15.7 C
Pristina
E hënë, 14 Qershor, 2021

Shkupi me shpresa të zbehura për bisedimet me BE-në

Më të lexuarat

Bullgaria duhet të heqë veton dhe t’i mundësojë Maqedonisë së Veriut nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian, pasi çdo ditë e humbur nënkupton humbje të shpresës së qytetarëve, të cilët ende besojnë se do të kenë jetë më të mirë, pikërisht për shkak të anëtarësimi në Bashkimin Evropian, thotë ish-diplomati, Lupço Arsovski.

Ai thotë se heqja e vetos nuk do të ishte humbje për Sofjen, pasi ajo do të ketë edhe mundësi të shumta për bllokim të anëtarësimit nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje deri në anëtarësimin e plotë, apo nëse Shkupi devijon nga marrëveshja eventuale mes dy vendeve.

“Mendoj se është e nevojshme që bisedimet e anëtarësimit të nisin, ndërsa komisioni i përzier, me ndihmën e ekspertëve, të vazhdojnë punën në aspektin shkencor. Bullgaria duhet ta ketë të qartë se nuk mundet në pafundësi të kushtëzojë, sikur që edhe ne nuk do të mundemi në vazhdimësi të lëshojmë pe dhe të kthehemi pas apo të përkeqësojmë dhe më shumë pozicionin tonë”, thotë Arsovski.

Por, Bullgaria mbetet në qëndrimin e saj për mosheqjen e vetos për Maqedoninë e Veriut edhe pas zgjedhjes së qeverisë së re të përkohshme, e cila fokusin kryesor do ta ketë tek organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, që do të mbahen më 11 korrik.

Ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Stefan Stojev, ka thënë se qëndrimi i Sofjes është miratuar me konsensus nga të gjitha forcat politike në Parlamentin bullgar dhe se qeveria e përkohshme nuk ka asnjë autoritet për ta ndryshuar atë pozicion-kornizë.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, para zgjedhjes që qeverisë së re bullgare, kishte deklaruar se pret sinjale pozitive për një zhbllokim të mundshëm deri në qershor, por duke përjashtuar çdo mundësi që me Sofjen të bisedohet për çështjet që kanë të bëjnë me identitetin, që janë kërkesat kryesore të palës bullgare.

Ish-diplomati Muhamed Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pa marrëveshje politike me Sofjen, asnjëherë nuk do të mund të ketë zhbllokim të procesit negociues. Ai thotë se në rast të mungesës së kapacitetit për bisedime, atëherë duhet parë dhe mundësinë e një ndërmjetësimi të jashtëm.

“Nuk mund të ketë negociata pa u marr vesh me bullgarët dhe çështja se si do të merren vesh me bullgarët është punë e dy qeverive. Në qoftë se nuk kapacitet të merren vesh, atëherë mund të ketë ndërmjetësim nga jashtë dhe ne e dëgjuam një deklaratë të ministrit të Jashtëm gjerman (Heiko Maas) se janë të gatshëm për këtë nëse kërkohet që të ndërmjetësojnë. Pra, ky kontesti nuk është punë deklaratash, por për përmbushje të kritereve që dikush i kërkon dhe është në pozitë të vendosë veto për këto kërkesa”, thotë Halili.

Dy vendet më 2 gusht të vitit 2017 kishin arritur një Marrëveshje për fqinjësi të mirë dhe për të zbatuar dispozitat e saj, kishin formuar dhe komisione për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me të kaluarën historike. Por, deri më tani, puna e këtij komisioni nuk ka dhënë asnjë rezultat konkret.

Mire Mlladenovski, historian, thotë se mosmarrëveshjen duhet të zgjidhen bazuar në dëshirën e dy shteteve për fqinjësi të mirë dhe raporte të mira ndërshtetërore. Ai nuk beson se ndonjë ndërhyrje nga jashtë mund të rezultojë me sukses, siç përmendet ndërmjetësimi i Gjermanisë apo i ndonjë shteti tjetër.

“Vlerësoj se sikur ketë ndonjë angazhim të jashtëm procesi i zgjidhjes së mosmarrëveshjes vetëm se mund të stërgjatet, pasi ne jemi dëshmitarë në rastin me Greqinë. Kishim bisedime që zgjatën gati 30 vjet, ndërhyrje të shumta nga jashtë dhe asgjë nuk u bë. Problemi u zgjidh nën presionin e kohës dhe të fqinjit tonë jugor. Tani kemi të njëjtën situatë dhe nëse nuk kemi mësuar nga e kaluara, ne nuk do të lëvizim nga ky pozicion”, thotë Mlladenovski.

Bullgaria në nëntor të vitit 2020 bllokoi nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar atë me arritjen e marrëveshjes lidhur me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti kanë “rrënjë bullgare”.

[email protected] (Isuf Kadriu)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit