Studiuesi Mahmut Alrantisi shkruan mbi rikthimin e planit për dëbimin e popullsisë së Gazës në rendin e ditës gjatë takimit mes Benjamin Netanyahut dhe Donald Trumpit.
Ideja e Donald Trumpit për të zbrazur Gazën nga popullsia e saj dhe për të dërguar banorët drejt vendeve arabe fqinje, duke ndërtuar mbi këto toka të përgjakura “resorte turistike”, dështoi disa muaj më parë. Ajo që u përpoq të vihej në zbatim mbi një tokë të lagur nga gjaku i grave dhe fëmijëve – në atë që mund të cilësohet si një nga gjenocidet më të tmerrshme të historisë moderne – u ndal për momentin.
Dështimi i këtij plani lidhej kryesisht me dy faktorë:
Së pari, populli palestinez në Gaza, pavarësisht luftës gjenocidale, tregoi një rezistencë të jashtëzakonshme dhe pushtimi izraelit nuk kishte fuqinë për të detyruar një spastrimin të plotë të territorit.
Së dyti, vendet arabe e refuzuan këtë plan të çmendur, të frikësuara nga kërcënimet që ai do të paraqiste për sigurinë e tyre kombëtare.
Megjithatë, liderët e pushtimit izraelit – që kanë tentuar t’ia imponojnë këtë ide rrethit të afërt të Trumpit – nuk e kanë braktisur aspak projektin. Ata vazhdojnë të ndjekin rrugë të ndryshme për ta realizuar atë.
Netanyahu, Trump dhe strategjia e “dëbimit të butë”
Është fakt se Trump është një lider që pëlqen të nxjerrë ide të pazakonta në opinion publik dhe shpesh tenton t’i realizojë ato. Nga ana tjetër, Benjamin Netanyahu – një politikan i stërvitur dhe oportunist – di si të shfrytëzojë këto prirje. Prandaj, nën drejtimin e tij, shteti i Izraelit ka ndërtuar strategji për ta vendosur planin e dëbimit të palestinezëve nga Gaza në axhendën politike të Trumpit.
Nga zhvillimet e fundit në takimin Trump-Netanyahu duket se ky i fundit është përpjekur të masazhojë egon e Trumpit dhe të ndikojë psikologjikisht tek ai. Veçanërisht fakti që Netanyahu e propozoi Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen – një çmim që Trump e lakmon prej kohësh – ishte një lëvizje e qartë për ta afruar atë në planin e dëbimit. Ironikisht, ky vlerësim vjen nga një lider (Netanyahu) që aktualisht është i kërkuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime lufte në Gaza.
Në këtë kontekst, Netanyahu ia paraqiti Trumpit planin e dëbimit duke e veshur me termin “opsional”: “Kush dëshiron të largohet, le të largohet – kush do të qëndrojë, le të qëndrojë.” Ai e prezantoi këtë jo si një burg, por si një zgjedhje individuale. Po ashtu, Netanyahu tha se Izraeli është në koordinim me SHBA për të gjetur vende të gatshme për të pranuar popullsinë e Gazës.
Prapaskenat e planeve për Gazën
Fakti që Netanyahu e rikthen në tryezë çështjen e migrimit nga Gaza në një periudhë ku flitet për armëpushim, zbulon fytyrën e vërtetë të qeverisë izraelite dhe të vetë Netanyahut, përfaqësues i së djathtës ekstreme sioniste. Në këtë fazë, pushtimi izraelit po ofron një marrëveshje të përkohshme për të liruar pengjet izraelite që ndodhen ende në duart e rezistencës palestineze. Si shpërblim, popullsisë së Gazës do t’i jepen disa “thërrime” ndihmash humanitare. Por sapo pengjet të lirohen, do të rifillojnë masakrat që do të përgatisin terrenin për dëbimin masiv.
Në anën tjetër, Netanyahu i paraqet Trumpit disa “ndryshore të reja” që – sipas tij – e bëjnë planin më të zbatueshëm. Një prej tyre është raundi i fundit i përplasjes ushtarake mes regjimit sionist dhe Iranit. Netanyahu mendon se ka dalë fitimtar dhe se mund t’ua imponojë vizionin e tij gjithë vendeve të rajonit.
Në këtë kuadër, Izraeli po ndjek një strategji aplikimi gradual të planit të dëbimit. Fillimisht prezanton propozime të kufizuara, më pas i zgjeron ato hap pas hapi. Një shembull është plani i shpallur të martën nga ministri i Mbrojtjes Yisrael Katz, i cili parashikon ndërtimin e një “qyteti humanitar” të mbyllur mbi rrënojat e qytetit Rafah në jug të Gazës.
Sipas planit, qëllimi është të ndahen civilët nga “elementët e Hamasit”. Në fazën e parë do të pastrohet korridori humanitar i Muvassit dhe do të zhvendosen aty rreth 600.000 palestinezë. Në fazat e mëvonshme, parashikohet që edhe 2.3 milionë banorët e tjerë të Gazës të dërgohen në këtë qytet të ri. Megjithatë, nuk është dhënë një afat konkret.
Sipas këtij modeli, ushtria izraelite nuk do të shpërndajë vetë ushqime dhe ndihma, por do të sigurojë zonën nga jashtë. Zbatimi i masave të rrepta dhe përdorimi i frikësimit dhe mashtrimit mund ta hapin rrugën për realizimin e planit të madh – dëbimin total të popullsisë.
Ky plan gjithashtu kënaq aleatët ekstremistë të Netanyahut si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke i shërbyer qëllimit të tij për të mbetur në pushtet sa më gjatë.
Një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe i vazhdueshëm
Ndërkohë që këto skenarë ngjallin frikë, e ndërrojnë rolet mes një kërcënimi real dhe një karte që mund të negociohet, një gjë mbetet e pandryshueshme: plani i dëbimit duhet trajtuar si një kërcënim praktik. Sidomos kur e djathta sioniste e ka përqafuar tashmë këtë projekt në mënyrë të hapur.
Në përfundim, shohim se tema e dëbimit të popullsisë së Gazës rikthehet çdo dy muaj në agjendën e Netanyahut, para dhe pas çdo vizite në Uashington. Në të njëjtën kohë, po punohet për ta risjellë këtë ide në mendjen e Trumpit – i cili gjashtë muaj më parë e kishte harruar atë – përmes metodave të reja që përshtaten me personalitetin e tij.
Solli në gjuhën shqipe për kohaislame.com – Abdurrahman Halimi
