Qortim publik – Bekir Halimi

Më të lexuarat

Nga Bekir Halimi

Me keqardhje dhe shqetësim të thellë ndjekim indiferencën e turpshme dhe heshtjen e pakuptimtë të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut ndaj projekt-rezolutës për situatën dramatike dhe çnjerëzore në Rripin e Gazës.

Në një kohë kur e gjithë bota e ndërgjegjshme dhe humane është ngritur në këmbë për të dënuar masakrat ndaj civilëve palestinezë, për të kërkuar ndaljen e gjenocidit dhe për të mbrojtur të drejtat më elementare të njeriut — heshtja e përfaqësuesve tanë në Kuvend është një njollë e rëndë mbi ndërgjegjen parlamentare dhe morale të vendit tonë.

Indiferenca nuk është neutralitet. Indiferenca është pozicionim përballë padrejtësisë. Kur një parlament i një vendi demokratik nuk arrin të dalë në mbrojtje të lirisë, të drejtës për jetë dhe dinjitet njerëzor — ai e ka humbur autoritetin moral për të folur në emër të qytetarëve.

Kujtojmë se parimet mbi të cilat është ndërtuar çdo rend demokratik — liria, siguria, drejtësia — nuk vlejnë vetëm për një grup apo për një kontinent. Ato janë universale. Ato vlejnë edhe për fëmijët e Gazës, për gratë që mbajnë kufomat e bijve, për burrat që digjen nën rrënoja.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut nuk guxon të jetë i heshtur përballë mizorisë. Heshtja ndaj padrejtësisë është vetë pjesëmarrje në të. Kjo heshtje do të mbetet si një faqe e errët në historinë e këtij parlamenti dhe këtyre deputetve — një moment i turpit institucional.

Deputetët e Kuvendit, përfaqësues të popullit, nuk mund të fshihen pas interesave politike apo kalkulimeve diplomatike kur përballen me një gjenocid të qartë e tanimë edhe të dënueshëm nga shumë shtete demokratike.

Prandaj, kërkojmë nga gjithë deputetë që thirren në të drejtën e përfaqësimit tonë në kuvendin e RMV të dalin të kërkojnë falje publike për sjelljen e tyre të pandërgjegjshme. Kjo nuk është çështje politike — është çështje humane, morale dhe fundja njerëzore.

Gjithashtu, shprehim edhe indinjatën tonë kundrejt institucionit të BFI i cili lëre që nuk ka patur tani e dy vite një qëndrim zyrtar ku dënohet gjenocidi që po ndodhë në Gaza, ajo madje nuk del as në mbrojtje të ndjenjave të besimtarëve të saj kur ato fyhen nga veprimi I papërgjegjshëm i përfaqësuesve të tyre në kuvend.

Si besimtarë myslimanë, ne e kemi për detyrë jo vetëm të lutemi për të shtypurit, por edhe të ngrihemi në mbrojtje të tyre me zë, me veprim dhe me përkushtim. Nëse një pushtet nuk guxon të dënojë vrasjen e fëmijëve të pafajshëm, si do të pretendojë të jetë zëri i njerëzve të këtij vendi. Gjithashtu nëse institucionet tona fetare nuk kujdesen edhe për ndjenjat e besimtarëve të tyre, atëherë edhe mos të thirren në përfaqësimin e tyre. Andaj, ngrihuni, flisni, veproni — për Gazën, për lirinë, për drejtësinë dhe për vetë nderin tuaj, në të kundërtën, ashtu sikur që ua kemi dhënë mbështjen për përfaqësim edhe në Kuvend edhe në BFI ashtu edhe mund ta tërheqim njohjen e juaj.

Ju që heshtni, kujtoni:
Në një ditë, historia do t’ju kërkojë llogari.
Dhe mbi të gjitha, Zoti është Dëgjues i çdo fjalë të pathënë për drejtësinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit