17.7 C
Pristina
Wednesday, May 8, 2024

Tragjedia jonë Blerim Latifi

Më të lexuarat

Në vorbullën e ngjarjeve në Ukrainë duhej patjetër të hulumtonte edhe “profesor” Latifi. Meqë s’kish ç’të përralliste, u drodh e u përdrodh dhe sajoi aty për aty një tragjedi hollivudiane. Me ca fjalë prekëse, të mbushura me dokrra, të gatitura me erëza islamofobe dhe ja; tragjedia e torollakut ishte gati për duartrokitjet e publikut, që i prekur nga kjo “tragjedi” e përmasave kombëtare, nuk gjente fjalë për të falënderuar profesorin e madh, historianin kombëtar, flamurtarin e shqiptarisë!!!

Këto pesë rreshta histori që lexoni në foto janë ca gjepura pa lidhje. I vetmi informacion i saktë është togfjalëshi “shqiptarë të Ukrainës”. Të tjerat janë përfytyrime imagjinare të Latifit.

Shqiptarët e Ukrainës janë një komunitet i vogël që ka shtegëtuar nga Bullgaria në mesin e shek. XVIII, diku rreth viteve 1750-të. Nuk dihet shumë për prejardhjen e tyre. Çfarë dihet me siguri, e pranuar nga vetë shqiptarët e Ukraninës dhe e pohuar nga studiues të ndryshëm është pikërisht ky fakt; shpërngulja e tyre nga Bullgaria.

Në Bullgari mendohet të jenë vendosur në shek. XV-XVI. Supozohet që origjinën ta kenë nga juglindja e Shqipërisë, diku nga Korça. Albanologu rus, Aleksandër Noviku, thotë se e folmja e shqiptarëve të Ukrainës është e folme shumë e ngjashme me toskërishten dhe supozon se ata mund të jenë me origjinë nga Korça ose Devolli. Madje Noviku pretendon që ata mund të kenë ardhur në Ukrainën e sotme më herët.

Grupi i albanologëve rus, me në krye A. Novikun, e pranojnë që shqipja e këtij komuniteti është ndikuar nga qëndrimi i tyre në verilindje të Bullgarisë. Verilindja e Bullgarisë, konkretisht zona e Arbanasit, ka qenë një zonë me përqëndrim të shqiptarëve, të shpërngulur këtu gjatë periudhës osmane, si rezultat i lëvizjes së lirë që gëzonin të gjithë nënshtetasit osmanë.

Shqiptarët e Ukrainës janë shpërngulur në fshatin e Karakurtit, në krahinën e njohur historikisht me emrin Buxhak, që i takonte Besarabisë (Moldavia e sotme). Buxhaku, i cili historikisht nuk ka qenë ukrainas, është zona jugore e Besarabisë.

Buxhaku është një krahinë me sipërfaqje pak më të madhe se Kosova. Është një nga zonat më heterogjene dhe më multietnike të Evropës, për të mos thënë më heterogjeneja. Në shekullin XVIII ka qenë nën sundimin osman dhe në të banonin bullgarë, rumunë, moldavë, gjermanë, gagauzë (turq të krishterë të ndryshëm nga oguzët e Turqisë), turq osmanë, tatarë nogai, çifutë, etj. Të gjitha etnitë ishin pakica, me një përqindje pak më të lartë të bullgarëve, sidomos në jug të Buxhakut.

Buxhaku është sunduar nga osmanët për më shumë se tre shekuj. Ai ra në dorën e tyre në vitin 1484 dhe ishin turqit ata që i dhanë këtë emër, me kuptimin e skajit ose të qoshes. Vetë toponimi i fshatit të shqiptarëve, Karakurtit, është toponim turk. Kjo rrëzon pretendimin se ai është themeluar nga shqiptarët. Në fakt, Karakurti është një fshat shqiptaro-bullgar dhe më pas edhe me një përqindje ruse. Është një fshat i rrethuar nga fshatra dhe qytete të vogla bullgare, të shpërngulur nga Bullgaria shumë herët, mes shekujve XVII-XVIII, gjatë sundimit osman. Studiuesi P. Kërpeu, që ka bërë hulumtime në vitin 1850 për shqiptarët e Karakurtit, shënon se aty jetojnë 109 familje me 1060 frymë. Në gjysmën e dytë të shek. XIX shqiptarët e Karakurtit janë shpërngulur edhe në zonën e Azovit, në lindje të Ukrainës së sotme në tre fshatra të tjerë.

Qyteti më i madh i zonës është qytetit i Izmailit (Ismailit) i quajtur kështu për nder të sadërvezirit osman Ajash Ismail Pashës. Karakurti nuk është shumë larg Izmailit, qëndrës historike të Buxhakut.

Buxhaku ka qëndruar në sundimin e Shtetit Osman deri në vitin 1812. Pas luftimeve të gjata osmanët detyrohen të nënshkruajnë Traktatin e Bukureshtit (1812) dhe Buxhaku i kalon Rusisë.

Nuk ka dyshim se shqiptarët që janë vendosur në Karakurt të Buxhakut, janë vendosur gjatë sundimit osman. Në shekullin XVIII, siç shprehet edhe vetë Latifi, zona ka qenë nën sundimin osman. Është tërësisht e pakuptimtë që ata të kenë marrë udhën nëpër male, në një eksod gati biblik, sipas “profesorit” e pastaj të vendoseshin brenda kufijve të Shtetit Osman. E gjithë zona deri në shek. XIX ka qënë në dorë të osmanëve! Për më tepër, ajo ka qenë një zonë e preferuar kurbeti nga etni të ndryshme dhe shkaqet mund të kenë qënë më se normale, sidomos kur flasim për një periudhë në të cilën shpërngulje të tilla të brendshme ishin të shpeshta dhe të rëndomta.

Pastaj, ç’është kjo kryengritje që fantazon “profesori” në Jug? Të na japë një emrër, një vit, një evidencë! Ç’ne qënkan kryengritur në jug të Shqipërisë kur ata kanë jetur asokohe në Bullgari?! Madje origjina e tyre ekzakte nuk dihet. Dihet vetëm që janë toskë. Nisur nga rindërtimi dhe studimi sociolingustik i dialektit të tyre është hedhur hipoteza e Korçës dhe e Devollit. Në gjysmën e dytë të shek. XVIII, të cilit i referohet Latifi, në Devoll nuk ka pasur ndonjë kryengritje dhe revoltë kaq tragjike! Të vihet re se si “profesori” na jep edhe detaje; 2000 kryengritës të arratisur mal më mal, a thua ti se “profesori” ka qënë me ta kaluar mbi mushkë, gërxh më gërxh e breg më breg, derisa arritën t’u shpëtojnë osmanëve duke u vendosur po brenda territorit osman! 2000 kryengritës do të thotë 15.000-20.000 civilë, që me parametrat e kohës i bien më shumë se 20 fshatra!! Ndërkohë që shqiptarët e Karakurtit edhe pas një shekulli nuk ishim më shumë se një mijë e kusur.

Kisha shumë dëshirë ta quaja “profesorin” trillues profesionist, por as këtë nofkë nuk e meriton. Është një trillues ordiner, amator, që me fantazi dhe iluzione thur vetëm gjepura. Trillues profesionist është ai që nisuar nga disa baza dhe ngjarje historike, di si t’i manipulojë, di si t’ua ndërrojë rrjedhën e t’i lidhë me njëra-tjetrën që më pas t’ua nxjerrë publikut në një formë të besueshme. Ai që shpik tragjedi të paqena dhe në pesë rreshta këput dhjetë dokrra, e asnjë fjali nuk i lidhet me tjetrën, ai nuk mund të jetë më shumë se një ordiner, një profesor dylekësh, i bërë i tillë me mik.

Ai që për profesionalizëm ka vetëm urrejtjen e islamit dhe të historikut islam të Ballkanit në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti, nuk e meriton ta veshë rrobën e profesorit. Turp për Universitetin e Prishtinës që mban akoma kësi profesori! Turp për këtë pseudopatriot që qëllim kryesor i ka vënë vetes njollosjen e historisë dhe të muslimanëve me çdo kush, qoftë edhe me mashtrime! Turp edhe për ne që duartrokasim pallavrat e tij nga injoranca, nga padituria, nga mosnjohja e historisë sonë! Kush njollos historinë dhe identitetin e tij, ai ka shkatërruar edhe të ardhmen e tij. Islami është pjesë e pandarë e historisë sonë, i mishëruar ndër shekuj te popullin tonë, do apo nuk do “profesori”. Kështu ka qenë e kështu do të mbetet dhe atë vetëm një filoserb e filogrek e lufton. Shëndet e me të mira!

Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit