24.5 C
Pristina
E diel, 25 Korrik, 2021

SHBA, e zhgënjyer me bllokimin e Maqedonisë së Veriut

Më të lexuarat

Ambasadorja amerikane në Maqedoninë e Veriut, Kate Byrnes, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara janë të zhgënjyera që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë miratuar një ditë më parë kornizën negociuese për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në bllokun evropian.

“Nuk ka dyshim se Maqedonia e Veriut ka kryer punën e nevojshme për të nisur bisedimet për anëtarësim – hap që do të rriste stabilitetin rajonal dhe do të avanconte lidhjet politike dhe ekonomike me Evropën, ashtu sikurse do ta zgjeronte partneritetin transatlanik”, ka thënë Byrnes në një postim në Twitter.

Në takimin e fundit të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, presidenca portugeze ka konstatuar se nuk ekziston konsensus i nevojshëm për të miratuar kornizat negociuese për këto Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si kusht për të hapur negociatat.

Gjatë ditës së mërkurë, edhe burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë, kanë thënë se edhe brenda vetë BE-së, ekziston zhgënjim për moshapje të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Ana Paula Zakaria, Sekretare shtetërore për Çështjet Evropiane në Qeverinë e Portugalisë, ka thënë pas takimit në Luksemburg se “nuk ishte e mundur të miratohen kornizat negociuese” dhe ka deklaruar se shpreson që gjatë presidencës sllovene do të jetë e mundshme një gjë e tillë.

Pasi Bullgaria nuk ka hequr dorë nga bllokimi i vendimit për Maqedoninë e Veriut, disa shtete tjera anëtare të BE-së, kanë qenë kundër idesë që negociatat të nisin me Shqipërinë.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, edhe Shqipëria edhe Maqedonia e Veriut, i kanë përmbushur të gjitha kushtet e nevojshme për të hapur negociatat.

Por vendimet në Këshill miratohen vetëm me pajtimin e të gjitha shteteve anëtare.

Në nëntorin e vitit 2020, Bullgaria ka bllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke e kushtëzuar me arritjen e marrëveshjes në lidhje me kërkesat e saj për identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja nuk e konteston identitetin maqedonas pas vitit 1945, por kërkon nga Shkupi që të pranojë se gjuha dhe identiteti, para kësaj periudhe, kanë pasur “rrënjë bullgare”./REL

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit