Tërmet i fuqishëm dhe valë cunami godasin Rusinë… Gjendje emergjente në SHBA, Japoni dhe Meksikë

Më të lexuarat

Ministria ruse e emergjencave njoftoi se valët e cunamit shkaktuan përmbytje në qytetin Severo-Kurilsk, në veri të ishujve Kurile.

SHBA – Japoni – Rusi

Valë cunami (valë detare të shkaktuara nga tërmetet), me lartësi ndërmjet 3 dhe 4 metra, goditën pjesë të gadishullit rus të Kamçatkës pas një tërmeti me magnitudë 8.8 ballë sipas shkallës Rihter, që tronditi rajonin në orët e para të mëngjesit të së mërkurës.

Rusia, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera të vendosura pranë ose në Oqeanin Paqësor lëshuan paralajmërime për mundësi cunamish.

Në një deklaratë, dega e Institutit Gjeofizik të Akademisë Ruse të Shkencave në Kamçatka konfirmoi se tërmeti i së mërkurës ishte më i fuqishmi që prej vitit 1952, dhe se ai shkaktoi valë cunami të rrezikshme përgjatë bregdetit.

Në një njoftim në Telegram, ata thanë: “Duke marrë parasysh madhësinë e këtij fenomeni, duhet të presim pasgoditje të forta, ndoshta me magnitudë deri në 7.5 ballë.” Ata shtuan: “Pasgoditjet e mëdha dhe të ndjeshme, deri në 7.5 ballë, pritet të vazhdojnë për të paktën edhe një muaj.”

Shërbimi Gjeologjik i SHBA bëri të ditur se tërmeti ndodhi në një thellësi prej 19.3 kilometrash dhe rreth 136 kilometra larg qytetit Petropavlovsk-Kamçatski, kryeqyteti i rajonit të Kamçatkës.

Qeveria meksikane urdhëroi të mërkurën mbrojtjen civile që të largojë banorët nga zonat bregdetare të Oqeanit Paqësor për shkak të rrezikut nga cunami që mund të vijë si pasojë e tërmetit në gadishullin rus të Kamçatkës.

Marina meksikane deklaroi se pret “rryma të forta në hyrjet e porteve” përgjatë bregdetit perëndimor të vendit, që nga Baja California në veri deri në Chiapas në jug.

Nga ana tjetër, Ministria ruse e emergjencave njoftoi se cunami shkaktoi përmbytje në qytetin bregdetar Severo-Kurilsk, në veri të ishujve Kurile. “Valët e cunamit përmbytën disa pjesë të qytetit… Banorët janë evakuuar,” thuhet në deklaratë.

Në ishullin Hokkaido, në veri të Japonisë, mbërritën valët e para të cunamit, me lartësi prej 30 centimetrash, sipas transmetuesit publik japonez NHK.

NHK paralajmëroi se pas kësaj vale të parë mund të pasojnë valë më të larta. Agjencia Meteorologjike e Japonisë kishte parashikuar valë cunami deri në 3 metra në bregdetin verior dhe lindor të arkipelagut, duke përfshirë deri në jug të Osakës. Qeveria japoneze shpalli alarm emergjence dhe dha urdhra për evakuim të zonave bregdetare.

Kompania TEPCO, që menaxhon centralin bërthamor të Fukushimës në lindje të Japonisë, njoftoi se të gjithë punonjësit në këtë objekt, i cili pësoi dëme në 2011, u evakuuan të mërkurën për shkak të rrezikut nga cunami i shkaktuar nga tërmeti në Rusi.

Zëdhënësi i TEPCO tha: “I evakuuam të gjithë punëtorët dhe stafin”, duke shtuar se “nuk është vërejtur ndonjë anomali” në centralin që është në proces çmontimi që nga dëmtimi i tij në vitin 2011 nga tërmeti dhe cunami historik.

Qendra Amerikane për Paralajmërimin nga Cunami lëshoi një paralajmërim për “valë të rrezikshme” mbi 3 metra në orët e ardhshme përgjatë disa bregdeteve të Rusisë, Japonisë dhe shteteve amerikane si Hawaii, Kalifornia, Oregon, Uashington dhe zona të tjera në Paqësor.

Autoritetet emergjente në Honolulu bënë thirrje për evakuimin e disa zonave bregdetare në Hawaii dhe aktivizuan sirenat për cunami, duke u kërkuar banorëve që të ngjiten në zona më të larta.

Ministri i emergjencave në Kamçatka, Sergei Lebedev, raportoi për cunami me valë nga 3 deri në 4 metra në disa pjesë të rajonit. “Të gjithë duhet të qëndrojnë larg valëve,” tha ai në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ndërkohë, guvernatori i Sakhalin-it, Valery Limarenko, deklaroi në Telegram se është dhënë urdhër për evakuimin e qytetit të vogël Severo-Kurilsk pas paralajmërimit për cunami pas tërmetit.

Autoritetet në gadishullin e Kamçatkës konfirmuan disa të plagosur nga tërmeti, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë larg bregdetit për shkak të rrezikut të cunamit.

Guvernatori i Kamçatkës, Vladimir Solodov, shkroi në një postim në Telegram: “I bëj thirrje të gjithëve të qëndrojnë larg bregdetit në zonat e kërcënuara nga cunami dhe të dëgjojnë njoftimet e dhëna përmes altoparlantëve.”

Më 20 korrik, në të njëjtin rajon ndodhi një tërmet me magnitudë 7.4 ballë, i ndjekur nga disa pasgoditje, por pa shkaktuar dëme të mëdha.

Gadishulli rus i Kamçatkës, që ndan Detin e Ohotskut nga Oqeani Paqësor, konsiderohet “një nga zonat më të rrezikuara nga tërmetet në botë”, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara.

Burimi: Al Arabiya.net dhe agjencitë

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit