PSE INTELIGJENCA ARTIFICIALE NUK MUND TË JETË KURRË NJË MUFTI

Më të lexuarat

Inteligjenca Artificiale, veçanërisht Modeli i Madh Gjuhësor (LLM), funksionon nëpërmjet identifikimit të rregullsive (patterns) dhe parashikimit statistikor.
Kur ti i bën pyetje Inteligjencës artificiale, ajo nuk “kupton” në ndonjë formë të të kuptuarit njerëzor ose teologjik; ajo vetëm llogarit rendin e gjasshëm tё fjalëve, bazuar në të dhënat e trajnimit të saj për zhvillimin e aftësive.
Inteligjenca artificiale nuk arsyeton, nuk kupton, nuk beson. Ajo vetëm lidh gjërat nga ana statistikore.
Në anën tjetër, fikhu (jurisprudenca islame) nuk është përshtatje e rregullsive. Fikhu nuk është një model statistikor, por një model i zhvilluar nga njeriu dhe një sistem me të dhëna të shenjta, parametra të drejtuar (tё kontrolluar) dhe një strukturë thellësisht etike.
Ndryshe nga Modelet e Mëdha Gjuhësore (IA), që trajnohen me korpuse tekstesh dhe optimizohen për rezultate tё mbështetura në teori probabiliteti, Fikhu është zhvilluar mbi shpalljen hyjnore — Kuranin dhe Sunetin — nëpër dekada mësimi të mbikëqyrura nga dijetarë të kualifikuar.
Fikhu nuk është zhvilluar vetëm nëpërmjet teksteve juridike, por edhe në bazë të përvojave jetësore, arsyetimit etik, rafinimit shpirtëror, dhe një tradite të llogaridhënies. Faktorët vlerësues të fikhut kalibrohen me devotshmëri (takva), sinqeritet, dhe të kuptuar tё thellë të Sheriatit.
Fikhu nuk jep rezultate sipas gjasës, por jep vendime të bazuara në:
▪️ Arsyen e thellë (urtësinë) dhe shkaqet ‘e fshehura’ (të nënkuptuara) juridike të urdhrave,
▪️ Kontekstin e çështjes përkatëse,
▪️ Objektivat përmbledhëse të Sheriatit,
▪️ Ruajtjen e drejtpeshimit mes ngatërrimit dhe lehtësisë në jetën e njeriut.
Fikhu nuk është një model që e zhvillon njëherë dhe më pas e vë në përdorim. Ai është një sistem i gjallë, që vazhdimisht përpunohet nëpërmjet dialogut me realitetin, i integruar në zemrat e dijetarëve që trashëgojnë jo vetëm dituri, por edhe dritën e pejgamberllëkut.
Asnjë model i inteligjencës artificiale nuk mund ta imitojë këtë. Sepse fikhu nuk është thjesht informacion, por është urtësi hyjnore në duar të njerëzve.
Jurisprudenca islame është epistemologji e shenjtë, jo statistikore. Ajo është:
▪️ Shpallje hyjnore (Vahj) – Kuran dhe Sunet, me qëllim, me kontekst, dhe me shtresa kuptimi përtej kuptimit të drejtpërdrejtë.
▪️ Ixhtihad – Arsyetim etik i dijetarëve të kualifikuar, i bazuar në kontekst, në realitet njerëzor dhe në objektivat e Sheriatit (makaasid).
▪️ Dritë pejgamberike – Njohuria hyjnore është trashëgim nga të gjithë pejgamberët; është shpirtërore, jo sintetike.
▪️ Besira – Dijetarët veprojnë me maturi, intuitë etike, vetëdije metafizike dhe sinqeritet, cilësi këto që asnjë model nuk do të mund t’i simulojë ndonjëherë.
Një fetva reale vlerëson:
▪️ Kur të ndiqet logjika e ligjit dhe kur të bëhet përjashtim nga kjo
▪️ Kur duhet pezulluar një rregull të drejtpërdrejtë, për shkak të domosdoshmërisë
▪️ Gjendjen emocionale dhe shpirtërore të pyetësit
▪️ Dëmet dhe dobitë delikate, që nuk duken në fjalët e një kontrate
▪️ Synimin e ligjit hyjnor
Automatizimi i fetvasë nënkupton shndërrimin e udhëzimit hyjnor në një rezultat statistikor, çka përbën një akt të rrezikshëm, që shlyen shenjtërinë e traditës dhe përgjegjësinë e dijetarit.
Inteligjenca artificiale mund tё ndihmojë dijetarët për indeksim, përmbledhje dhe kërkim të materialit, por nuk mund ta zëvendësojë muftiun e as të mbartë barrën e përgjegjësisë së një gjykimi të shenjtë.
Kjo dije u përket zemrave të trajnuara në Sheriat, jo makinave të trajnuara me të dhëna.

 

– Nga Mufti Faraz Adam (H), përkthyer nga Lulzim Imeri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit