Në dy përmbledhjet autentike, Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Shembulli i koprracit dhe i atij që jep lëmoshë është si shembulli i dy burrave që kanë veshur dy parzmore prej hekuri, të cilat ua kanë shtrënguar duart deri te gjoksi dhe qafa. Sa herë që bamirësi jep një sadaka, ajo parzmore zgjerohet derisa i mbulon majat e gishtave dhe i fshin gjurmët e hapave të tij. Ndërsa koprraci, sa herë që mendon të japë një sadaka, ajo ngushtohet dhe çdo hallkë kthehet në vendin e vet.”
Ebu Hurejra رضي الله عنه tha:
“E kam parë të Dërguarin e Allahut ﷺ duke bërë me gisht kështu në parzmoren e tij, duke u përpjekur ta zgjerojë, por ajo nuk zgjerohej.”
Meqë koprraci është i privuar nga bamirësia, i penguar nga mirësia dhe veprat e mira, dhe meqë shpërblimi është sipas llojit të veprës, ai bëhet:
* me zemër të ngushtë,
* i privuar nga qetësia dhe gjerësia e shpirtit,
* me natyrë të ngushtë,
* me shpirt të vogël,
* me pak gëzim,
* me shumë brenga, shqetësime dhe pikëllim.
Rrallëherë i plotësohet ndonjë nevojë dhe rrallëherë ndihmohet për të arritur atë që kërkon.
Ai është si një njeri që ka veshur një parzmore prej hekuri, e cila ia ka mbledhur duart te qafa, aq sa nuk mund t’i nxjerrë e as t’i lëvizë. Sa herë që përpiqet ta zgjerojë atë parzmore, çdo hallkë mbetet e ngjitur në vendin e vet.
Po kështu është edhe koprraci: sa herë që dëshiron të japë sadaka, koprracia e tij e pengon, dhe zemra e tij mbetet e burgosur në burgun e vet ashtu siç ka qenë.
— Ibnul Kajjim, El-Vabilu es-Sajjib, f. 33.
Solli për ju Bekir Halimi
