Sulmi në Bullgari, shkas për bombardimin e Iranit

0
50

Sulmi i djeshëm kundër turistëve izraelitë në Burgas të Bullgarisë, ka rezultuar me vdekjen e tetë personave. Por, pasojat e saj mund të jenë me ndikim më të madh, sepse shumë analistë besojnë se Izraeli do ta përdorë këtë ngjarje të trishtueshme si një pretekst për t’u angazhuar në disa larje hesapesh që moti i ka në rend të ditës.
Shifrat e fundit zyrtare flasin për tetë të vdekur dhe 37 të plagosur. Portali bullgar novinite.com thekson se në sulmin e djeshëm kanë vdekur gjashtë persona, derisa dy të tjerë kanë vdekur në spital. Njëri prej tyre është identifikuar si shofer autobusi, derisa tjetra është një izraelite e paidentifikuar.

Megjithatë, zyrtarët izraelitë, siç raporton “Haaretz”, pretendojnë se në mesin e të vrarëve është edhe sulmuesi vetëvrasës. Këtë tezë e ka vërtetuar më vonë edhe Kryeministri bullgar, Boyko Borisov. Në bazë të kësaj, zyrtarët menjëherë e shmangën tezën e vendosjes së eksplozivit në bagazhet e udhëtarëve, siç është raportuar mbrëmë. Policia bullgare ka njoftuar po ashtu se kamerat e sigurisë kanë kapur të dyshuarin se si sillet në aeroport, madje një orë para sulmit. Ai është përshkruar si i bardhë, me flokë të gjata, e me veshje sportive.

“Haaretz” shkruan se tek trupi i bombarduesit vetëvrasës është gjetur një leje e rrejshme amerikane e vozitjes, e lëshuar në Michigan, si dhe pasaporta amerikane. Mbetet e paqartë se si i mbijetoi shpërthimit patenta e shoferit, kur thuhet se është djegur dhe shkatërruar gjithçka në diametrin prej disa metra. Ndërsa, është gjetur në gjendjen e tillë sa që ishte e mundur të vërtetohet se ishte “licencë e rreme amerikane”.

Në këtë aspekt duhet theksuar se Kryeministri Borisov menjëherë vuri në dukje se shërbimet po veprojnë në terren dhe se janë duke bashkëpunuar me agjentët izraelitë, si dhe me FBI dhe CIA.

Në Izrael kjo tragjedi është cilësuar si dështim i agjencisë izraelite së zbulimit. Ndërkohë, nuk duhet harruar se në media mbrëmë janë shfaqur informatat se shërbimet bullgare i kanë injoruar paralajmërimet e burimeve izraelite dhe ruse. Sipas mediave të Izraelit, presidenti bullgar i ka neglizhuar ato, duke thonë se nuk ka asnjë informacion relevant për rritjen e rrezikut

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, është i vetëdijshëm për lëshimin, ndërsa këtë dështim menjëherë ka synuar ta kthej në qëllim politik. Të përkujtojmë se vetëm dy orë pas shpërthimit, derisa nuk kishte asnjë informacion të besueshëm për sulmin, Netanyahu publikisht tha se “gjithçka ndërlidhet me Iranin “. Duke pas parasysh kuadrin politik brenda të cilit Izraeli vepron në nivel ndërkombëtar, tezat e tilla menjëherë “mbijnë” në mendje. Por, nga kryeministri “serioz” i shtetit “serioz”, megjithatë pritet një reagim i bazuar në prova, sidomos kur në publik del me akuza të tilla.

Duhet të theksohet se Netanyahu ka përmendur vetëm Iranin. Ministri i Mbrojtjes, Ehud Barak, në listën e fajtorëve potencialë menjëherë ka shtuar të dyshuarit tjerë standardë – Hamasin dhe Hezbollahun. Të fundit kanë mohuar menjëherë çdo lidhje me sulmin, duke i quajtur akuzat izraelite qesharake, sepse “ata nuk luftojnë kundër turistëve”. Përfshirjen në sulm e ka mohuar edhe Irani.

Netanyahu ishte i drejtpërdrejtë. Sulmin e ka vendosur brenda formularit standard të sulmeve ndaj turistëve izraelitë gjatë muajve të fundit, ndërsa ja që ndodhi që sulmi i djeshëm të përkonte edhe me 18 vjetorin e sulmeve të përgjakshme në qendrën hebraike të Buenos Airesit të Argjentinës, ku janë vrarë 86 njerëz. Në fund, ai arriti në përfundimin se “ky është sulm terrorist iranian dhe se Izraeli me forcë do t’i përgjigjet “.

Kjo nxitje lufte e Netanyahut mund të dëgjohet shpesh në muajt e fundit. Megjithatë, shkak të vërtetë kurrë nuk kishte. Kurrë nuk është dëshmuar nëse Irani vërtet zhvillon armë bërthamore, ndërsa partneri më i madh i Izraelit, Barack Obama, deri në nëntor është i zënë me gjëra tjera. Netanyahu ka thënë shpesh se Izraeli nuk mund të presë dhe se ai duhet të marrë çështjen në duart e veta. Lufta për një kohë të gjatë po “varet në ajër”, ndërsa tashti doli se u gjet arsyeja e vërtetë.

Një mendim të tillë e ka edhe ish i dërguari amerikan në OKB, John Bolton, i cili në “Fox News” ka thënë se pas ngjarjeve të djeshme, Izraeli pa dyshim po bëhet gati për një sulm kundër Iranit. Ai beson se është simptomatike se si Netanyahu nuk e përmendi Hezbollahun, me çka tregoi se “Izraeli nuk e ka ndërmend të përgjigjet në mënyrë proporcionale, por të sulmojë bazat e mëdha të Iranit”.

Nga Shtëpia e Bardhë dje janë prononcuar me deklaratat klasike që dënojnë “sulmin barbar terrorist” dhe se SHBA-të do të “qëndrojnë pranë partnerit të tyre, Izraelit, për t’ia ofruar gjithë ndihmën për të gjetur autorët”.

Obama personalisht ndoshta do të përpiqet të qëndrojë “nën radar”, por pjesa tjetër është në gatishmëri të plotë. Prania ushtarake amerikane në Gjirin Persik po shtohet çdo ditë e më shumë, ndërsa takimet mes Ehud Barakut dhe Leon Panettas janë çdo herë e më të shpeshta. Një takim të tillë kishin natën e kaluar, raporton CNN. Se për çka janë pajtuar, kjo ende nuk dihet.

Është e ditur se pas këtij sulmi Netanyahu do ta rrisë presionin ndaj iranianëve, por edhe ndaj aleatëve perëndimorë që përfundimisht të përballen me Iranin – me shtetin të cilin kryeministri izraelit e cilëson si kërcënimin kryesor terrorist për izraelitët. Megjithatë, ai po e injoron faktin se pikërisht një politikë dhe retorikë e tillë agresive shtetërore e rrezikon Izraelin dhe izraelitët, duke i bërë caqe sulmi kudo në botë.

Është e vërtet se Izraeli ekziston brenda paradigmës së pasigurisë dhe të frikës kronike, të cilën synon ta trajtojë me doktrinën që mbështetet në agresion, revanshe të paskrupullta për mbrojtur interesat e tyre. Jeta e tillë është rraskapitëse dhe në fund të fundit krijon një situatë absurde, e ndoshta të çoroditur, ku lufta duket si zgjidhja e vetme e mundshme ndaj këtij rrethi vicioz.

Netanyahu dhe Baraku nuk duhet që shkasin për luftë ta gjejnë në Burgas. /Telegrafi/