9.8 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Thelbi i krizës tonë është moral

Më të lexuarat

Nga: Dr Jusuf Kardavi

Thelbi i krizës tonë është moral

Kriza jonë më e madhe, në thelb, është krizë shpirtërore dhe morale, krizë e besimit dhe e virtytit. Normalisht, nuk jemi aq naivë që të mohojmë aspektet e tjera të krizës, ato politike, ekonomike, administrative, shkencore dhe teknologjike.  Këto janë dimensione dhe aspekte të pranuara dhe askush nuk dyshon. Por rrënjët e krizës dhe shkaqet e saj, pas një analize gjithëpërfshirëse, i referohen tharjes së rrënjëve të besimit dhe moralit.
Me dekada të tëra kemi vuajtur dhe jemi ankuar nga thundra e hekurt e diktatorëve, të cilët sundonin me hekur e zjarr popujt e tyre, duke i trajtuar si tufë bagëtish dhe jo si njerëz që mendojnë dhe kanë ndjenja. Gjatë këtyre dekadave kanë munguar institucionet demokratike, të cilat mbrojnë dhe garantojnë liritë e qytetarëve nga zullumet e klasës në pushtet.
Por cili ishte shkaku kryesor i gjithë kësaj zallamahie? Sigurisht, mungesa e besimit dhe e normave morale tek pushtetarët, por edhe tek masat.
Ishte dhe pikërisht pasioni faraonik për tu ndjerë zot, ishte dhe është arroganca e Hamanit dhe padrejtësia e Karunit. Kjo, e shoqëruar me varfëri shpirtërore dhe morale, e hasur tek masat e gjera. “Kështu, ata (masat popullore) i shkuan pas Faraonit,edhe pse kauza e tij ishte e padrejtë.” “Ai (faraoni) i hodhi hi syve popullit dhe ata iu shkuan pas.”
Kjo ligshti e masave, është e konkretizuar në dashurinë pas kësaj bote dhe frikën nga vdekja, secili mendon vetëm për veten e tij, pa pasur dëshirën më të vogël për të kontribuar për umetin.
Gozhdimi i pushtetarëve pas karrigeve të tyre, sakrifikimi i çdo gjëje tjetër për të mbajtur postin, dëshira e paepur e tyre për të mos hequr dorë edhe pse janë të rrethuar nga mynafikë, injorantë, horra dhe mashtrues të dorës së parë, të cilët nuk ngurojnë të kërkojnë ndihmën e armiqve për të qëndruar në pushtet… janë pikërisht ata që na kanë deglendisur në këtë farë feje.
Degradimi që vihet re në çdo aspekt, përçarja dhe fukarallëku, nuk ka të bëjë me diversitetin e ideologjive dhe politikave, aq sa ka të bëjë me diversitetin e epsheve, pasioneve dhe interesave të shtresës në pushtet.
Borxhet e vendeve tona që kanë arritur në miliarda dollarë, të cilat janë shndërruar në vargonj zjarri në qafën e popullatës, nuk kanë vajtur për ndërtimin e një të ardhmeje të ndritur, por janë zhvatur nga duart e liga që nuk e njohin dhe nuk i frikësohen Zotit. Këta njerëz nuk e mendojnë llogarinë e vështirë Ditën e Kiametit dhe nuk duan t’ia dinë nëse po e rrënojnë popullin për hir të interesave të tyre meskine.
Përhapja e drogave helmuese për rininë tonë, e cila shpenzon me miliona për të siguruar dozën e ditës, ndërkohë që masat e gjera nuk kanë bukë për të blerë, fsheh në vetvete prishjen morale.
Një masë e madhe e njerëzve ushqehen me haram pa ia bërë syri tërr. Ata e marrin rrogën edhe pse nuk punojnë, por edhe nëse punojnë, e bëjnë shkel e shko. Këta njerëz, marrin nga jeta, por nuk ofrojnë asgjë.
Ka të tjerë, që ndërtojnë lavdinë e vetes, duke rrënuar gjithçka të tjetrit, vënë mënjanë miliarda me djersën e të tjerëve, madje dhe gjakun e tyre.
Shumë plane dështake, vendime të kota dhe politika vetëvrasëse, ndërmerren për tu bërë qejfin një shtrese të caktuar, në kurriz të drejtës dhe të vërtetës. Servilizëm i shfrenuar, në kurriz të kombit.
Konkurrenca e shfrenuar për konsum, sidomos të mallrave të importuar, zvarritja vrasëse e prodhimit vendas, sidomos në bujqësi dhe industri, përbën një pjesë të krizës tonë të  besimit dhe moralit. Për fat të keq, ne flasim por nuk punojmë, themi dhe nuk veprojmë, importojmë dhe nuk eksportojmë, marrim dhe nuk japim, imitojmë dhe nuk shpikim. Thënë shkurt, shkatërrojmë por nuk ndërtojmë, vrasim dhe nuk ngjallim.
Kjo na bën të rrisim besimin se misioni ynë i parë dhe sublim, duhet të jetë përtëritja e besimit dhe moralit, karrikimi me energji i këtij fiziku të plogësht, energji e cila duhet të qarkullojë në çdo damar dhe venë, për të brofur dhe për t’ia nisur sërish punës.
Umetit tonë i lipset një shpirt i ri, i cili duhet të depërtojë në çdo skaj të trupit të tij, duke e shndërruar në një qenie tjetër, që i ndryshon filozofinë dhe këndvështrimin për jetën dhe i ndryshon stilin e jetës nga konsumator, në prodhues.
Materializmi, egoizmi, parazitizmi, karrierizmi,  oportunizmi, pragmatizmi dhe shumë vese të liga të tjera, duhen dëbuar një herë e përgjithmonë nga jeta jonë.
Improvizimi, spontaniteti, nepotizmi, disfatizmi, klientelizmi, mashtrimi komercial, politik, edukativ, kulturor etj… duhen luftuar derisa vendi të pastrohet prej tyre.
Anarkia, indiferentizmi, plogështia, dembelizmi, zvarritja e gjërave, dobësimi i prodhimit, konsumi pa kriter, shkatërrimi i pasurive publike etj… duhen luftuar siç luftohen sëmundjet e trupit. Në fakt, dukuri të tilla janë më të rrezikshme sesa sëmundjet organike, pasi pasojat e tyre janë mbi të gjithë shoqërinë.
 
Perktheu: Elmaz Fida
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit