Sanksionet ndërkombëtare: Kërkim për drejtësi apo mjet presioni? 

Më të lexuarat

Studiuesi Abbas Kabbari, shkroi për zhvillimin e sanksioneve ndërkombëtare, mënyrat e zbatimit të tyre dhe përdorimin e këtyre mekanizmave nga fuqitë e mëdha në funksion të interesave të tyre.
Pas çdo periudhe konflikti, disa çështje dalin në rendin e ditës si pasojë ose reflektim i kësaj lufte. Çështja e “sanksioneve ndërkombëtare” është një nga ndikimet më të rëndësishme të konflikteve të kohëve moderne.
Këto sanksione aplikohen ndaj palës që ka humbur një luftë apo ndaj atyre që kanë shkelur një vendim ndërkombëtar, nga organizata si Kombet e Bashkuara (OKB), Bashkimi Evropian (BE) apo nga vende të fuqishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Këto sanksione kanë ndikim të thellë në marrëdhëniet ndërkombëtare, si brenda vetë shtetit të ndëshkuar, ashtu edhe në rajonin përreth apo marrëdhëniet ekzistuese të këtij shteti.
Sanksionet ndërkombëtare filluan të përdoren pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ndaj vendeve të mposhtura në atë kohë, dhe mekanizmat e sanksioneve vazhdojnë të zhvillohen edhe sot.
Historikisht, këto sanksione nisën me hapa politikë, më pas u kalua në sanksione ekonomike, dhe së fundmi u shtuan edhe sanksionet sociale dhe sportive.
Bota ka qenë dëshmitare e shumë rasteve ku sanksionet kanë qenë të rënda dhe kanë zgjatur për dekada.
Për shembull, pas pushtimit të Kuvajtit nga Iraku, Bagdadi u përball me një sërë sanksionesh politike dhe ekonomike.
Po ashtu edhe Irani, pas nisjes së programit të tij bërthamor, u përball me izolim politik dhe sanksione ekonomike që ende janë në fuqi.
Ndaj Rusisë, pas nisjes së luftës ndaj Ukrainës, përveç masave ushtarake, politike dhe ekonomike, u shtuan edhe sanksione sociale dhe sportive.
Rusia u ndalua të marrë pjesë në turne ndërkombëtarë sportivë dhe shumë personalitete të njohura ruse u përballën me ndalimin e udhëtimit – një metodë e re në botën e sanksioneve ndërkombëtare.
Pyetja më e rëndësishme që mund të shtrojmë këtu është: A mbështeten mekanizmat e ndëshkimit ndërkombëtar në drejtësi, apo në interesa të njëanshme? A i imponohen nga vendime të paanshme ndërkombëtare apo nga vullneti i fuqive të mëdha?
Për të qenë të karakterizuara si të drejta, mekanizmat e ndëshkimit kanë nevojë për disa elementë. Më kryesorët janë: “përgjithësimi”, “paanshmëria”, “arsyetueshmëria” dhe “proporcionaliteti”.
Sanksionet ndërkombëtare duhet të jenë masa të përgjithshme, që zbatohen në të njëjtën masë, mënyrë, kushte dhe kohë ndaj të gjithë fajtorëve.
Ndëshkimi duhet të jetë gjithashtu i paanshëm dhe të mos ndryshojë në varësi të përkatësive apo aleancave.
Në fund, ndëshkimi duhet të jetë i arsyeshëm dhe proporcional si në raport me veprën, ashtu edhe me autorin e saj.
Nëse ndëshkimi nuk përmban ndonjë prej këtyre elementeve, ai nuk sjell drejtësi dhe nuk e pengon përsëritjen e veprës. Madje mund të jetë një arsye më vete që shkelësi të këmbëngulë në qëndrimin e tij duke pretenduar padrejtësi.
A janë sanksionet ndërkombëtare një ide e drejtë?
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të japim një model – dhe politika e sanksioneve e ndjekur nga SHBA është modeli më i qartë.
SHBA, në konfliktet e ndryshme, ka zbatuar sanksione të ekzagjeruara ndaj kundërshtarëve të saj dhe më pas ka detyruar edhe vendet mike dhe aleate që t’i ndjekin ato.
Përveç sanksioneve të aplikuara ndaj Kubës dhe Koresë së Veriut që nga vitet 1950, SHBA ka përdorur sanksione ndaj shumë “armiqve” të tjerë si Irani, Iraku, Sudani, Siria, Rusia dhe Kina.
Këto sanksione variojnë nga izolimi diplomatik, kufizimet ekonomike dhe ndalimi i furnizimeve ushtarake, deri tek ndalimet e udhëtimit, ndalimi i vizave, ngrirja e fondeve, sekuestrimi i pronave dhe në shumë raste, përfshirja në lista terroriste.
SHBA nuk kufizohet vetëm me zbatimin e këtyre sanksioneve përmes legjislacionit të saj të brendshëm apo brenda kufijve të vet, por përpiqet t’i bëjë ato ndërkombëtare.
Kjo arrihet përmes ushtrimit të presionit mbi vende të tjera ose mbi këshilla dhe organizata ndërkombëtare ku mban peshën kryesore.
Nga ana tjetër, SHBA ndjek një politikë të dyfishtë: edhe kur aleatët e saj kryejnë të njëjtat vepra që kanë sjellë sanksione për vende të tjera, ajo i mbron ata.
Disa vende që përfitojnë nga mbrojtja e SHBA kanë kryer vepra që përbëjnë krime lufte dhe kanë përdorur metoda që arrijnë deri në gjenocid.
Për shembull, SHBA ndëshkon Rusinë për pushtimin e Ukrainës, ndërsa vazhdon ta mbrojë Izraelin, i cili kryen gjenocid të vazhdueshëm në Palestinë.
Ndaj Sudanit, për përdorimin e supozuar të armëve kimike kundër Forcave të Mbështetjes së Shpejtë, SHBA zbaton sanksione të ashpra, por kur bëhet fjalë për Serbinë që kreu masakra në Bosnje, tregohet shumë më e butë.
Ky model ndëshkimi i padrejtë nuk e ndalon krimin, përkundrazi, shtetet bëhen më të kujdesshme në mënyrën si e kryejnë krimin dhe kjo dobëson idenë e drejtësisë në komunitetin ndërkombëtar.
SHBA dhe Izraeli
Izraeli, duke përfituar nga mbështetja e SHBA-së, kryen më shumë krime pa u ndëshkuar.
SHBA nuk mjaftohet me mbrojtjen e Izraelit, por bën gjithçka për të ndëshkuar ata që përpiqen të ndalojnë krimet e tij.
Për shembull, Trump vendosi sanksione ndaj Prokurorit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare Karim Khan vetëm sepse kishte ngritur çështje ndaj zyrtarëve izraelitë për gjenocidin në Gaza.
Në të njëjtën mënyrë, disa gjyqtare femra të GJNP-së u ndëshkuan për të njëjtën arsye.
Njëkohësisht, SHBA ka ndëshkuar Iranin me një sërë sanksionesh ekonomike, tregtare, shkencore dhe ushtarake, dhe i ka kaluar këto sanksione përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke i kthyer në masa ndërkombëtare gjithëpërfshirëse.
Çështja bërthamore
Çështja bërthamore tregoonn një ktradiktë të thellë. SHBA dhe aleatët e saj e mbrojnë të drejtën e Izraelit për të pasur armë bërthamore me arsyetimin e vetëmbrojtjes, ndërsa i bëjnë presion të fortë Iranit për të ndalur programin e tij bërthamor, të cilin e cilëson si paqësor. Kjo është një kontradiktë e pakuptueshme dhe e padrejtë.
Qëndrimi kontradiktor i SHBA-së dhe qasja e ngjashme e disa vendeve dhe institucioneve evropiane që aplikojnë sanksione ndaj disa dhe i mbrojnë të tjerët, tregon se ekziston një favorizim që nuk duhet të ketë vend në botën ndërkombëtare.
Kjo sjell gjithashtu pasoja të kundërta dhe boshatis organizatat ndërkombëtare nga funksioni i tyre.
Kjo mund të çojë në shpërthimin e konflikteve ekzistenciale, ku kombet mund të ndihen të detyruara të mbrojnë ekzistencën e tyre, duke tronditur botën me armë shkatërruese që i kanë ruajtur për këtë ditë.
Gjithashtu, kjo u jep mundësi luftënxitësve të ndezin kriza të shuar ose të nxisin përplasje të reja mes palëve të gatshme për luftë në një botë në prag shpërthimi.
Në përfundim, periudha e “adoleshencës globale” e udhëhequr nga SHBA do të sjellë edhe më shumë katastrofa dhe luftëra. Bota nuk duhet të funksionojë mbi dy ritme të ndryshme: ku një palë ndëshkohet ashpër, ndërsa tjetra mbrohet dhe përfiton më shumë mundësi.
Solli në gjuhën shqipe kohaislame.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit