29.7 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Pushtimi Rus i Ukrainës midis legjitimitetit të sigurisë dhe ambicieve të zgjerimit

Më të lexuarat

Ahmed Mustafa Al-Ghar
Teksa Rusia po grumbullonte dhjetëra mijëra trupa të saj përgjatë kufirit ukrainas, presidenti rus Vladimir Putin doli për të mbajtur një fjalim në të cilin theksoi se një operacion special ushtarak do të fillonte në Ukrainë. Natën pas fjalimit, shpejt filluan shpërthime të shumta në të gjithë Ukrainën dhe më pas filluan konfrontimet e drejtpërdrejta ushtarake. Në një akt agresioni që mund të konsiderohet si konflikti më i madh ushtarak në tokën evropiane në dekada, tani që betejat janë ende të ndezura, mund të na duhet të kuptojmë motivet pas këtij pushtimi rus të Ukrainës. A po kërkon Rusia sigurinë e saj duke hequr NATO-n nga kufijtë e saj, që është një pjesë e projektit të kërkuar vetë vendet e NATO-s nga frika e rusëve, apo Rusia ka ambicie ekspansioniste që kërkon t’i arrijë dhe dëshiron të rindërtojë lavdinë e saj si ish perandori?!
Putini beson se ekzsitojnë motive të arsyeshme që e detyruan atë të pushtonte Ukrainën, pasi ai kishte kërkuar në mënyrë të përsëritur prej NATO-s që të ndalonte zgjerimin e saj drejt lindjes dhe e hodhi poshtë kërkesën e Ukrainës për t’u bashkuar me aleancën. Ai gjithashtu i kërkoi NATO-s që të tërhiqte dislokimin e forcave të saj në vendet që iu bashkuan pas vitit 1997. Siç pritej këto kërkesa u refuzuan. Rusët këmbëngulin se NATO nuk duhet t’i afrohej kurrë kufijve të Rusisë, veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, por politika e dyerve të hapura të NATO-s thotë se kombet sovrane mund të zgjedhin aleancat e tyre të sigurisë. Duke iu përgjigjur kërkesave të Putinit, Kremlini jep një veto mbi vendimmarrjen në këtë aleancë politike dhe ushtarake që daton që nga viti 1949, e përbërë nga 30 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Kanadanë, Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe shumë vende të tjera evropiane. Anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo vend evropian që plotëson kriteret e tij dhe Ukraina ishte në mesin e tre vendeve që aspirojnë anëtarësimin
Në një fjalim të tijin para sulmit, Putini tha se pushtimi i Ukrainës ishte vetëmbrojtje kundër zgjerimit të NATO-s. Pavarisisht kësaj NATO këmbëngul se është ajo një aleancë mbrojtëse dhe jo një kërcënim për Rusinë dhe se biseda për anëtarësimin e Ukrainës në NATO nuk është diçka e re. Por ndërkohë ekzagjerimi i fundit i kësaj teme mund të jetë një shkak që Rusët të krijojnë një krizë që legjitimon pushtimin e tyre të tokave ukrainase. Ka nga ata që thonë se Putini e sheh një Ukrainë të pavarur dhe demokratike si një kërcënim të drejtpërdrejtë për të dhe regjimin e tij në pushtet. Kështu që ai vendosi se e vetmja mënyrë për t’u marrë me këtë kërcënim është nëpërmjet përdorimit të forcës dërrmuese ushtarake, që përjashton regjimin aktual dhe i mundëson atij të vendosë një regjim të ri besnik ndaj tij, siç është rasti me Bjellorusinë, të cilën ai e bëri një shtet vassal. Ai u përpoq ta bënte këtë politikisht me Ukrainën, njerëzit e së cilës zgjodhën një sistem demokratik në harmoni me Evropën Perëndimore. Putini dështoi dhe ka gjetur vetëm forcën ushtarake për të arritur qëllimin e tij.
Sigurisht që Putini ka disa synime për të rindërtuar Rusinë aty ku ishte në të kaluarën.Ai sheh se Rusia është tërhequr që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik dhe dëshmia më e mirë e atij fjalimi që Putin mbajti para Këshillit të Sigurisë Kombëtare disa ditë më parë, kur ai tha se ai besonte se të gjitha vendet post-Bashkimit, Bashkimi Sovjetik në fakt janë pjesë e Rusisë. Ai akuzoi bolshevikët për tërheqje arbitrare të kufijve midis ish-republikave sovjetike të Rusisë dhe Ukrainës dhe pohoi se kufijtë e tërhequr edhe më herët nga pasojat e revolucionit të vitit 1917 mund të riformuloheshin. Me fjalë të tjera, Putin e vendos Rusinë bashkëkohore si trashëgimtare të Perandorisë Ruse siç ishte nën sundimin e carëve. Ky fakt u shpreh shprehimisht nga ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas, e cila tha se “Ëndrra e Putinit për t’u rikthyer në ditët e Perandorisë Ruse përfshin të gjithë Ukrainën, përfshin Finlandën, Bjellorusinë, Gjeorgjinë, Moldavinë, Kazakistanin, Kirgistanin, Taxhikistanin, Turkmenistanin, Uzbekistanin, Lituaninë, Letoninë dhe Estoninë dhe përfshin pjesë të Polonisë dhe Turqisë, Në fakt ai dëshiron që bota të kthehet prapa në kohë, në kohën para Kombeve të Bashkuara në një kohë kur perandoritë sundonin botën, por bota eci përpara, nuk është më viti 1919, por është viti 2022.”
Putini ka pohuar se Ukraina nuk ishte një vend i vërtetë, pasi ai e sheh atë si Bashkimi Sovjetik i krijuar nën udhëheqësin e tij të parë, Vladimir Lenin, dhe pavarësisht provave dërrmuese se ekziston një kulturë dhe histori e ukrainasve që i paraprin Bashkimit Sovjetik, Putin këmbëngul që Ukraina është pjesë e pandashme nga Rusia, kur u tha deputetëve të parlamentit rus: “Më lejoni të theksoj edhe një herë se për ne Ukraina nuk është vetëm një vend fqinj. Ajo është një pjesë integrale e historisë, kulturës dhe hapësirës sonë shpirtërore”, duke shpallur kështu një luftë të tmerrshme dhe shkatërruese në tokën ukrainase bazuar në dëshirën e tij për të forcuar prestigjin dhe ndikimin e Rusisë.
Një pretekst tjetër që Putin e përdor për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë është shqetësimi rus për armët bërthamore ukrainase, megjithëse është e njohur për të gjithë se pas kolapsit i Bashkimit Sovjetik, Kievi i braktisi vullnetarisht armët bërthamore në territorin e tij në këmbim të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia. Megjithatë, Putini pretendon se Ukraina ka njohuri dhe dëshirë për të marrë armë bërthamore, gjë që përbën një kërcënim për Moskën , megjithëse nuk ka asnjë provë që Kievi po përpiqet të marrë armë bërthamore aktualisht. Megjithatë, Putini ka shtyrë teoritë e konspiracionit për të nxjerrë në pah kërcënimin bërthamor të Ukrainës dhe për ta përdorur atë për të justifikuar pushtimin.
Një çështje tjetër që duhet marrë parasysh është se rusët ndoshta janë të lodhur nga rendi botëror i bazuar në unipolaritet, një sistem në të cilin Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dominojnë gjithçka. Kështu që Rusia po përpiqet të krijojë një rend të ri botëror me ndihmën e tij. të Kinës dhe me mbështetjen e vendeve antiperëndimore si Koreja e Veriut, Bjellorusia, Irani dhe disa republika të Amerikës së Jugut. Nuk ka dyshim se tensionet e Luftës së Ftohtë nuk u zhdukën kurrë. Perëndimi mendoi se bota pas asaj lufte kishte ndryshuar përgjithmonë, por gjatë dekadës së fundit vendet perëndimore që e konsiderojnë veten si demokraci liberale kanë humbur një pjesë të madhe të ndikimit të tyre. Fuqitë e tjera janë gjithnjë e më të suksesshme ekonomikisht dhe ushtarakisht. Këto vende duan një rend të ri botëror që t’i akomodojë, të pranojë ekzistencën e tyre dhe të njohë forcën e tyre. Faji i drejtpërdrejtë këtu mund t’i vihet arrogancës së Shteteve të Bashkuara, e cila nuk i ka forcuar kurrë institucionet ndërkombëtare në ato shtatëdhjetë vitet e fundit, por përkundrazi u përpoq të ishte e vetmja fuqi hegjemoniste. Pavarsisht kësaj Uashingtonin sot nuk është në gjendje të ushtrojë lirisht vullnetin e tij për shkak të ndikimit të fryrë ekonomik dhe diplomatik të Pekinit dhe ndikimit ushtarak dhe politik të Moskës.
Ka shumë shpjegime dhe arsyetime që mund të ofrohen për të shpjeguar përfshirjen e rusëve në këtë konflikt, i cili përfaqëson pushtimin më të madh tokësor në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kjo tregon gjithçka për madhësinë, shtrirjen dhe pasojat e mundshme të këtij konflikti. Nuk ka dyshim se ushtria ruse ka aftësinë për ta kapur Ukrainën, por dilema më e madhe është kostoja e mbajtjes së kontrollit mbi të me kalimin e kohës. Kjo është një çështje tjetër. Putini ka injoruar sanksionet dhe dënimet nga shumica e vendeve në botë deri më tani dhe paralajmëroi vendet perëndimore se çdo përpjekje për të ndërhyrë në konfliktin aktual do të çojë në “pasoja që nuk i kanë parë më parë”. Ai mund të mbështetet në kartën ruse të energjisë dhe grurit së bashku me armët bërthamore, por vendet perëndimore kanë treguar deri tani mosgatishmërinë e tyre për t’u përfshirë në krizën ushtarake. Që në momentin e parë Perëndimi e bëri të qartë se nuk kishte asnjë synim për të ndërhyrë ushtarakisht në konflikt. Ukraina nuk është një aleat i NATO-s, dhe kjo do të thotë se nuk ka asnjë detyrim traktatual për të mbrojtur Ukrainën, por ka forca amerikane të dislokuara rreth Ukrainës në vendet e NATO-s, ka mbështetje logjistike dhe inteligjente nga shumica e vendeve evropiane dhe më e rëndësishmja është se ka sanksione ekonomike që po rriten. Putini po përpiqet të shfaqet në publik relativisht indiferent ndaj vuajtjeve që ka të ngjarë që populli rus të përballet me to si rezultat i këtyre sanksioneve. Ndoshta Putini ka shpresa që Perëndimi do të pranojë një status-quo të ngjashme me atë që ndodhi gjatë pushtimit të Krimesë, pikë në të cilën pesha e sanksioneve do të zvogëlohet përpara se dhimbja në Rusi të arrijë në një pikë ku vetë Putini duhet të tërhiqet. Putini e krijoi nga tymi këtë krizë dhe tani bota po e shikon duke pritur për të parë se si do të shkojnë gjërat. Pushtimi nuk ka një përfundim të paramenduar. Përkundrazi, pushtimi është një rrugë që Rusia sapo e ka nisur dhe të gjithë presin pasojat e tij të papritura.
Përkthehu: Genc Plumbi
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit