8.3 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Shirku dhe frika prej tij

Më të lexuarat

Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Allahut xhele shanuhu. Salavatet qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin salallahu alejhi ue selem, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë muslimanët që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Fjala shirk do të thotë t’i bësh Allahut të Lartësuar shok në çdo çështje që i përket Atij. Shirku është prej mëkateve më të mëdha të cilin Allahun i Lartësuar nuk e fal. Nëse një person vdes pa u penduar nga shirku, do të jetë përgjithmonë në xhehenem. Të gjithë Pejgamberët kanë pasur frikë nga shirku. Llukmani alejhi selam e ka porositur birin e tij duke i thënë:
(përkujtoju popullit tënd) Kur Llukmani duke e këshilluar, birit të vet i tha: “O djali im, mos i përshkruaj Allahut shok, sepse idhujtaria është padrejtësi më e madhe!” (Lukman, 13)

Allahu i Lartësuar është shumë i mëshirshëm ndaj robërve të Tij dhe çdo send ka mundësi ta falë përveç shirkut. Ai thotë: “S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt do.” (En-Nisa, 48)
Dhe thotë: “Pasha Allahun, ty të është shpallur, e edhe atyre para teje: “Nëse i bën shok (Allahut), veprat e tua janë të asgjësuara dhe ti do të jesh prej të humburve.” (Ez-Zumer, 65)
Kurse përveç shirkut dhe kufrit, Allahu i Lartësuar ia fal kujt të dojë.

Transmeton Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Ai që e takon Allahun dhe nuk i ka bërë Atij shok, do të hyjë në xhenet, kurse ai që e takon Allahun dhe i ka bërë shok Atij, do të hyjë në xhehenem.” Muslimi 93.

Transmeton Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Largojuni shtatë mëkateve shkatërruese.” I thanë të pranishmit: “Cilat janë ato, o i Dërguar i Allahut?” Pejgamberi salallahu alejhi ue selem tha: “Ti bësh shirk Allahut, sihri, vrasja e njeriut që ta ka ndaluar Allahu, përveç me të drejtë, ngrënia e kamatës, ngrënia e mallit të jetimit, ikja nga fronti i luftës si dhe shpifja për motra muslimane të pastra.” Buhariu 2615, Muslimi 89.

Allahu subhanehu ue teala kërkon nga ne që mos t’i bëjmë shok Atij dhe ne patjetër e kemi obligim që mos t’i bëjmë shok, se përndryshe do të na presë xhehenemi në Ditën e Gjykimit.
Transmeton Muadh ibn Xhebeli, se Pejgamberi salallahu alejhi ue selem i kishte thënë: “O Muadh, a e di se çfarë haku ka Allahu ndaj robërve të Tij dhe çfarë haku kanë robërit e Allahut ndaj Allahut?” I thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Tha: “Haku i Allahut ndaj robërve të Tij është që ta adhurojnë Atë dhe mos t’i bëjnë shirk Atij, kurse haku i robërve ndaj Allahut është që mos ta dënojë asnjërin prej atyre që nuk i kanë bërë shirk Allahut.” Buhariu 6135, Muslimi 30.

 

Përktheu dhe përshtati: Eroll Nesimi
18.7.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit