9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Veteranët e UÇK-së bllokuan rrugën Prishtinë – Fushë-Kosovë

Më të lexuarat

Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në 13 vjetorin e hyrjes së KFOR-it në Kosovë, kanë bllokuar sot për gjysmë ore magjistralen Prishtinë- Fushë-Kosovës, në shenjë revolte për gjendjen aktuale në veri dhe mos efikasitetin e KFOR-it dhe institucioneve të Kosovës për të kthyer kontrollin në atë pjesë të vendit.

Me gjithë kolonat e gjata, që u krijuan nga kjo bllokadë dhe kërkesat e policisë së Kosovës për ta liruar rrugën, protesta vazhdoi, raporton rtv21. Veteranët e UÇK-së qëndruan në mes të rrugës, për gjysmë ore, aq sa ishte paraparë zgjatja e protestës.

Muharrem Xhemajli, kryetar i OVL-së së UÇK-së ka thënë se veteranët e UÇK-së kanë vendosur, që në vend të festës së 13 vjetorit të hyrjes së KFOR-it në Kosovë, të protestojnë si reagim ndaj mos efikasitetit të kësaj force dhe institucioneve vendore në veri. Ai ka thënë se edhe 13 vjet pas hyrjes së KFOR-it dhe katër vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka një situatë okupimi në veri të vendit dhe se strukturat e Serbisë në atë pjesë, asnjëherë nuk kanë pushuar së vepruari. Sipas tij, KFOR-i, EULEX-i, UNMIK-u dhe institucionet vendore, me mosveprimin e tyre lejuan funksionimin normal të këtyre strukturave, të cilat vazhduan traditën kriminale dhe gjenocidale të Millosheviqit.

Veteranët e UÇK-së kanë kërkuar nga KFOR-i që të krijojë siguri për të gjithë, në bazë të mandatit që e ka; të sigurojë kufijtë e vendit, e të mos lejojë hyrjen e bandave serbe, e as të mos lejojë hyrjen e politikanëve serb pa lejen e institucioneve të Kosovës.

Veteranët, gjithashtu, kanë kërkuar nga mekanizmat e drejtësisë dhe rendit që të shuajnë strukturat paralele të Serbisë, që veprojnë brenda vendit dhe të arrestohen dhe të vihen para drejtësisë, ata që për 13 vite e terrorizuan këtë popullatë dhe dëmtuan ekonominë e vendit me kontrabandë e kriminalitet. Ata kërkuan edhe nga Qeveria e Kosovës, të shtrijë autoritetin në tërë territorin e vendit. OVL e UÇK-së po ashtu kërkoi nga të gjitha subjektet politike që të jenë të bashkuara, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm shtetëror e kombëtar.

Veteranët e UÇK-së kanë pohuar se do të vazhdojnë ta përcjellin situatën në vazhdimësi, duke u bërë me dije të gjithëve, se ata nuk do të rrinë duarkryq./koha/kohaislame

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit