dhe e respektonin.
Kjo ishte cilësi që e kishte edhe shejhu Ibn Baz – Allahu e mëshiroftë,
dhe është tipar dallues i shkollës së Ibn Tejmijes – Allahu i mëshiroftë të gjithëve.
Moderimi i tij nuk ishte as kompromis e as dredhi,
por rezultat i mençurisë, sinqeritetit dhe pastërtisë së zemrës,
me njohuri të thellë për çështjet dhe njerëzit.
Por kush ecën në rrugën e moderimit,
e pëson nga të dyja anët.
Shejhu u keqtrajtua për hir të Allahut,
u burgos, u dëbua dhe iu ngushtua jeta.
Megjithatë, sa kam ditur unë dhe të tjerët,
ai ishte i duruar dhe i përkushtuar.
Nuk i kërkonte hak vetes dhe nuk hakmerrej,
madje as nuk fliste për ato që i kishin bërë.
Nuk e kam dëgjuar kurrë të fliste me mllef ndaj dikujt që e kishte dëmtuar,
sado e rëndë të ishte ajo padrejtësi.
Sigurisht, ai ishte njeri dhe kishte ndjenja,
por çfarë dallimi ka mes një njeriu e një tjetri!
Ishte në kundërshti me Hasan Turabin,
por kjo ishte për çështjet bazë të fesë dhe besimit,
jo një rivalitet mes dijetarësh, siç e kishin menduar disa.
Po të vizitoje shtëpinë e shejhut, do të gjeje qetësi dhe siguri që e mbulonte dhe e rrethonte.
Allahu e kishte bekuar me fëmijë që ishin si margaritarë,
secili prej tyre kishte marrë nga virtytet e të atit sipas natyrës së vet…
