12.7 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Shkelje në zyrën e Lumezit, këshilltari Munishi u transferua pa plotësuar kriteret

Më të lexuarat

Kujtimi Munishi, vetëm dy vjet e gjysmë pasi ishte bërë pjesë e sistemit Prokurorial të Kosovës, ka arritur të transferohet nga zyra e prokurorit të Gjilanit, në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Këtë e dëshmon ky dokument i siguruar nga ekipi i Kohavisionit dhe “Betimit për Drejtësi”.

Dokumenti, që është vendim i nënshkruar nga kryeprokurori Lumezi, mban datën 28 prill të 2015-ës. Aty thuhet, Kujtim Munishit, prokuror në Prokurorinë Themelore në Gjilan, i delegohen kompetencat në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Pika dy thotë se përveç kompetencave që Munishi do t’i kishte si prokuror i Gjilanit, ai do të ushtrojë edhe funksione të tjera që hyjnë në kuadër të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, duke përfshirë: hartimin e raporteve dhe dokumenteve të tjera me shkrim.

Ky vendim nuk ndodhet në faqen zyrtare të Prokurorisë së Shtetit. Por, është një vendim tjetër, i cili thotë se vetëm dy muaj pasi Munishi kishte marrë kompetencat e lartcekura, ishte caktuar edhe në një komision tjetër.

Ai, me vendim të Lumezit, ishte pjesë e komisionit për përcjelljen ditore dhe verifikimin e rasteve të supozuara të krimit të organizuar e të korrupsionit të transmetuara në media.

Bazuar në Ligjin për Prokurorinë e Shtetit të vitit 2010, i cili ka qenë në fuqi në kohën e marrjes së vendimit, që është data, 28 prill 2015, neni 20, pika 1.4. qartëson që për ta ushtruar funksionin e prokurorit pranë Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kandidati duhet të ketë së paku gjashtë vjet përvojë juridike në të drejtën penale, përfshirë së paku katër vjet përvojë si prokuror.

E sipas biografisë së Munishit, ai i është bashkuar sistemit prokurorial të Kosovës më 28 dhjetor 2012, që do të thotë përvoja e punës si prokuror ka qenë vetëm 2 vjet e gjysmë.

Kujtimi Munishi është prokurori që po udhëheq hetimet për dosjen e provimit të jurisprudencës së kryeprokurorit Aleksandër Lumezi. Sido që të jetë, Kohavisioni i ka ofruar mundësinë e sqarimit të të gjithë kësaj, prokurorit Kujtim Munishi, tash udhëheqës i departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, pasi ai gjatë ditës në disa media online ka deklaruar se nuk është e vërtetë që ka qenë këshilltar i Lumezit.

Por, përgjigja e tij në telefon ka qenë e shkurtër. Ai ka thënë se të gjitha pyetjet t’i dërgoni në zyrën për Media. KTV-ja ka ndjekur sugjerimin e tij. Por, përgjigje nuk ka marrë as nga Zyra për media.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit