6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

RAMAZANI FTESË PER MEDITIM

Më të lexuarat

Nga: Mr. Ferid Piku

RAMAZANI FTESË PER MEDITIM

Falenderimet janë për Allahun (xh.sh). Përshëndetjet janë për profetin Muhamed (a.s), paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të. Ti që lexon këta rreshta. Paqja, mëshira dhe begatia e Allahut qofshin mbi ty, mbi familjen tënde dhe mbi të gjithë njerëzit e mirë sa të jetë kjo jetë.
Meqë tema jonë është rreth Ramazanit dhe fjalët tona janë rreth agjërimit, do doja që fjala e parë të jetë një urim për të gjithë muslimanët me rastin e ardhjes së muajit të mëshirës, e muajit të reformës shpirtërore.
Një urim më të veçantë për ata që agjërojnë, për ata që me vullnetin e tyre do të lenë ushqimin dhe pijen, për Zotin e tyre, për shpirtin e tyre, për të mirën e tyre. Unë nuk mund të gjej urim më të mirë sesa ai i Zotit, kur thotë në hadithin kudsij: “Çdo punë që bën njeriu e bën për veten e tij, përveç agjërimit.  Atë e bën për Mua dhe Unë Vetë do t`ia shpërblej”.[1]
Duke u nisur nga kjo, do të kisha dëshirë që agjëruesi të mos e nënvlerësojë kurrë punën që po bën, përkundrazi të jetë kërkues, të jetë ambicioz dhe të presë një shpërblim të madh ngaqë, në ndryshim nga bamirësit e kësaj bote, të cilët mërziten kur u kërkon gjithnjë, Zoti, sa më shumë t`i kërkosh, aq më shumë kënaqet.
I nderuar lexues!
A nuk është i habitshëm fakti, që pjesa më e madhe e njerëzve u kujtua se po vjen muaji i Ramazanit vetëm pak ditë përpara, madje dikush i ka shumë të freskëta kujtimet e Ramazanit të kaluar. Pra kaloi plot një vit. Një vit nga mosha e kësaj toke. Një vit më larg lindjes sonë, një vit më afër vdekjes sonë, një vit më afër takimit me Zotin dhe me punën tonë.
Ja pra çfarë qenka jeta jonë! Ditë e net që i lenë rradhën njëra – tjetrës e ne thjesht grisim fletën e kalendarit për muaj e vite të tëra, të cilat pasojnë njëri – tjetrin dhe harrojmë se ata janë muajt dhe vitet e jetës sonë. Është momenti të kujtohemi për vetet tona, momenti për të shkundur pluhurin e shkujdesjes, që ka kapluar zemrën dhe mendjen tonë. Është momenti për të njohur seriozisht vlerën e kohës, asaj kohe, në të cilën u betua vetë Krijuesi i saj, Allahu (xh.sh) kur tha: “Pasha kohën. Me të vërtetë që njeriu është në humbje. Përveç atyre që besuan, bënë punë të mira, këshilluan njëri – tjetrin për të vërtetën dhe për durim”. (Asr 1-3)
Më duket se Ramazani vjen për ti thënë jetës “NDAL”.
Ndal o jetë, se i lodhe njerëzit me hallet e tua që s`paskan të sosur.
Ndal o jetë, se i mashtrove njerëzit me bukuritë e tua që nuk zgjasin shumë.
Ndal o jetë, se u vodhe njerëzve plot 11 muaj.
Ndal o jetë, se njerëzit janë vërtet të uritur edhe pse mund të jenë të ushqyer mirë. Njerëzit janë të etur edhe pse nuk po lenë gjë pa pirë. Njerëzit janë të lodhur edhe pse po pushojnë shumë.
Ndal o jetë, se njerëzit janë të Zotit e njeriu është krijesa më fisnike që ka krijuar Zoti.
Por habia më e madhe është, se përsëri ka njerëz që nuk e dëgjojnë këtë zë. Tallen me varkën që do t`i shpëtojë dhe vazhdojnë të ecin aty ku ishin, derisa të vijë një moment që nuk e dëgjojnë më këtë zë dhe papritur të ballafaqohen me zërin e vdekjes, i cili nuk pret asnjë çast.
 “O ju që keni besuar, përgjigjuni Allahut dhe profetit të Tij, kur ju ftojnë për në shpëtimin tuaj” (Enfal: 24).
 
Vëllezër dhe motra!
Shumë njerëz mund të pyesin se përse i bëhet kaq “ekzagjerim” muajit të Ramazanit. A nuk është edhe ai një muaj si gjithë muajt e tjerë? 29 apo 30 ditë. Thjesht një muaj i kalendarit hënor?! Unë do të thosha se Zoti i vlerëson gjërat me standarte dhe kritere të ndryshme nga ata të njerëzve. Keshtu tek Zoti, njerëzit nuk peshojnë me peshën e tyre fizike, por me peshën e ndjenjave dhe vlerave që mbartin. Njerëzit nuk peshojnë tek Zoti me rrobat e shumta, të cilat ia kanë zënë frymën garderobës së tyre, por me rrobën e devotshmërisë. Ata nuk peshojnë me pasurinë materiale që kanë në duart e tyre, por me pasurinë shpirtërore që mbajnë në zemrat e tyre.
Edhe vendet nuk vlerësohen tek Zoti thjesht nga bukuria e tyre, por me kujtimet që ata vende mbajnë në memorien e tyre. Po kështu ndodh edhe me ditët dhe muajt.
Ramazani është i vetmi muaj që është përmendur me emër në Kuranin famëlartë. Është muaji gjatë të cilit zbriti Kurani, libri i fundit udhëzues, ai libër që nuk do të humbasë kurrë, ai libër që sa më shumë të lexohet aq më shumë rinohet.
Ramazani është muaji të cilin e zgjodhi Allahu (xh.sh), në të cilin kryhet një ritual shumë sekret, shumë specifik, shumë madhështor e ai është RITUALI I AGJËRIMIT.
O ju që besoni në prezencën e shpirtit, që besoni se shpirti është i lodhur dhe i etur, dijeni se Ramazani vjen në ndihmë të këtij shpirti. Ai vjen që të lodhë pak trupin për të çlodhur shpirtin. Ai vjen për të mbyllur rrugët e shejtanit e për të hapur rrugët e Rrahmanit (Zotit). Kjo për faktin se shejtani lëviz në trupin tonë, ushqehet nga ushqimi ynë, pi nga pijet tona. Prandaj duhet t`ia thajmë këto kullota dhe burime që ai të largohet prej nesh, qoftë edhe përkohësisht e ne të lirë të shohim drejt qiellit me shpresë, të shikojmë rrezet e dritës hyjnore. Prandaj Profeti Muhamed (a.s) thoshte: “Shejtani qarkullon nëpër trupin e njeriut tamam si gjaku nëpër deje (damarë). Mbylljani rrugët atij me agjërim”.[2]
O ju që kuptoni se duhet të ndryshoni nga e keqja në të mirë, apo nga e mira në më të mirë, por e kuptoni se ndryshimi i vetes nuk qenka i lehtë, Ramazani vjen për të na ndihmuar që ta bëjmë këtë reformë. Patjetër që njerëzit e mirë nuk janë plotësisht të kënaqur me vetet e tyre, me veset e tyre, me zemrat e tyre. Ata patjetër kanë diçka për të ndryshuar. Zoti do që të na ndihmojë të ndryshojmë, prandaj na obligoi me namaz, me zekat, me haxh për atë që ka mundësi dhe obligoi edhe agjërimin e muajit të Ramazanit.
Duke ndryshuar edhe gjërat më normale si ushqimin, pijen dhe gjumin, Ai na kujton se duhet të ndryshojmë gjërat e fshehta, që vetëm Ai dhe ne i dimë. Pra të ndryshojmë qëllimet dhe mendimet tona. Nëse kjo reformë nuk ka  qenë e lehtë jashtë muajit Ramazan, tani është më e lehtë, sepse Zoti në këtë muaj hap dyert e xhenetit, që ndoshta era dhe parfumi i tij të kundërmojnë e të arrijnë deri tek zemrat e njerëzve. Zoti mbyll dyert e zjarrit, që epshet të mos kenë rrugë për atje, i prangos shejtanët, në mënyrë që ata, të paktën në këtë muaj, të mos e ngacmojnë njeriun, ta lenë atë të lirë ta gjejë veten e tij dhe Zotin e tij.
O ju që besoni se keni forca të brendshme, por keni frikë apo përtoni t`i zbuloni ato forca! Ramazani është muaji i besimit në vetvete. Është muaj që na bën ta vlerësojmë forcën tonë, ta kuptojmë qëndresën dhe durimin tonë ndaj gjërave më të nevojshme, për t`i thënë JO atyre që janë të panevojshme, veseve dhe sjelljeve tona të pahijshme.
Njerëzit po hyjnë në lloj – lloj garash për të provuar forcat e tyre. Ramazani është një garë që bën njeriu me veten e tij, për të treguar se sa i fortë dhe sa durimtar mund të jetë ai. A mund t`i largohesh vesit, i cili siç ka pasur një fillim, ashtu mund të ketë edhe një fund?! Padyshim që po.
 
Vëllezër dhe motra!
Është e vërtetë që agjërimi bëhet duke lënë ushqimin dhe pijen, por kurrë nuk ka qenë ky qëllimi i agjërimit, sepse Zoti thotë në Kuranin famëlartë: “O ju që keni besuar. Agjërimi iu është bërë juve obligim, siç ka qenë obligim edhe i atyre para jush, me qëllim që të bëheni të devotshëm”. (Bekare: 183).
Ta kufizosh agjërimim thjesht në privim të trupit nga ushqimi e pija, ndërsa gjymtyrët e tjera t`i lësh të bëjnë gjynahe ditë e natë, është me të vërtetë shumë e ulët. Është tamam si të kërkosh të ndërtosh një kasolle e nga ana tjetër të prishësh një qytet të tërë. Të agjërosh do të thotë të ruash zemrën nga mendimi i lig, të ruash syrin nga shikimi tradhëtor, të ruash veshin nga fjala e pavlerë. Mbi të gjitha do të thotë të ruash gjuhën, e cila është tharë për një pikë ujë, që të mos njomet me përgojime dhe thashetheme.
Tregohet se në kohën e profetit (a.s) dy gra po agjëronin, por po e ndjenin veten shumë të lodhura dhe të etura. Erdhën tek profeti (a.s) dhe i kërkuan leje për ta prishur agjërimin. Profeti Muhamed (a.s) para të gjithë njerëzve solli një enë dhe u tha grave që të villnin ushqimin që kishin ngrënë. Volli e para dhe nxorri gjak, qelb dhe mish të prishur. Po ashtu edhe e dyta. Atëherë profeti Muhamed (a.s) u tha njerëzve: “O njerëz! Këto dy gra braktisën ushqimin, që në fakt është i lejuar dhe u ushqyen me përgojimin e njerëzve, që është diçka e ndaluar”.[3]
Është e vërtetë që trupi lodhet gjatë agjërimit. Ai ndjen etje dhe uri, por kjo është e qëllimshme. Prandaj Ramazani nuk duhet kthyer në muaj gatimi. Ne nuk duhet të kemi si  shqetësimin tonë kryesor, se çfarë do të hamë për iftar, por ajo që duhet të kemi shqetësim le të jetë se çfarë kemi bërë deri në iftar, çfarë do t`i themi Zotit për iftar, për çfarë do t`i lutemi.
Nuk ka kuptim që dikush ta boshatisë barkun gjatë ditës dhe në iftar të hajë derisa të mos ketë ku ta fusë ushqimin. Kjo do të ishte e pahijshme në sytë e Zotit dhe në sytë e shpirtit.
I nderuar lexues!
Po flasim për Ramazanin dhe fjalët për të nuk mbarojnë. Duke shpresuar se ti do të ndjesh në Ramazan shumë më tepër se këto fjalë, do të kisha dëshirë ta përfundoja me disa përgëzime që përcjell ky muaj:
Kush bën një punë vullnetare në këtë muaj, tek Zoti shkruhet sikur të ketë bërë një punë farz (të detyrueshme).
Kush bën një punë farz në këtë muaj, tek Zoti shkruhet sikur të ketë bërë 70 farze. Me të vërtetë ky është një shans, një mundësi për të pasur më shumë sevape tek Allahu (xh.sh).
Era që nxjerr goja e agjëruesit, e cila për njerzit nuk është e këndshme, tek Zoti është më e mirë se era e parfumit më të mirë, për faktin se kjo erë del prej devotshmërisë, prej sakrificës, prej thellësisë së njeriut dhe kjo ka vlerë tek Zoti.
Për çdo ditë të Ramazanit Zoti i gjithësisë me mëshirën e Tij, jep amnisti (falje) për një grup të madh njerëzish. Amnisti, jo nga burgu dhe vuajtjet e kësaj jete, por nga zjarri i xhehenemit, ai zjarr që është 70-fish më i nxehtë se zjarri i kësaj bote. Prandaj lute përzemërsisht Allahun (xh.sh), që të gjithë muslimanët të jenë nga ata njerëz, të cilët Zoti i gjithësisë ua lexon emrin në listën e të shpëtuarve.
Duhet ta dish se për agjëruesin ka një derë të veçantë në xhenet, e quajtur “Rejjan”, derë nga e cila hyjnë në xhenet vetëm agjëruesit. Lute Zotin që të ketë vend për ty në atë derë.
Për agjëruesin ka dy gëzime: Njëri është kur ai çel iftar. Kjo jo sepse tani njeriu do të hajë e do të ngopet, por për faktin se e mundi veten e tij, se bëri diçka për Zotin e tij. Ai tani mund t`i lutet Zotit, mund t`i kërkojë Allahut (xh.sh) falje dhe forcë për ditët në vazhdim. Të fitosh mbi veten tënde është me të vërtetë gëzim i madh. Gëzimi tjetër do të jetë kur të takojë Zotin e botërave. Tamam siç u gëzua në iftar pasi mundi urinë dhe etjen, do të vijë një ditë kur besimtari do të gëzojë për vuajtjet dhe sakrificën që ka bërë në këtë jetë, kur të shikojë shpërblimin tek Zoti i gjithësisë, tamam siç shikonte ushqimin e iftarit para vetes së tij.
Në Ramazan është një natë e madhe dhe emrin e ka të tillë. Nata e madhe, nata e fuqisë, nata e Kadrit. Ajo është një rast i rrallë për të gjithë njerëzit, që duan të bëjnë tregëti me Zotin e gjithësisë. Ajo natë ka vlerë më shumë se 83 vjet, madje dhe më tepër. Atë natë Zoti i gjithësisë cakton për njerëzit jetën dhe vdekjen, rrizkun dhe fatin e njerëzve. Atë natë Zoti për hatër të adhuruesve të Tij, zbret melekët e Tij. Ajo natë është paqe dhe e mbushur e gjitha me vlera. Lutju Zotit të na mundësojë të gjithëve të bëjmë adhurim në atë natë. Lutju Allahut (xh.sh) të na zgjojë atë natë, të jemi zgjuar me sytë tanë, të zgjuar me zemrat tona. Lutju Zotit të na mëshirojë atë natë, t`I mëshirojë fëmijët tanë, familjet tona dhe të gjithë muslimanët. Me të vërtetë është një natë madhështore dhe shpresojmë që mëshira e Zotit në atë natë të na përfshijë të gjithëve.
Së fundi dijeni se profeti (a.s) ka thënë: “Kush e agjëron Ramazanin me besim tek Zoti, duke pritur shpërblimin vetëm prej Tij, atij personi do t`i falen të gjitha gabimet dhe gjynahet që ka bërë në të kaluarën”.[4]
E lusim Zotin që ky Ramazan të jetë pastrim i gjynaheve tona, reformë e zemrave dhe veteve tona, zgjidhje e problemeve tona. Zoti i shperbleftë të gjithë ata, që patën durim t`i lexojnë këto rreshta deri në fund, siç di vetëm Ai të shpërblejë. Zoti i shpërbleftë ata që do t`i transmetojnë këto fjalë, ndoshta shumë më mirë se ai që i ka thënë. Zoti na mundësoftë të gjithëve që punët tona të jenë më të mira se fjalët tona, e brendshmja jonë të jetë më e mirë se e jashtmja jonë, e nesërmja jonë të jetë më e mirë se e sotmja, ahireti ynë të jetë më i mirë se dynjaja jonë.  AMIN
Es selamu alejkum ue rahmetullahi teala ue berekatuhu.
Paqja dhe mëshira e Allahut të Lartësuar qoftë mbi të gjithë ju.
                                                                                                                          A M I N

[1] Hadith i vërtetë. Buhariu (1903) dhe Muslimi (1151).
[2] Hadith i vërtetë. Buhariu (7171) dhe Muslimi (2175).
[3] Hadith i dobët. Ahmedi (5/341). Shejh Albani dhe shejh Shuajbi e vlerësojnë hadithin të dobët.
[4] Hadith i vërtetë. Buhariu (38, 2008) dhe Muslimi (759).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit