17.4 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Tillerson thirrje Mianmarit: Të ndalet dhuna në Arakan

Më të lexuarat

Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në një bisedë telefonike me kryekomandantin e Ushtrisë së Mianmarit, Min Aung Hlaing i bëri thirrje për ndaljen e dhunës kundër qytetarëve të Arakanit

WASHINGTON (AA) – Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson në një bisedë telefonike me kryekomandantin e Ushtrisë së Mianmarit, Min Aung Hlaing i bëri thirrje për ndaljen e dhunës kundër qytetarëve të Arakanit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA, Heather Nauert, në një deklaratë me shkrim njoftoi se Tillerson ka zhvilluar një bisedë telefonike me Hlaing.

Ajo tha se gjatë kësaj bisede Tillerson ka theksuar krizën njerëzore në Mianmar.

“Sekretari u bëri thirrje forcave të sigurisë së Mianmarit që t’i japin mbështetjes qeverisë, t’u japin fund incidenteve të dhunshme në rajonin e Arakanit dhe të ofrojnë kushte të nevojshme për kthimin në mënyrë të sigurtë të njerëzve të cilët u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Tillerson po ashtu bëri thirrje për ofrimin e ndihmave humanitare për njerëzit të cilët janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre, lejimin e hyrjes së mediave në rajon dhe lejimin e hulumtimit të pretendimeve për dhunë dhe shkelje të të drejtave të njeriut duke bashkëpunuar me Kombet e Bashkuara”, tha Nauert.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Gjatë sulmeve të fundit të ushtrisë dhe budistëve radikalë janë djegur ose shkatërruar afër 300 fshatra.

Mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit kanë ikur në Bangladesh për shkak të sigurisë së jetës. Civilët që largohen nga Mianmari kalojnë në Bangladesh përmes detit, lumit Naf dhe zonave malore.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit