7.2 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Thellësia strategjike e Turqisë

Më të lexuarat

Thellësia strategjike e Turqisë

Strategjia Erdogan-Babaxhan fillimisht arriti të reformonte sistemin bankar, të kontrollonte buxhetin dhe ta shpenzonte atë në mënyrë efiçente, duke investuar në mënyrë të vazhdueshme dhe fuqimisht në sektorë të cilat sot janë shtylla të ekonomisë turke, si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe teknologji. Rezultatet pozitive të reformave kanë sjellë fitoren e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në tre zgjedhje të njëpasnjëshme me një pjesëmarrje dhe mbështetje gjithnjë e më të madhe të votës popullore.
Një vizitë e fundit në Turqi më bëri të reflektoj për historinë e suksesit që ajo ka skicuar me arritjet dhe zhvillimin ekonomik gjatë dekadës së fundit. Mrekullia ekonomike turke është karakterizuar nga ritme të larta të rritjes ekonomike me një mesatare prej 6% nga periudha e viteve  2002-2012, ulje konstante të papunësisë, rënie të pabarazisë sociale, rritje të nivelit të investimeve të huaja direkte, diversifikim të zhvillimit të sektorëve ekonomikë, si dhe rritje të volumit tregtar me jashtë. Në rast se do t’i analizojmë fqinjët e saj, si dhe gamën e gjerë të problemeve të pasigurisë së brendshme, konflikteve ose krizave ekonomike, që ato po përjetojnë, këto arritje bëhen sa mbresëlënëse aq edhe më të qëndrueshme. Fqinjët e saj, Greqia dhe Qiproja, janë epiqendra të krizës së eurozonës. Në jug-lindje Siria është e kapluar nga një konflikt i tejzgjatur dyvjeçar, që e ka shndërruar vendin në një det gjaku nga brutaliteti i tiranit Asad dhe ku, si pasojë e luftës, më shumë se 500.000 refugjatë kanë vërshuar drejt Turqisë. E njëjta panoramë pasqyrohet edhe te fqinjët e saj lindorë, ku Irani po vuan izolimin dhe pasojat ekonomike të embargos ndërkombëtare, ndërsa Iraku është bërë pre e konflikteve me natyrë përçarëse sektare, për të mos vijuar me Gjeorgjinë dhe Armeninë, të cilat vuajnë nga çarjet e brendshme dhe pasiguritë për drejtimin politik të vendit nga BE-ja ose kah  tentakulat e  Rusisë dhe ku me armenët i shtohen edhe hesapet në lidhje me akuzat e së shkuarës për gjenocid. 
Përtej kësaj tabloje rajonale tejet pesimiste zhvillimi ekonomik dhe ndikimi gjithnjë e në rritje politik rajonal, por edhe më gjerë, ka qenë produkt i një strategjie largpamëse dhe vizionare të bazuar në përvojën historike dhe vullnetin politik për të ndryshuar në terren realitetet e prekshme. Por, cili ishte çelësi i suksesit për këto arritje mbresëlënëse? Njeriu kyç dhe strateg i këtij projekti është kryeministri aktual dhe kreu i partisë në pushtet AKP, Rexhep Taip Erdogan, i cili së bashku me ekipin e tij të ekonomistëve të udhëhequr nga zëvendës-kryeministri i tij, Ali Babaxhan, hodhën themelet e zhvillimit afatgjatë ekonomik nëpërmjet reformave fiskale dhe politikave monetare. Strategjia Erdogan-Babaxhan fillimisht arriti të reformonte sistemin bankar, të kontrollonte buxhetin dhe ta shpenzonte atë në mënyrë efiçente, duke investuar në mënyrë të vazhdueshme dhe fuqimisht në sektorë të cilat sot janë shtylla të ekonomisë turke, si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi dhe teknologji. Rezultatet pozitive të reformave kanë sjellë fitoren e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në tre zgjedhje të njëpasnjëshme me një pjesëmarrje dhe mbështetje gjithnjë e më të madhe të votës popullore.
Rol vendimtar në këtë proces ka luajtur edhe diplomacia e fqinjësisë së mirë, e bazuar mbi përvojat  dhe trashëgiminë kulturore të periudhës osmane, të cilat e kanë ndihmuar Turqinë që të mbetet një zë sa i moderuar aq edhe mbështetës i valës së revolucioneve të Pranverës Arabe, që kanë prekur rajonin tejet të paqëndrueshëm tashmë të Lindjes së Mesme. Gjithashtu shfrytëzimi i pozitës strategjike dhe kombinimi i saj me një diplomaci të ekuilibruar dhe të dyerve të hapura me Fuqitë e Mëdha dhe me fqinjët e ka ndihmuar Turqinë që jo vetëm të ruajë ekuilibrat e saj të brendshëm, por edhe të zgjerojë tregjet e saj si dhe t’i shmangë rreziqet e gjeopolitikës përçarëse.
Diversifikimi i destinacioneve të eksporteve
Megjithëse Turqisë i mungojnë burimet energjetike të fqinjëve të saj, ajo arrin t’i kompensojë këto me anë të konkurrueshmërisë së industrisë dhe shërbimeve të saj. Sektorë këto të cilat janë treguar të mprehtë në nuhatjen e zhvendosjes së balancave ekonomike botërore drejt lindjes dhe që, në përputhje më këto mundësi të reja, po i orientojnë eksportet dhe investimet e tyre kapitale drejt rajoneve të Afrikës, Lindjes së Mesme, Ballkanit dhe Azisë, paçka se partner kyç i volumit tregtar vijon të mbetet BE-ja. Në rast se do t’i vështronim të dhënat zyrtare të Dhomës së Tregtisë, duket qartë një diversivikim i eksporteve drejt këtyre destinacioneve të reja dhe me potenciale (nga viti 2006-20011 volumi tregtar me BE-në nga 56% ka shkuar në 46,9%, me Ballkanin nga 9,3%  ka përjetuar një rritje të lehtë me 0,1% në vitin 2011, me Afrikën luhatet me rritje nga 5,3% në 7,5 %, me Azinë nga 4,6% në 7,6%  dhe me Lindjen e Mesme vihet re një rritje galopante nga 13,2 % në 20,4%).
Përpos fakteve zyrtare, fryma prosperitetit dhe zhvillimit ndihet kudo – mjafton edhe në një shëtitje të shkurtër në Stamboll. Ky qytet, përpos përvojës së gjatë historike që simbolizon, përbën jo vetëm urën lidhëse të dialogut qytetërimor mes Evropës dhe Azisë, por ai është vetë zemra dhe qendra ekonomike e Turqisë. Stambolli përbën 28 % të PPB-së, 28% të industrisë totale, 31 % të sektorit të shërbimeve, gjeneron 43 % të të ardhurave të përgjithshme nga taksat, tërheq 75 % të investimeve të huaja direkte dhe përbën epiqendrën e më shumë se 50 % të volumit të jashtëm tregtar.
Investimet në teknologji dhe kapital njerëzor
Tregues të bumit ekonomik janë edhe aeroportet, autostradat, rrjetet hekurudhore me metro dhe infrastrukturat e tjera që paraqiten në nivele të larta, në sajë të ekspertizës së inxhinierisë, kryesisht vendase dhe të kompanive gjigante të ndërtimit. Kompanitë turke po konkurrojnë  dhe fitojnë oferta të majme gjithnjë e në rritje anembanë Lindjes së Mesme dhe Afrikës. Pjesë e rritjes ekonomike ishte edhe industria e turizmit, i cili në vitin 2012 arriti të tërhiqte 36 milion vizitorë, duke e bërë Turqinë në një ndër destinacionet e lakmueshme në botë.
Nga ana tjetër universitetet, si një ndër investimet strategjike të Turqisë, të cilat klasifikohen edhe si pjesë e sigurisë kombëtare, janë rritur së tepërmi si në numër, ashtu edhe në tërheqjen e studentëve ndërkombëtarë nga Afrika dhe Azia Këto institucione akademike gjithnjë e më tepër kanë e rritur bashkëpunimin e ngushtë me kompanitë e teknologjisë së lartë të aviacionit, elektronikës, teknologjisë së informacionit, si dhe në shumë fusha të tjera. Duke pasur parasysh pasuritë e saj në erë, burime gjeotermale dhe energjitë e rinovueshme, vendi ka filluar të investojë shumë në teknologjitë e qëndrueshme ose “shpikjet e gjelbra”.
Pajisjet e trajtimit të mbetjeve dhe sistemet e menaxhimit të tyre janë tejet të sofistikuara dhe janë bërë epiqendër e vëmendjes botërore. Kompanitë e menaxhimit të mbetjeve çdo ditë ndajnë tonelatat e mbetjeve urbane në materiale të riciklueshme dhe në mbetje organike, ndërsa mbetjet organike përpunohen në fabrikat e fermentimit, duke prodhuar plehra kimike dhe metan, i cili  përdoret për të prodhuar energji në centrale me kapacitet 25 mega-vat. Energjia e prodhuar kthehet në rrjetin energjetik të qytetit, ndërsa pjesa e energjisë së çliruar transportohet me tubacione drejt kaldajave të serave, të cilat prodhojnë domate, luleshtrydhe ose ordike. Ky sistem ka ndikuar edhe në modernizimin e sektorit të bujqësisë, i cili ka rritur kapacitetet eksportuese anembanë botës.
E gjithë kjo performancë ekonomike ka ndikuar ndjeshëm edhe në rritjen e besimit dhe investimeve të huaja direkte në vend. Numri i kompanive me kapital të huaj, nga 8.192 sa kanë qenë në vitin 2004, është katërfishuar për një periudhë 7-vjeçare, ashtu që në vitin 2011 numri i tyre preku shifrën e 39.399 kompanive. Ndikim esencial për rritjen e këtyre investimeve ka luajtur edhe një gamë e gjerë faktorësh, si: performanca ekonomike, popullsia e re dhe vitale, forca punëtore konkurruese dhe e kualifikuar, pozita gjeografike, taksat e ulëta dhe lehtësirat stimuluese, korridori energjetik dhe bashkimi doganor me BE-në ose edhe tregu i madh vendas. Në përputhje me këto ritme zhvillimi, sipas projeksionit të Goldman Sachs-it, Turqia deri në vitin 2050 do të jetë fuqia e 9-të ekonomike e botës dhe ekonomia e 3-të më e madhe në Evropë.
Sukseset e Turqisë qëndrojnë në shkrirjen e kapacitetit qeveritar me vullnetin e popullit duke reflektuar në thelb dekada përvoje në shekujt e historisë së datuar pas në kohët osmane. Nga ana tjetër guximi i vullnetit politik për të ndërmarrë reforma të kujdesshme monetare dhe fiskale, si dhe investime strategjike të guximshme publike dhe private në infrastrukturë, për të mos lënë mënjanë investimin në kapitalin njerëzor, prodhuan një sinergji largpamëse, që jo vetëm ndërton të tashmen, por edhe sheh me krenari drejt së ardhmes.
shenja.mk

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit