12.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Tangërllëku shqiptar – Justinian Topulli

Më të lexuarat

Tangërllëku është një fjalë që përdoret kryesisht në Shqipërinë e Mesme dhe që identifikon një sjellje mburravece, kapardisje për të treguar veten sikur je dikush, për shkak të asaj që mban apo vesh etj. Shumë shpesh përdoret për njerëz që edhe pse nuk kanë ndonjë nivel apo status social të ngritur, këtë përpiqen ta shesin artificialisht përmes veshjeve të shtrenjta, makinave apo edhe telefonave tashmë dhe sigurisht përmes të folurit dhe sjelljes impozante.

Sigurisht që kjo është sëmundje që i kap ata që pasurohen shpejt dhe posedojnë mjete financiare që ua mundëson një sjellje të tillë, por habia në këtë rast është sesi këta pak njerëz kthehen në model imitimi për një shumicë që nuk ka këtë mundësi, duke u kthyer kështu në një lloj mode tangërrllikse, edhe pse është trokë nga xhepat. Kjo sëmundje, për të ardhur keq, nuk ka ndryshuar as me ndryshimet politike, sociale dhe ekonomike që kanë ndodhur në Shqipëri për këto tre dekada, për të mos thënë që është shtuar.

Në fillim të viteve 90′ ose edhe pak përpara tyre, në Tiranë qarkullonte një bejte që ironizonte me këtë sjellje. Thuhet se një djalë nga jashtë Tirane apo nga fshati kishte qenë në Tiranë dhe kur ishte kthyer në shtëpi, e ëma e kishte pyetur se çfarë kishte parë në kryeqytet dhe ai i ishte përgjigjur:

Kokën me kaskë
këpucët adidas
dhe barkun me pras

Me kaskë identifikonte njerëzit që bridhnin me motorë, që mbathnin atlete adidas, diçka tepër të rralla për kohën dhe mundësitë atëbotë, ndërkohë që ishin njerëz të varfër që ushqiin më të zakonshëm në sofrat e tyre kishin preshin e lirë.

Sigurisht nuk besoj se kjo lloj sjellje është vetëm shqiptare, ama nëse do të më duhej të identifikoja dikur një shqiptar jashtë, shpesh do të mund ta dalloja atë shumë lehtë nga veshja dhe paraqitja e jashtme, ku fytyra e lodhur nga kequshqimi, e zverdhur dhe e nxirë nga dielli, shoqërohej gjithë kapardisje me një zinxhir të trashë floriri në qafë, e unaza me gurë nëpër gishta, fryrë si kokosh majë plehut, ndërkohë që jeton si refugjatë në një shtëpi të lodhur me qira dhe punon gjithë ditën në ndërtim.

I sheh shumë prej njerëzve me këtë mendësi që duan të mbajnë makina të shtrenjta, që pak t’i prekësh janë të gatshëm të të vrasin për të, që nuk presin as një muaj nga dalja e versionit më të ri të iphonit pa e blerë, që duan vetëm veshmbathje firmato, ndërkohë që as shtëpi në pronësi të tyre nuk kanë! E ata që kanë një kulm mbi krye sot tentojnë ta ngrenë më lartë, për inat të komshiut që ka një kat më shumë!

Etja për tangërllëk dhe kapardisje është e madhe mes shqiptarëve, edhe pse asnjë prapavijë sociale dhe ekonomike nuk e justifikon shpesh diçka të tillë, ama dukja për ta është më e rëndësishme sesa realiteti i mjerë që u fshihet pas.

Të kuptuarit dhe pranimi i sëmundjeve tona është hapi i parë drejt kurimit të tyre.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit