15.5 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

RAMAZANI MUAJI I KURANIT

Më të lexuarat

RAMAZANI MUAJI I KURANIT

 
Allahu (xh.sh) thotë në Kuranin famëlartë: “Muaji i Ramazanit në të cilin zbriti Kurani..”
Shumë njerëz pyesin: “Pse flitet kaq shumë për Ramazanin?” Njeriu mund të agjërojë edhe jashtë Ramazanit, por çfarë të veçante ka Ramazani?!
Përveç agjërimit, në këtë muaj, pikërisht në natën e Kadrit ka zbritur Kurani famëlartë, libri i fundit i Allahut (xh.sh) udhëzues për mbarë njerëzimin për të gjithë ata njerëz që duan ta njohin të vërtetën. Ky libër madhështor zbriti në muajin e Ramazanit. Nuk ka libër tjetër pas këtij libri. Nuk ka fjalë të tjera hyjnore, që i drejtohen njerëzimit pas këtyre fjalëve.
 
Në gadishullin arab, në qytetin shkëmbor të Mekës, në shpellën Hira, qëndronte një njeri. Ai nuk ishte si njerëzit e tjerë. Ai quhej Muhamed (a.s) dhe do të ishte profeti i ardhshëm i gjithë njerëzimit. Muhamedi (a.s) mendonte se universi e ka një Zot.
 
Pikërisht në këtë muaj, në muajin e Ramazanit, në afësi të kësaj shpelle, atij i shfaqet një krijesë, pamjen e të cilit nuk mund ta mbajnë sytë e njerëzve, por vetëm sytë e profetëve. Kjo krijesë ishte meleku Xhibril (a.s), i cili ka 600 flatra, madhësia e njërës prej tyre është sa madhësia mes tokës dhe qiellit. Ai I shfaqet Muhamedit (a.s) dhe i thotë: “Lexo”. Profeti ia kthen: “Unë nuk di të lexoj”. Me të vërtetë nuk dinte as të shkruante as të lexonte. Xhibrili (a.s) i thotë përsëri: “Lexo”. Përsëri profeti (a.s) i thotë që nuk di të lexojë.
 
Atëherë Xhibrili (a.s) i thotë: “Lexo me emrin e Zotit tënd, i cili  krijoi”. Ai Zot që krijoi njeriun prej një gjaku të ngjizur. Lexo se Zoti yt është më bujari. Ai që të mësoi të shkruash me pendë. Ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte”. Këto ishin 5 ajetet[1] (versetet) e para të librit të fundit. Me këto ajete Xhibrili (a.s) sikur po i thoshte profetit (a.s): “Ky është Allahu (xh.sh), Ai që krijon, Ai që të mëson, atë që nuk e dije, ky është Zoti i vërtetë”.
 
Kurani është një libër i shkruar në fletë, por nuk është si librat e tjerë. Një libër që lexohet me fjalë por jo me të njëjtat ndjenja. Kurani është një libër që nuk është vepër e njeriut, por është fjala e Allahut (xh.sh). Ai do të mbetet i paprekshëm deri në fund të kësaj bote.
Ky është libri i Allahut (xh.sh), i cili zbriti në muajin e Ramazanit. Ky muaj është muaji i agjërimit, por mbi të gjitha është muaji i Kuranit famëlartë.
Në këtë muaj u lidh toka e vogël me qiellin e pafund, u lidh e kaluara e largët me të ardhmen e paditur, e fshehta me të dukshmen, dynjaja me ahiretin, u lidh njeriu i dobët me Zotin e plotfuqishëm, falë fjalës së Zotit të gjithësisë, Kuranit.
 
Me këtë libër Zoti sfidoi mbarë njerëzimin. Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “Sillni një libër të ngjashëm me këtë”. Sikur të mblidhen bashkë xhindet dhe njerëzit, ata kurrë nuk munden të shkruajnë një libër si Kurani. Askush nuk iu përgjigj sfidës. Atëherë Allahu (xh.sh) tha: “Nëse nuk sillni dot një libër të plotë, sillni një sure të ngjashme me suret e Kuranit”. Përsëri askush nuk iu përgjigj sfidës. Atëherë Zoti iu tha: “Sillni vetëm një ajet, që t`i ngjajë këtij Kurani”. Askush nuk mundi ta bëjë as këtë. Prandaj Zoti i gjithësisë tha: “Ne e zbritëm këtë libër (Kuranin) dhe Ne do ta ruajmë atë”. Është fakt që Kuranin nuk e ka ndryshuar as dora, as mendja e njeriut dhe këtë gjë e pranojnë edhe armiqtë e islamit.
 
Prej këtij libri merr dijetari, prej tij merr mësuesi, prej tij merr çdo musliman e Kurani vazhdon të mbetet i ri, i paprekshëm sikur të ketë zbritur sot. Ai nuk vjetërohet kurrë.
Sa herë lexohet surja Fatiha?! Këtë sure e kanë mësuar edhe ata që nuk dinë të lexojnë Kuran. Çdo njeri që e lexon Kuranin, i duket se ai ka zbritur pikërisht për atë person. Është libri i Allahut (xh.sh) që nuk vjetërohet kurrë.
 
Ky libër është një mrekulli, është një thesar që e kemi në dorë dhe nuk e ka askush tjetër përveç muslimanëve.
– Nëse pyesim nje çifut se çfarë mrekullie la Musai (a.s), ai nuk mund të sjellë dot shkopin e Musait (a.s), sepse me vdekjen e tij mbaroi dhe shkopi (mori fund mrekullia e tij).
– Nëse pyesim një të krishterë se çfarë mrekullie trashëgon prej Isait (a.s), ai s`mund të sjellë dot dorën e Isait (a.s), sepse me ngritjen e Isait (a.s) në qiell, mbaroi dhe mrekullia.
– Por nëse pyet edhe muslimanin më të thjeshtë se çfarë mrekullie ka lënë profeti Muhamed (a.s), ai përgjigjet pa hezitim se mrekullia që la trashëgim profeti (a.s) për të gjithë muslimanët (gjithë njerëzimin) është Kurani famëlartë, prandaj duhet të kapemi fort pas këtij libri.
 
Dëgjoni përshkrimin që i bën profeti (a.s) këtij libri. Ai ka thënë:
“Pas vdekjes time do të ketë shumë sprova”. Dikush e pyeti: “Si të shpëtojmë prej tyre”? Profeti (a.s) u përgjigj: “Keni librin e Zotit. Aty ka lajme për ata që erdhën para jush. Aty ndodhet çështja e atyre që vijnë pas jush, aty ndodhet gjykimi mes jush. Kurani e ndan drejt, ai nuk bën lajka. Kush e braktis atë libër nga frika e një diktatori, Zoti e shkatërron atë njeri. Kush kërkon udhëzimin jashtë tij, Zoti ka për ta humbur. Ai është litari i fortë i Zotit, është udhëzues i urtë, është rruga e drejtë. Mrekullitë e tij nuk mbarohen. Dijetarët nuk kanë të ngopur prej tij. Kush flet me të, ka thënë të vërtetën. Kush punon me të, shpërblehet. Kush gjykon me të, ka gjykuar drejt. Kush fton për tek ai, udhëzon në rrugën e vërtetë”.
Këto janë fjalë shumë domethënëse. Janë fjalë të shprehura prej profetit Muhamed (a.s).
Hapeni këtë libër, lexojeni atë dhe do t`i gjeni mrekullitë aty.
 
Lexojeni këtë libër, sidomos në këtë muaj, sepse Ramazani është muaji i Kuranit. Nëse keni dëshirë, që agjërimi dhe Kurani të ndërmjetësojnë për ju, agjëroni këtë muaj dhe lexojeni këtë libër. Do ta shihni se keni shumë miq tek Allahu (xh.sh).
 
Profeti (a.s) thotë: “Kush e lexon Kuranin, për çdo gërmë ka dhjetë sevape. Nuk them që Elif Lam Mimë janë dhjetë sevape, por them Elif ka dhjetë sevape, Lam ka dhjetë sevape dhe Mimë ka dhjetë sevape”. Gjithë Kurani ka më shumë se 300.000 shkronja. Nëse e lexojmë të gjithë Kuranin, fitojmë të paktën tre milion sevape. Ta lexojmë këtë libër dhe shpërblimi do të vijë prej Allahut (xh.sh).
 
Ditën e Gjykimit, Zoti i gjithësisë i thotë atij që e di përmendësh Kuranin: “Lexoje Kuranin dhe dije se tek ajeti i fundit që do të ndalesh atje do të jetë shtëpia jote”. Sa më shumë Kuran të dish, aq më shumë ngrihesh në grada, aq më shumë afrohesh tek Arshi i Allahut (xh.sh). Lum për ata që e dinë përmendësh Kuranin.
 
Mos e braktisni këtë libër! Betohem në Zot, se ai që e braktis librin e Zotit, nuk ka për të shijuar asgjë nga kjo jetë. Dijeni se profeti (a.s) do të ankohet tek Zoti i gjithësisë Ditën e gjykimit e do t`i thotë: “O Zot, unë ua lashë këtë Kuran, por populli im ia ktheu shpinën”. Të braktisësh librin e Zotit, do të thotë të mos e lexosh atë, qoftë edhe në shqip, do të thotë të mos punosh me të. Zoti na ruajt, kjo është të braktisësh mrekullinë që të ka dhënë Zoti në dorë, të braktisësh shpirtin tënd, sepse Kurani është shpirti i besimtarit.
 
Zbukuroni zërat tuaj gjatë leximit të Kuranit. Melekët e Zotit afrohen atje ku lexohet bukur Kurani, prandaj të mundohemi ta lexojmë sa më bukur këtë libër.
Usejd Ibn Hadhejri, një nga shokët e profetit (a.s) tregon: “Një natë me hënë të plotë po lexoja Kuran. Isha vetëm me fëmijën tim të vogël dhe kalin e kisha të lidhur. Kur po lexoja Kuran, dëgjova kalin që u tremb e desh këputi litarin. Pata frikë se mos më vret femijën. E nderpreva leximin dhe kali i qetësua. Fillova të lexoj përsëri, por kali filloi prapë të trembet. Përsëri e ndërpreva leximin dhe kali përsëri u qetësua. Kur fillova të lexoj për herë të tretë, kali nuk duroi dot. Këputi litarin dhe u largua. U ngrita të shikoj fëmijën tim se mos e shtypte kali. Në momentet kur po afrohesha tek fëmija im, ngrita kokën nga qielli dhe pashë një dritë vezulluese që nuk mund ta shpjegoja dot. Pastaj drita u largua”.
Kur ia tregoi këtë gjë profetit (a.s), ai i tha: “Pse nuk vazhdove edhe pak o Usejd. Po të vazhdoje edhe më tepër me leximin e Kuranit, do të vinin njerëzit e do të shihnin melekët e Zotit që kishin ardhur për të të dëgjuar ty, teksa lexoje Kuran”. Lexojeni këtë libër dhe keni për të ndjerë prezencën e krijesavë më të pastërta të Allahut (xh.sh), melekëve të Zotit.
Të nderuar besimtarë dhe bësimtare!
Lidhuni fort dhe zini miqësi me këtë libër. Lidhni marrëdhënie të reja me librin e Zotit, sepse është ushqimi juaj. A nuk e keni parë se trupi i njeriut nuk rri dot pa ngrënë për një kohë të gjatë. Zoti i botërave ka urdhëruar, që trupi i njeriut do të ushqehet me ushqim prej kësaj toke. Si nuk e ndjen se brenda këtij trupi ke një sekret të madh. Është ai sekret prej të cilit quhesh njeri. Ai është shpirti yt. A e di që edhe shpirti ka nevojë për ushqim dhe ushqimi i tij është fjala e Allahut (xh.sh). Kur ti lexon Kuran, shpirti yt kënaqet, sepse shpirti është prej Allahut (xh.sh), kurse Kurani është fjala e Tij prandaj, shpirti i njeriut e do Kuranin dhe kënaqet me të.
 
Profeti (a.s) thotë: “A nuk iu vjen turp që asnjëri prej jush të mos lexojë 1/3 e Kuranit çdo natë”? Shokët i thanë: “E kemi pak të vështirë ta lexojmë 1/3 e Kuranit brenda një nate”. Ai u tha: “A e dini se surja IHLAS është 1/3 e Kuranit?” Kur njeriu, lexon këtë sure, merr shpërblime sikur të ketë lexuar 1/3 e Kuranit.
 
Në qoftë se gjuha jote belbëzon kur lexon Kuranin, mos u mërzit, se nuk është turp. Profeti (a.s) ka thënë: “Ai njeri që ka vështirësi në leximin e Kuranit, shpërblehet 2 herë. Një herë për vështirësinë dhe një herë për faktin se po lexon librin e Zotit”.
 
Dijeni se ky libër nuk ka ardhur për t`u mbajtur varur nëpër mure, për të ndenjur nëpër makina, apo për të zbukuruar shtëpitë. Ky libër ka ardhur për të lidhur njeriun me Zotin, jo për të zbukuruar shtëpinë, por për të lidhur zemrën tënde me Allahun (xh.sh). Kur ta lexosh këtë libër, kur të punosh me të, kur të jetosh me të, atëherë do ta kuptosh se ky është libri i Zotit të gjithësisë.
 
Tregohet se një nxënës i dijetarit Ahmed Ibn Hambel e lexonte gjithë Kuranin brenda një nate. Dijetarit nuk i erdhi mirë, kur e dëgjoi këtë. E thirri dhe i tha: “Kam dëgjuar se ti e lexon Kuranin brenda një nate. Sonte do ta lexosh Kuranin, sikur je para meje”. Djaloshi shkoi në shtëpi dhe filloi ta lexonte Kuranin, sikur të ishte para mësuesit të tij. Arriti të lexonte vetëm një xhuz (1/30 e Kuranit). Të nesërmen i thotë mësuesit të tij, që kishte arritur të lexonte vetëm një xhuz, sepse i vinte turp.
Dijetari i tha: “Sonte do ta lexosh Kuranin sikur je para profetit (a.s)”. Këtë rradhë djaloshi, duke menduar se ishte para profetit (a.s), nuk arriti të lexonte më shumë se një sure. Të nesërmen ia tregoi mësuesit të tij këtë gjë.
Atëherë dijetari i thotë: ”Shko dhe sonte lexoje Kuranin, sikur po ia lexon Allahut (xh.sh), se është libri i Tij, Ai e ka zbritur”. Të nesërmen nxënësi kthehet duke qarë me sy të skuqura dhe i thotë mësuesit të tij: “Pasha Zotin o imam, nuk munda ta plotësoj një ajet, sepse mendoja Allahun (xh.sh) përpara meje. Sa shumë e paskam neglizhuar këtë libër”.
 
Dijeni pra se Kurani është libri i Allahut (xh.sh). nuk është as poezi, as roman. Nuk është as libër i ndonjë autori që shpreh ndjenjat e tij, por është libri i Zotit të gjithësisë, është ushqimi i shpirtit tënd. Prandaj lexoje dhe puno me këtë libër, sidomos në këtë muaj, por edhe pas Ramazanit. Po u kape pas këtij libri, nuk do të humbasësh as në këtë jetë, as në jetën tjetër.
 
O Zot, Ty të lutemi t`i lidhësh zemrat tona me librin Tënd. Bëje Kuranin pranverë të zemrave tona, largim nga çdo hall që kemi. Na bëj ta lexojmë Kuranin ashtu siç i pëlqen madhështisë Tënde. Zbukuroji zemrat dhe shtëpitë tona me Kuran. Zbukuroje dynjanë dhe ahiretin tonë me Kuran. Lusim Zotin të fusë në zemrat tona dashurinë për Kuranin dhe na mundësoftë ta mbarojmë leximin e tij gjatë Ramazanit.             
                                                                                                                      
                                                                                                                                        AMIN

[1] Ajet – verset, fjali

Rating: 3.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit