Deklarata përfundimtare e samitit të jashtëzakonshëm arabo-islamik të mbajtur në Doha për të diskutuar sulmin izraelit ndaj Katarit, u bëri thirrje të gjitha vendeve pjesëmarrëse që të ndërmarrin të gjitha masat ligjore dhe efektive të mundshme për të penguar Izraelin nga vazhdimi i veprimeve të tij kundër popullit palestinez, përfshirë rishikimin e marrëdhënieve diplomatike dhe ekonomike me të.
Kryeministri i Katarit, sheikh Muhamed bin Abdurrahman Al Thani, shpalli në fund të samitit se deklarata përfundimtare është miratuar nga të gjithë liderët, që përfaqësojnë 57 shtete arabe dhe islame.
Deklarata dënoi sulmin izraelit ndaj kryeqytetit Doha dhe e refuzoi çdo justifikim për të, duke theksuar se “vazhdimi i praktikave agresive izraelite minon çdo mundësi për paqe në rajon”.
Pikat kryesore të deklaratës përfundimtare
• Konfirmojmë se agresioni izraelit kundër Katarit dhe vazhdimi i praktikave agresive, përfshirë gjenocidin, spastrimin etnik, urinë dhe bllokadën, si dhe aktivitetet koloniale dhe politikat zgjeruese, minojnë çdo shans për paqe.
• Dënojmë ashpër sulmin e 9 shtatorit 2025 në një lagje banimi në Doha, ku ishin vendosur delegacione ndërmjetësuese, që shkaktoi viktima, përfshirë një qytetar katari, dhe plagosje të civilëve.
• Ky sulm është agresion i hapur ndaj një shteti anëtar të OKB-së dhe përbën përshkallëzim të rrezikshëm që ekspozon agresivitetin e qeverisë ekstreme izraelite.
• Konfirmojmë solidaritetin me Katarin dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur, sipas Kartës së OKB-së.
• Ky agresion ndaj një vendi që po vepron si ndërmjetës për armëpushim dhe lirimin e pengjeve është një goditje ndaj përpjekjeve diplomatike për paqe.
• Vlerësojmë qëndrimin e matur dhe të përgjegjshëm të Katarit, përkushtimin ndaj ligjit ndërkombëtar dhe vendosmërinë për mbrojtjen e sovranitetit.
• Mbështesim përpjekjet e ndërmjetësimit nga Katari, Egjipti dhe SHBA për të ndaluar agresionin mbi Gazë.
• Refuzojmë çdo përpjekje për të justifikuar agresionin dhe e konsiderojmë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe Kartës së OKB-së.
• Refuzojmë plotësisht kërcënimet izraelite për sulme të reja kundër Katarit apo çdo shteti arab/islam.
• Përshëndesim vendimin e Ligës Arabe për vizionin e sigurisë dhe bashkëpunimit rajonal dhe theksojmë rëndësinë e mekanizmave të përbashkët të sigurisë.
• Nënvizojmë nevojën për t’iu kundërvënë planeve izraelite për imponimin e realiteteve të reja në rajon.
• Dënojmë çdo përpjekje për dëbimin e palestinezëve nga tokat e tyre të 1967-ës dhe e konsiderojmë këtë spastrim etnik.
• Theksojmë zbatimin e planit arabo-islamik për rindërtimin e Gazës dhe bëjmë thirrje për mbështetje ndërkombëtare dhe pjesëmarrje në konferencën e rindërtimit në Kajro.
• Dënojmë politikat izraelite që kanë shkaktuar krizë humanitare të paparë, duke përdorur urinë dhe bllokadën si armë.
• Paralajmërojmë kundër pasojave të çdo aneksimi të tokave palestineze dhe e konsiderojmë shkelje të rëndë të ligjit ndërkombëtar.
• Kërkojmë veprim urgjent të bashkësisë ndërkombëtare për të ndalur agresionet izraelite, duke paralajmëruar për rrezikun e vazhdimit të mosveprimit ndërkombëtar.
• U bëjmë thirrje vendeve të marrin masa për të ndaluar Izraelin, përfshirë sanksione, pezullim të furnizimit me armë dhe rishikimin e marrëdhënieve diplomatike e ekonomike.
• Ftojmë vendet e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik të shqyrtojnë anëtarësinë e Izraelit në OKB, duke marrë parasysh shkeljet e tij.
• Nënvizojmë rëndësinë e respektimit të vendimeve të OKB-së dhe refuzojmë diskursin izraelit që përdor islamofobinë për të legjitimuar shkeljet.
• Përshëndesim miratimin e “Deklaratës së Nju Jorkut” për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete dhe krijimin e shtetit palestinez në kufijtë e 4 qershorit 1967 me kryeqytet Jerusalemin Lindor.
• Përshëndesim konferencën mbi zgjidhjen me dy shtete, të kryesuar nga Arabia Saudite dhe Franca, që do të mbahet më 22 shtator 2025 në Nju Jork.
• Mbështesim kujdestarinë historike hashemite të Mbretit Abdullah II mbi vendet e shenjta islame dhe të krishtera në Jerusalem.
• Rikonfirmojmë se xhamia Al-Aksa me gjithë sipërfaqen prej 144 mijë m² është vend adhurimi vetëm për myslimanët dhe administrimi i saj është i drejtë ekskluzive e Jordanisë.
• Nënvizojmë nevojën për të mbështetur qëndrueshmërinë e banorëve të Jerusalemit dhe punën e Komitetit të Jerusalemit nën udhëheqjen e Mbretit Mohamed VI të Marokut.
• Theksojmë se paqja e drejtë dhe e qëndrueshme nuk mund të arrihet duke anashkaluar çështjen palestineze, por vetëm duke respektuar iniciativën arabe të paqes dhe vendimet ndërkombëtare.
• U kërkojmë vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik që janë palë në Statutin e Romës të mbështesin zbatimin e urdhrave të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krimet kundër palestinezëve dhe të sigurojnë zbatimin e masave të përkohshme të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të janarit 2024 ndaj Izraelit.
Burimi: Al Jazeera Mubasher
