Vendimi i organizatës terroriste PKK për të i dhënë fund luftës së saj 40-vjeçare kundër Turqisë dhe për të dorëzuar armët ka gjetur jehonë të gjerë në rajon. Paralelisht, në kryeqytetin sirian, Damask, janë zhvilluar negociata mes Forcave Demokratike Siriane (SDF) – dega siriane e PKK-së – dhe qeverisë siriane. Qëndrimi i qartë i SHBA-së në favor të Damaskut dhe Ankarasë ka shtuar pikëpyetjet për të ardhmen e krahëve të PKK-së në Siri, Irak dhe Iran.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, në fjalimin drejtuar kombit mbajtur dje, deklaroi se fitorja e revolucionit pas 14 vitesh përpjekje në Siri i ka forcuar pozitat e Turqisë përballë PKK-së. Një ditë më parë, dhjetëra anëtarë të PKK-së, në fshatin Dukan të qytetit Sulejmanije në veri të Irakut, dogjën armët e tyre dhe shpallën fundin e veprimtarisë së tyre terroriste që kishte zgjatur 41 vjet.
Ceremonia e dorëzimit të armëve u mbajt pas publikimit të një videomesazhi nga lideri i PKK-së, Abdullah Öcalan, ku ai bënte thirrje për t’i dhënë fund luftës së armatosur. Tani, mbetet për t’u parë se si ky vendim do të ndikojë mbi SDF-në – e cila, nën pretekstin e luftës kundër ISIS-it, ka marrë ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe financiare nga SHBA dhe kontrollon zona të gjera në Siri, por ka shmangur çdo kompromis me qeverinë siriane pas revolucionit.
Përfaqësuesi i Posaçëm i SHBA-së për Sirinë dhe ambasadori në Ankara, Tom Barrack, deklaroi se pas arritjes së objektivave në luftën kundër ISIS-it, bashkëpunimi me SDF-në ka marrë fund. Ai u kërkoi anëtarëve të kësaj force të pranojnë kërkesat e Damaskut. Kjo deklaratë është interpretuar si një sinjal i qartë se administrata e re amerikane nën drejtimin e Donald Trump ka zgjedhur të pozicionohet hapur në krah të Damaskut dhe Ankarasë.
Përveç çështjes së SDF-së, mbeten me interes edhe qëndrimet që do të mbajnë krahu i PKK-së në Irak dhe organizata simotër në Iran – PJAK.
Qëndrimi i SDF-së
Pas ceremonisë së dorëzimit të armëve në Sulejmanije, një zyrtar i lartë i SDF-së, i cili kërkoi të mbetej anonim, deklaroi për Al-Jazeera se thirrja e Öcalan-it për çarmatimin vlen vetëm për elementët e PKK-së brenda Turqisë. Ai theksoi se SDF-ja gëzon ende mbështetjen e SHBA-së dhe vendeve perëndimore dhe shtoi se nuk do të dorëzojnë armët pa fituar të gjitha të drejtat politike të popullit kurd, përfshirë federalizmin (autonominë rajonale).
Kërkesat e Damaskut
Presidenti sirian Ahmed Shara më 10 mars firmosi një marrëveshje me komandantin e SDF-së, Mazlum Abdi. Sipas marrëveshjes, deri në fund të vitit 2025, të gjithë pjesëtarët e SDF-së (me përjashtim të atyre të ardhur nga mali Kandil) duhet ose të bashkohen me ushtrinë siriane, ose të dorëzojnë armët.
Marrëveshja parashikon gjithashtu:
- Tërheqjen e forcave të SDF-së nga qendrat urbane;
- Kalimin e institucioneve zyrtare nën kontrollin e tyre te qeveria siriane;
- Dorëzimin e kampeve ku mbahen militantë dhe familjarë të ISIS-it (p.sh., kampi Hol);
- Si dhe dorëzimin e kontrollit të pikave kufitare.
Pavarësisht se SDF është tërhequr nga lagjet Şeyh Maksud dhe Eşrefiye të Alepos, nuk është shënuar përparim i rëndësishëm në zbatimin e pjesës tjetër të marrëveshjes.
Presioni amerikan për arritjen e marrëveshjes
Meqenëse nuk pati progres të mjaftueshëm në zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit, javën e kaluar – me ndërmjetësimin e SHBA-së dhe Francës – një delegacion i lartë që përfshinte Mazlum Abdi dhe Ilham Ahmed (kryetare e Këshillit Demokratik të Sirisë – krahu politik i SDF-së), zhvilloi një vizitë në Damask.
Gjatë takimeve me zyrtarët qeveritarë, u theksua nevoja për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes, por insistimi i delegacionit për të krijuar një administratë autonome në verilindje të Sirisë e bllokoi dialogun.
Pas takimit, Tom Barrack deklaroi për mediat se modeli federal nuk është i pranueshëm për Sirinë. Ai theksoi:
“As kurdët, as druzi, e as nusayri-t nuk mund të kenë autonomi. Një vend, një komb, një ushtri – kjo është zgjidhja. Këtë e kemi pranuar dhe do ta mbrojmë.”
Ai shtoi se SHBA nuk mund të qëndrojë përgjithmonë në Siri dhe, nëse formohet një qeveri e re siriane e pavarur, atëherë pritet të reduktohet numri i forcave amerikane në terren.
Theksi mbi një Siri të qëndrueshme
Qëndrimi i Barrack-ut përforcon idenë se SHBA mbështet një strukturë unike shtetërore dhe stabilitet afatgjatë për Sirinë. Presidenti sirian Ahmed Shara, në një deklaratë pas takimeve, theksoi:
“Asnjë pale nuk mund të ketë autonomi. Kurdët janë pjesë përbërëse e popullit sirian. Ne jemi të hapur për përfshirjen e tyre në qeveri dhe integrimin e SDF-së në ushtrinë kombëtare.”
Analistët vlerësojnë se kjo deklaratë tregon qartë se topi tani është në fushën e SDF-së – dhe ajo duhet të marrë vendime të qarta për të ardhmen e saj.
Çfarë ndodh në Irak dhe Iran?
Administrata Rajonale e Kurdistanit në Irak (KRG) ka kërkuar vazhdimisht që krahu irakian i PKK-së, YBŞ, të largohet nga rajoni i Sinxharit, ku është vendosur gjatë luftës kundër ISIS-it. Në disa raste, janë shënuar edhe përplasje mes forcave Peshmerga dhe militantëve të YBŞ.
Për momentin, nuk ka një marrëveshje konkrete për tërheqjen e YBŞ-së nga zona. KRG, përveçse mbështet publikisht procesin e çarmatimit të PKK-së me Turqinë, kërkon gjithashtu që kjo të ndodhë edhe në Sinxhar – veçanërisht pasi nëpër atë rajon kalon projekti strategjik i “Rrugës së Zhvillimit”, që lidh Gjirin Persik me kufirin turk (Habur).
Qeveria qendrore irakiane gjithashtu kërkon garantimin e sigurisë në Sinxhar për të mbështetur këtë projekt madhor dhe kërkon largimin e plotë të PKK-së nga territori.
Në Iran, ndërkohë, krahu PJAK nuk ka zhvilluar aktivitet të theksuar ushtarak ndaj regjimit. Megjithatë, Garda Revolucionare ka përdorur aktivitetin e PJAK-ut si pretekst për të ndërmarrë disa sulme me raketa në drejtim të Erbilit gjatë viteve 2022 dhe 2023.
Fitorja e revolucionit sirian dhe sulmet e vazhdueshme të SHBA-së dhe Izraelit ndaj objektivave iraniane e kanë dobësuar ndjeshëm ndikimin e Teheranit në rajon. Edhe pse ekziston shqetësimi se Irani mund të sabotojë këtë proces përmes PJAK-ut, deri tani, as në Iran dhe as në Irak, degët e PKK-së nuk kanë reaguar në mënyrë domethënëse ndaj thirrjes së Öcalan për të lënë armët.
Shkruar: İsmail Çoktan
Yeni Şafak
