14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Varhelyi: Kosova dhe Serbia të kthehen në dialog – të sigurohet liria e lëvizjes

Më të lexuarat

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për aplikimin e reciprocitetit për targat e automjeteve me Serbinë.

Varhelyi, duke folur për situatën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është imperativ të ushtrohet përmbajtje dhe të zvogëlohen tensionet, të kthehet në dialog dhe të sigurohet liria e lëvizjes pa vonesë.

“Veprimet e njëanshme kurrë nuk janë zgjidhje. Ato çojnë vetëm në tensione të panevojshme dhe duhet të tërhiqen”, ka shkruar Varhelyi në Twitter, transmeton Telegrafi.

Edhe zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, pas aplikimit të reciprocitetit nga ana Qeveria e Kosovës lidhur me targat e automjeteve të Serbisë, ka thënë se BE-ja po vazhdon të monitorojë situatën në teren.

Ai ka bërë thirrje që të dyja palët [Kosova dhe Serbia] të përmbahen nga veprimet e mëtejshme të njëanshme dhe menjëherë të zvogëlojnë tensionet.

Stano, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se BE edhe gjatë ditës se djeshme ka deklaruar se liria e lëvizjes është gurthemeli i Bashkimit Evropian. “Si e tillë, Kosova dhe Serbia presim ta promovojnë lirinë e lëvizjes në rajon”, tha ai.

Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur sërish për vendimin e reciprocitetit me Serbinë për tagrat e automjeteve.

Kurti falënderoi MPB-në dhe Policinë e Kosovës për punën e tyre gjatë këtyre ditëve.

Ai tha se vendim për targa është i drejtë dhe garanton të drejtat për lëvizjen e lirë të gjithë qytetarëve të Kosovës, për fshirë edhe qytetarët serb.

“Përgjigja pozitive gjatë këtyre ditëve e qytetarëve tanë dhe serbëve lokal, tregon më së miri gatishmërinë e tyre për të respektuar vendimin”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka thënë se bllokimi i rrugëve në dy pikat kufitare po bëhet me kamionë që janë pronë e institucioneve komunale.
Çështja e targave është e rregulluar me marrëveshjen për lirinë e lëvizjes midis Kosovës dhe Serbisë, e cila është arritur në vitin 2011 në Bruksel.

Në këtë marrëveshje ishte përcaktuar që të gjithë pronarët e veturave që banojnë në Kosovë, duhet të përdorin targat ‘KS’ (Kosovë) ose ‘RKS’ (Republika e Kosovës) dhe kështu t’i hiqnin nga përdorimi targat që për serbët e Kosovës i lëshonte Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës për të zbatuar masa reciprociteti ndaj automjeteve me targa të Serbisë, që hyjnë në Kosovë, ka nxitur protesta të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar.

Përfaqësues të Serbisë thonë se Kosova, me këtë veprim, ka shkelur dispozita të Marrëveshjes së Brukselit, të cilën dy vendet e kanë arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Në Prishtinë thonë se janë duke vepruar në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit.

Deri më tani, qytetarët e Kosovës me targa RKS (Republika e Kosovës), kur kanë hyrë në Serbi, kanë paguar rreth pesë euro për targa të përkohshme, që janë të vlefshme për 60 ditë. /Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit