A ka ndonjë hall më të madh për prindërit muslimanë sesa udhëzimi i fëmijëve të tyre, në këto kohë të sprovave, fitneve dhe mjegullës ideologjike, ku nuk ka siguri për askënd përveç atij që e mëshiron Allahu dhe qëndron i kapur me udhëzimin e Tij?
Allahu i Lartësuar thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ قُوٓاْ أَنفُسَكُمۡ وَأَهۡلِيكُمۡ نَارٗا وَقُودُهَا ٱلنَّاسُ وَٱلۡحِجَارَةُ
“O ju që besuat! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et-Tahrim: 6)
Dhe në këtë rrugë, prindërit nuk ndalen… edhe kur sytë e tyre lotojnë dhe zemra u çahet nga brenga.
Ato lotë të një nëne që rrjedhin kur kujton vajzën e saj që s’është më si dikur, ato lotë nuk i kuptojnë të gjithë, por vetëm nënat besimtare. Ato e dinë se dhimbja e largimit nga feja është më e rëndë se çdo dhimbje tjetër.
Sa herë që i sheh fëmijët të larguar, prindi i devotshëm nuk dorëzohet, por i drejtohet Allahut me lutje që burojnë nga një zemër e thyer dhe me shpresë të palëkundur, siç lutej vetë Ibrahimi (alejhi selam) për pasardhësit e tij:
رَبِّ ٱجۡعَلۡنِي مُقِيمَ ٱلصَّلَوٰةِ وَمِن ذُرِّيَّتِيۚ
“Zoti im! Bëje mua dhe prej pasardhësve të mi prej atyre që falin namazin!” (Ibrahim: 40)
Kjo ishte brenga e Ibrahimit (aljehi selam) dhe është e njëjtë brenga e çdo prindi musliman sot: të shohë fëmijët të përkulur para Allahut, e jo të përkulur para botës që u mëson t’i kthejnë shpinën Zotit.
Prandaj, o nënë, o baba:
Mos e nënvlerëso asnjë lutje që bën për fëmijët e tu dhe asnjëherë mos u lodh së luturi! Edhe nëse e sheh djalin të larguar, edhe nëse vajza thotë “s’dua të dëgjoj për fe”, mos harro se zemrat janë në dorën e Allahut. Ai i kthen ato kur dhe si të dojë.
Profeti ﷺ lutej shpesh:
“O Ti që i kthen zemrat, bëje zemrën time të qëndrueshme në fenë Tënde.”
Nëse vetë Profeti ﷺ lutej për qëndrueshmëri, atëherë prindërit e kësaj kohe duhet të luten shumë herë më shumë për veten dhe fëmijët e tyre.
Dr. Adelina Kuçana
